Genitian Çala: Shëndetësia e shitur keq!

885
Sigal

Para dy viteve një i njohur i imi, në pamundësi financiare, shkoi në një spital privat ku i kërkohej të bënte koronagrafinë dhe pasi mësoi që fatura financiare e saj (bashkë me vendosjen e një apo dy stenteve) do të ishte e madhe, iku nga spitali pa realizuar ndërhyrjen dhe pas disa ditëve bën një vdekje të papritur, mesa duket nga infarkti i zemrës. Histori të ngjashme ka plot.
Pacientëve u duhet të zgjedhin midis sëmundjes, rrezikut të vdekjes dhe të faturave të papërballueshme të trajtimeve kardiologjike, të kimioterapive apo të ekzaminimeve të tjera me kosto, ose intervenimeve të shtrenjta. Fukarallëku dhe një sëmundje me kosto të larta janë skenari më i trishtë për një familje.

Sistemi shëndetësor është me dy fytyra: një qendër universitare e mbingarkuar, deri diku e pajisur, por që nuk përballon fluksin e kërkesave për shërbime dhe nga ana tjetër, spitale rajonale apo bashkiake të pajisura keq në burime njerëzore dhe pajisje diagnostikuese apo trajtuese, të cilat punojnë kryesisht nën kapacitete. Në fund, tepria e nevojave për shërbime dhe fitimi në kohë për zgjidhjen e problemit shëndetësor, i dërgon nevojtarët te klinikat private, më efikase, por me fatura të kripura.

Unë nuk po them asgjë të re dhe të panjohur, por po flas për diçka që kalohet në heshtje. Nuk jam as kundër shërbimeve private shëndetësore, por jam për një sistem shëndetsor publik që i ofron shërbimet e duhura shtresave që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar kostot. Te ky deformim i sistemit tonë shëndetësor, ka një kontribut nga brenda tij, nga individët që favorizojnë një sistem shëndetësor publik jofunksional për qëllime të përfitimit dhe të “furnizimit” me pacientë të atij privat, pasi janë me një këmbë te njëri dhe me një dorë te tjetri, ose kanë përfitime në formë të shpërblesave.

Deformi tjetër, vjen nga orinetimi i sistemit nga qeveria, ku prioritetet janë caktuar keqas ose kanë rënë pre e influencave klienteliste apo përfituese. Në 7 vitet e fundit ka pasur disa koncensione apo partneritete publik-privat, të cilat kanë qenë kryesisht në formë të out-source (pra, qeveria paguan dikë nga jashtë sistemit për të dhënë një shërbim që më parë realizohej nga vetë sistemi), të cilat janë kritikuar nga institucionet financiare ndërkombëtare (BB), janë denoncuar nga opozita dhe elementë të shoqërisë publike. Kjo quhet, shëndetësi e shitur keq! Vrapimi për përfitime ka thelluar problemet e sistemit, ku investimet e munguara në sektorët problematikë shëndetësorë kontrastojnë me paratë e dhëna pa shërbime të ofruara te koncensionarët (sipas raportit të fundit të KLSh-së).

Për aq kohë sa sistemi shëndetsor i nënshtrohet deformimeve të tilla nga brenda dhe jashtë tij, gjithmonë e më shumë do të duket keqfunksional dhe për pasojë shtresat e varfëra apo me të ardhura të pakta do të vuajnë pasojat e shërbimeve të munguara ose të pamundura. Ndaj duhen rivendosur urgjentisht prioritete të reja, duhet të rritet financimet për shëndetësinë dhe duhet të bëhen përpjekje që zhbëjnë asimetrinë e sistemit. Kjo duhet të jetë një nga pikat e rëndësishme të programit opozitar, ku zgjidhjet dhe reformat duhen për tu mundësuar qytetarëve shqiptarë qasjen e barbartë në shërbime shëndetësore. Kjo nuk duhet të jetë nesër pjesë e retorikës së sotme, por pjesë e programit të ardhshëm qeveritar.