Luan SHMILLI / Pse Skënderbeu nuk e mbrojti Kosovën kundër turqve

1508
Sigal

Serbët, që ende kanë pretendime të mëdha territoriale mbi Kosovën, në tetor 1448 e braktisën atë dhe nuk luftuan kundër turqve

Sërish historiografia europiane dhe analistë të shtypit i janë drejtuar një fakti solid që është shënuar në histori si turpi serb, apo fitorja e dyte më e madhe turke ndaj ballkanasve. Dhe nuk bëhet fjalë për betejën e madhe të Fushë-Kosovës 1389, ku ballkanasit të bashkuar në një aleancë të madhe u mundën ne veri të Prishtinës duke mos e gjetur gjer më sot më gjuhën e përbashkët, por për një betejë tjetër që, edhe pse nuk është aq e madhe sa e para, sërish përmban elementë dhe dukuri të rëndësishme ku shpaloset e hapur mospërfshirja në luftë e serbëve kundër turqve, ndërsa shqiptaret, hungarezët, boshnjakët, kush më shumë e kush më pak, e provuan forcën e tyre vitale. Natyrisht më shumë luftuan dhe derdhën gjak hungarezët me komandantin e tyre të njohur Huniadin. Beteja u zhvillua nga 17- 20 tetor 1448. Është beteja e dytë e madhe e ballkanasve, ajo që në historiografinë moderne, sipas studiuesit italian, Francesco Colotta, quhet lufta e dytë ballkanike. Edhe ky autor, si shumë të tjerë, citon një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë sot me pretendimin fals të serbëve se: “Kosova është djepi i Serbisë” duke u treguar serbëve të verbuar se: “Në front të parë, për të luftuar Otomanët, në fakt nuk ishin më serbët…”(revista italiane “Storica National Geografik”-Tetor 2012, fq.30-40).

Nëse do të pranohej se Kosova është djep i Serbisë dhe jo tokë e lashtë ilirike, d.m.th., jo tokë e sotme shqiptare, atëherë serbëve duhet t’u shtrohet pyetja, ku ishit në tetor 1448, kur ballkanasit, në aleancë kundër otomanëve u bashkuan? Si ka mundësi luftoni sot kundër shqiptarëve që janë aty prej mijëra vjetësh, para zbritjes tuaj në këto treva, dhe nuk luftuat atëherë kur në Fushë-Kosove, në atë tokë ilirike erdhën dhe luftuan hungarezet me prijësin e tyre të njohur Huniadin, boshnjakët po ashtu madje edhe valakët luftuan, ndërsa serbët jo? Është një pyetje e rëndësishme, një pikë mbështetëse e Arkimedit, pretendimet për Kosovën dhe kotësitë aventuriere të disa udhëheqësve serbë rreth njohjes së saj si shtet. Shtetarët e pluhurosur me paqartësi të shtetit shqiptar duhet t’i thonë këto fakte dhe të sqarojnë homologët e tyre rreth kësaj çështje madhore. Pra Serbët, që sot quajnë tokë të tyre Kosovën, atëherë më 1448 nuk luftuan Otomanët. Çfarë ndodhi në të vërtetë? Ripërsërisim, jo pa qëllim, fjalinë e plotë të shkencëtarit historik Francesco Colotta: “Në front të parë për të luftuar Otomanët, nuk ishin më serbët, por Hungarezët, ndihmuar nga shqiptarët dhe vllehët”. Jo më kot historiani i njohur italian na thotë më tej se: “Ngjashmëria ndërmjet fazave të ndryshme të historisë e një territori lejon të hidhet dritë mbi përbërësit e identitetit të saj kulturor. Kosova e mesjetës jep këto koincidenca në hapësirën e gjerë kronologjike të përfshirë ndërmjet Mesjetës dhe jetës bashkëkohore”, dhe më tej: “Sot Kosova është një Republikë e pavarur, duke lënë pas vetes një konflikt të shkuar, të përgjakshëm, që i ka vënë përballë njeri-tjetrit komunitetin shqiptar dhe atë serb…”

Më 1389, të nesërmen e humbjes së betejës së madhe të ballkanasve, në Fushë-Kosovë, të gjithë popujt pjesëmarrës në betejë u shtrinë rreth atyre princërve dhe komandantëve që mbetën gjallë nga beteja, ku otomanët edhe pse fituan humbën Sulltanin të vrarë nga shqiptari Millosh Obiliqi, ndërsa koalicioni ballkanik humbi komandantin e përgjithshëm, serbin Llazar Hrebeljanovic. Serbet, nën dhimbjen e humbjes, u rreshtuan rreth djalit të Llazarit, princit pesëmbëdhjetëvjeçar Stefan Llazarevic. Në këtë periudhë të betejës së parë, serbët që dominonin gjer në Korfuz të Greqisë së sotme, ishin në tërheqje dhe rrëzim prestigji si pushtues edhe në Kosovë. Në vitin 1395, akoma i ri mbreti serb, Stefani, ndërmerr betejën e parë si aleat i Sulltanit, pra nën flamurin otoman. Beteja në Rovine, një ekspeditë ushtarake turke kundër princit vlleh, ishte vërtetë një disfatë turke, por jo për djaloshin Stefan, i cili arriti të largohet dhe të shpëtojë. Më 1396 sulmon përsëri hungarezët, që po penetronin në Bullgari, i bashkuar sërish me otomanët. Stefan, djali i heroit serb që ishte bërë simbol i rezistencës ballkanike kundër turqve, ishte bërë aleati i tyre më besnik. Këtë linjë politike nuk e pranonte një tjetër despot serb, Vuk Brankovic. Brankovic nuk iu paraqit otomanëve për bashkëpunim, dhe humbi besimin e sulltanit Bajazit i I, i cili e përzuri nga territoret e tij. Tokat e pushtuara të Brankovicit në Kosovë iu dhanë në fillim nga sulltani Stefan Llazarevicit dhe, më vonë, bijve legjitimë të princit të përzënë. Në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës mbeteshin nën pushtim, ndërsa turqit kishin në dorën e tyre një fuqi shumë të zgjeruar në tokën ballkanike. Nga kjo “politikë e hollë” ata mbanin nën pushtim shqiptaret dhe serbët, duke mbajtur një numër jo të madh garnizonesh ushtarake në zonë…”, konkludon edhe historiani italian në këtë çështje. Historiani anglez Noel Melkolm më 1427 shkruan se, kur Stefan Lazarevic vdiq, atë e zëvendësoi Durad Brankovic, dhe Kosova rezultonte: “pjesë e përbashkët e territorit të madh të Serbisë, shtrirë në veri deri përtej Beogradit”, gjë që nuk është pretenduese për një popullsi serbe që ka pushtuar një tjetër popullsi, fqinjë të saj jugor shqiptarët… të gjendur aty që në lashtësitë e kohërave…madje, nëse do të ishte territori i Kosovës territor serb, serbët nuk do e braktisnin Kosovën, si e braktisën plotësisht më 1448. Por çfarë ka ndodhur para betejës së dytë ballkanike, tetor 1448? Historiani italian lë të kuptohet se otomanët luajnë mirë me serbët dhe shqiptaret në Kosovë, duke pasur Stefanin, djalin e heroit ballkanik, aleat të tyre. Por hungarezët dhe shqiptarët ishin popuj që nuk e pranonin pushtimin e dyfishtë. Polonia, Shqipëria dhe Hungaria u bashkuan fort dhe i bën thirrje Europës për të përzënë pushtuesit. Gati ishin edhe 800 serb të Brankovicit dhe shumë gjermanë, kroatë e boshnjakë. Këto forca kristiane çliruan Nishin dhe Sofjen, por pa vazhduar më tej. Por më 1444 sulltan Murati përfiton dhe me premtime territoresh i mbush mendjen Duradit të mos luftojë pasi do t’i jepte gjithë territorin që kishin pasur të pushtuar serbët. Serbi Durad e pranoi ofertën dhe koalicioni ballkanik u thye. Por hungarezët nuk lëshuan pe. Ata me popullsi të tjera mbështetëse penetruan në Bullgari deri në Varna. Mbas kryengritjeve hungareze, shqiptare dhe boshnjake otomanët kundërsulmojnë dhe më 10 nëntor 1444, shkatërrojnë ushtrinë kristiane ballkanike në Varna. “Dhe mbas katastrofës kristiane në Varna”, thotë historiani italian, “shfaqet figura e një revolucionari shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fq.37) i destinuar të bëhet një lider i rezistencës kundër otomanëve në gadishullin ballkanik, dhe në historinë e Kosovës. Ai ishte protagonist në fazat që do të çojnë në shpërthimin e betejës se dytë ballkanike. Disfata në Detin e Zi i kishte lënë një plagë të hapur Janosh Huniadit, regjent i Hungarisë dhe mbretit fëmijë, Ladislav V. Në fillim të vitit 1447 koalicioni ballkanik i kërkon ndihmë Papës në Venecia dhe mbretit të Aragonëve dhe Napolit, pa marrë, çuditërisht, përgjigje. Një apel i tillë iu bë edhe Skënderbeut, tregon historiani italian, që përkundrazi u deklarua i gatshëm për të luftuar otomanët. Në krahasim me betejën e parë të madhe 1389, beteja e dytë do kishte në front 24 mijë hungarezë kundër 40 mijë turqve. Dhe këtu, serbët nuk shfaqen fare. Huniadi lëviz në shtator 1448 me shpejtësi,merr Moldavinë. Pastaj kalon Danubin dhe i drejtohet Smederevo, kryeqytetit të Serbisë dhe atje priti forcat e Skënderbeut. “Në përfundim Huniadi niset i vetëm duke përshkuar territorin jugor të Serbisë, ku armata turke e priste në Fushë- Kosovë”, thotë studiuesi italian duke treguar njëkohësisht se: “Skënderbeu ishte frenuar në atdheun e tij nga një debat i brendshëm mbi territoret shqiptare, të rëna nën pushtimin Venecian dhe verioret nguronin ta mbështesnin. Dhe, nga kjo pengesë e brendshme veriore ai u nis me vonesë për luftën në Kosovë, ku nuk arriti kurrë…” Serbët, protagonistët e mëdhenj të betejës më 1389, nuk u bashkuan fare në koalicion”. Humbja e Huniadit ishte katastrofike. Disa historianë kërkojnë të justifikojnë mungesën serbe, (të cilët sot pretendojnë Kosovën) se nuk ishin në pëlqim me Huniadin. Në të vërtetë Huniadi ka kërkuar disa herë të bindte Durad Brankovicin për t’u bashkuar, të liheshin mospëlqimet e së kaluarës, por pa sukses. Ndërkohë zbulohet se Durad Brankovic kishte akorde sekrete me sulltan Muratin. E tregon një dokument i shtatorit 1448 që mban firmën e një bashkëpunëtori të Brankovic. Pas kësaj fitoreje të dhënë nga serbet Turqisë dhe pengesave të brendshme që ju shkaktuan Skënderbeut,j o vetëm Kosova mbeti nën sundim otoman, por gjithë rajoni, përjashto Skënderbeun që luftoi i vetëm kundër tyre pa u mposhtur gjer sa vdiq më 17 janar 1468 duke lënë jo pa qëllim mesazhin e bashkimit Kombëtar.

 

Për “Telegraf”, nga Italia