Frank SHKRELI:Një vit për të kujtuar Presidentin John Kennedy

593
Sigal

Xhon F. Kennedy u betua në detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara më 20 janar 1961. Fjalimi i tij me atë rast mbahet mend si një prej fjalimeve më të rëndësishme dhe më të cituar, në të cilin ai u bëri thirrje amerikanëve që të aktivizohen, duke thënë:  “Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bësh ti për atdheun tënd”. Duke iu drejtuar vendeve të botës, ai u bëri thirrje që  ato të bashkohen në luftën kundër atyre që ai i cilësoi, si “armiqtë e përbashkët të njeriut: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe luftës”.

Viti 2013 shënon 50-vjetorin e vitit të fundit të jetës së ish-Presidentit të ri amerikan dhe kalendari i këtij viti është i mbushur me aktivitete përkujtimore nga jeta dhe veprimtaria e presidentit më të ri amerikan, i cili u vra në Dallas të shtetit Teksas, 50-vjet më parë. Janë planifikuar një numër përkujtimesh me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së njërit prej udhëheqësve më të admiruar jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, si përkrahës i lirisë dhe demokracisë. Presidenti Barak Obama, do të vizitojë Berlinin në Qershor për të kujtuar 50-vjetorin e fjalimit të famshëm anti- komunist të Presidentit Kennedy, “Ich Bin Ein Berliner”, kur u ka thënë berlinasve të izoluar e të bllokuar nga komunistët, se unë jam me ju, pasi edhe “unë jam një berlinas”. Qyteti Dallas, ku është vrarë Presidenti Kennedy do të kujtoj 50-vjetorin e vrasjes dhe është në plan të botohen një numër librash të reja mbi jetën dhe veprimtarinë e John F. Kennedy.

Përveç shqetësimeve të tij të brendshme të Amerikës në atë kohë, Xhon Kennedy ishte posaçërisht i shqetësuar mbi mundësinë e shpërthimit të një lufte bërthamore midis kampit komunist të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe botës perëndimore, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara,  luftë nga, e cila miliona veta mund të kishin vdekur. Lufta e Ftohët, megjithëse nuk kishte rezultuar në ndonjë përleshje të armatosur midis dy kampeve, ishte diçka ndryshe.   Përveç tjerash ishte një luftë midis sistemit diktatorial komunist sovjetik dhe sistemit demokratik amerikan të qeverisjes. Ishte një luftë që shpesh i çoi të dy palët në prag të luftës bërthamore, siç ndodhi me krizën e lindur nga vendosja e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, në vitin 1962 dhe  mekrizën në qytetin e ndarë të Berlinit.

Presidenti Kenndy mbahet mend, megjithëse, me një mandat të shkurtuar nga plumbat e një vrasësi, si një president që donte që Shtetet e Bashkuara të shkonin përpara drejtë së ardhmes, me zbulime të reja në shkencë e teknologji, me përmirësime në fushën e arsimit, punësimit e të tjera. Por mbi të gjitha, ai donte demokracinë dhe lirinë për të gjithë njerëzit në botë.

Në këtë drejtim, ai themeloi, Korpusin e Paqes, një program ky i cili edhe sot bën të mundur që amerikanët të shkojnë si vullnetarë për të punuar kudo në botë, ku ndihet nevoja dhe  në fusha të ndryshme, si për shembull në arsim, bujqësi, përkujdesje shëndetësore, ndërtimtari, e tjera. Presidenti Kennedy mbetet në histori gjithashtu si presidenti amerikan i cili bëri të mundur që Shtetet e Bashkuara të ishin vendi numër një në eksplorimin e hapësirës. “Asnjë vend, që pret të udhëheq vendet e tjera, nuk mundë të mbetet mbrapa në garën për eksplorimin e hapësirës”, ka thënë Xhon Kennedo.  Si përfundim i përkushtimit të tij në këtë fushë, Shtetet e Bashkuara qenë të parat që dërguan astronautët në Hënë.

Presidenti Kennedy, gjatë mandatit të shkurtër të tij u përball me një seri problemesh të brendshme këtu në Shtetet Bashkuara, mbi të gjitha me problemin e diskriminimit racial të asaj kohe. Ndasia raciale ishte tepër e theksuar, megjithëse, Gjykata e Lartë kishte vendosur se ishte kundër Kushtetutës, disa shtete jugore praktikonin gjithnjë diskriminimin kundër zezakëve.

Vdekja e Presidentit Kennedy shkaktoi dhembje të madhe në radhët e amerikanëve dhe anë e mbanë botës. Megjithë mandatin e shkurtër të Presidentit John Kennedy, ai gjithnjë konsiderohet si një ndër presidentët më të mirë të Amerikës dhe mbahet mend për një trashëgimi si udhëheqës i fortë me një personalitet dhe realizime dhe suksese të dukshme, kur të merret parasysh periudha e shkurtër që ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë. Ai mbahet mend për gjakftohtësinë përballë marrjes së vendimeve shumë të vështira, siç ishte vendimi se ç’duhej bërë në lidhje me raketat bërthamore që komunistët sovjetikë kishin vendosur në Kubën e Fidel Kastros në vitin 1962. Ai njihet, gjithashtu, si një orator elokuent, fjalimet e të cilit ishin shumë frymëzuese dhe konsiderohen gjithnjë aktuale edhe sot pas 50 vjetësh. Megjithëse, ai vetë vinte nga një familje e pasur, John Kennedy kujtohet  për programet qeveritare dhe legjislacionin në mbështetje të të varfërve dhe të moshuarve. Presidenti Kennedy, si çdo udhëheqës tjetër ka bërë gabime, por gjithmonë shprehte një entuziazëm të madh për të ardhmen, duke besuar se çdo problem mund të zgjidhet me bashkëpunim me njëri tjetrin për derisa interesat e vendit janë mbi të gjitha interesat e tjera.

Ndonëse njëri me mendime  liberale dhe tjetri konservator, në krahasim me presidentë të tjerë, biografi i Presidentit Kennedy, Robert Dallek i tha gazetës “USA Today” se, “Presidenti Kennedy dhe Reagan i dhanë këtij vendi një frymë optimizmi dhe shprese. Ata përfaqësonin vlerat më të mira të këtij vendi.”Si Presidenti Kennedy ashtu edhe Presidenti Reagan besonin fuqimisht në lirinë dhe demokracinë jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt e botës, ata besonin në shkëmbimin e lirë të informacionit dhe në të drejtat e njeriut. Pasi ky vit shënon gjithashtu edhe 70-vjetorin e “Zërit të Amerikës”, ia vlen të përmendet vizita dhe fjalimi i Presidentit John Kennedy me rastin e 20-vjetorit të “Zërit të Amerikës” me ç’rast ai ka thënë se, “liria e informacionit është një e drejtë themelore e njeriut”, dhe shtoi se, “ky është kodi i “Zërit të Amerikës”. Ne mirëpresim mendimet e të tjerëve. Ne kërkojmë shkëmbimin e lirë të informacionit matanë kufijve, oqeaneve dhe perdeve të hekurta dhe mureve prej guri. Ne nuk kemi frikë t’i paraqesim popullit amerikan të vërtetën mbi të mirat dhe të këqijat, as nuk kemi frikë nga idetë dhe filozofitë e huaja dhe as nga vlerat konkurruese. Një komb, i cili ka frikë të lejojë popullin e vet të gjykojë dhe të vendosë vet  për të vërtetën dhe falsitetin në një treg të lirë të ideve, ai është një komb, i cili ka frikë nga populli i vet. Prandaj “Zëri i Amerikës” mban një përgjegjësi të madhe, pasi barra e së vërtetës nuk është e lehtë.”Në atë fjalim tek Zëri i Amerikës, 50-vjet më parë, Presidenti Kennedy parashikoi revolucionin dhe modernizimin e teknologjisë së medias dhe të shpërndarjes së informacionit nëpërmjet internetit, duke thënë se 20 vjetët e ardhshme do të paraqisnin mundësi jashtëzakonisht të mëdha, por edhe sfida të ndërlikuara.

Nëpërmjet “Zërit të Amerikës”, që në atë kohë ishte i vetmi mjet komunikimi me popujt e botës,  John Kennedy, në fjalimin e tij me rastin e betimit si President i ri i Amerikës, lajmëroi botën se Shtetet e Bashkuara kishin një udhëheqës të  ri, i cili e konsideronte përhapjen e komunizmit si një plagë për njerëzimin që vetëm me përdorimin e forcës detyronte zbatimin e një ideologjie kundër vullnetit të popujve të robëruar, një ideologjie që ai e konsideronte si e kundërta e lirisë dhe demokracisë.  Qëndrimin e tij të vendosur  në lidhje me komunizmin ndërkombëtar të kohës, John Kennedy e bëri shumë të qartë kur i tha këto me rastin e betimit si president: “Le ta marrë vesh çdo komb, pa marrë parasysh nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të durojmë çfarëdo barre dhe do të përballemi me të gjitha vështirësitë, se ne do të përkrahim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë në botë”.   Më tej, John Kennedy vazhdoi paralajmërimin e tij në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar se, “në historinë e gjatë të botës, vetëm disa brezave u ka takuar të luajnë rolin e mbrojtësit të lirisë në kohën e rrezikut më të madh ndaj saj. Unë nuk tërhiqem nga kjo përgjegjësi, përkundrazi unë e mirëpres atë. Unë nuk besoj se, ndonjëri prej nesh do të ndërronte vendin me  ndonjë popull tjetër ose  brez tjetër.  Energjia,  besimi dhe devocioni që ne sjellim drejtë këtij qëllimi, do të shndrisë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë atij dhe – drita nga ky zjarr me të vërtetë do të ndriçojë mbarë  botën”.

Fjalimet e John Kennedy janë të llojit që frymëzojnë gjeneratat e të gjitha kohërave, kur thoshte se, “nuk duhet të mbyllim sytë ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis nesh, por le të vlerësojmë interesat e përbashkëta dhe mënyrat me të cilat mund të zgjidhen ndryshimet midis nesh. Dhe në qoftë se nuk mund t’i zgjidhim tani ndryshimet midis nesh, atëherë të pakën të përpiqemi që të bëjmë këtë botë më të durueshme dhe më të pajtueshme ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis njerëzve.  Sepse, më në fund,  janë lidhjet bazë dhe gjërat e përbashkëta mes njëri- tjetrit si banorë të këtij planeti të vogël.  Ne të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër. Të gjithë ne punojmë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë. Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm”.

Paqja në botë ishte për ‘të, një  vizion i realizueshëm. “Paqja në botë”,- ka thënë John Kennedy, – sikur edhe paqja në komunitete, nuk nevojitet që çdo njeri ta duaj të afërmin e vet, por kërkon vetëm që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri- tjetrin, duke u përpjekur që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore”.

Siç thuhet edhe në portalin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së John Kennedy, “le të shërbejë ky përvjetor për të celebruar të kaluarën, duke zgjuar të ardhmen”, dhe të nxjerrin mësime dhe shpresa për të ardhmen e njerëzimit nga  një udhëheqës i ri amerikan me kurajo dhe vizion, nga një moment tepër kritik në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës, jeta e të cilit u ndërpre para kohe nga plumbi i një vrasësi.