Frank SHKRELI/ Stop frikësimit dhe kërcënimit ndaj shtypit të pavarur!

262

Dje gazeta e Tiranës, Telegraf në faqen e parë njofton se policia e shtetit shqiptar bllokoi shpërndarjen e shtypit, pikërisht të gazetës Telegraf, “ndërkohë që, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po firmoste në Tiranë emërimet e reja në strukturat më të larta të Policisë së Shtetit.”   Sipas gazetës, “Një grup punonjësish të policisë me uniformën e shtetit kishin bllokuar rrugën dalëse nga Pogradeci për në Korçë…. Në orën 12:20 minuta, patrulla e vendosur në postbllok në dalje të Pogradecit ndalon automjetin që shpërndante gazetën “Telegraf”.  Ata i kërkojnë shoferit dhe shoqëruesit të shpërndarjes së gazetës që të paraqisnin dokumentacionin”.

 Gjithçka në rregull deri këtu, normal.  Por ajo që pasoi, sipas gazetës, nuk kishte të bënte as me rregullat as me normalitetin.  Me pretekstin se makina e gazetës “Telegraf” kishte dy gjoba të papaguara, policët, detyra e të cilëve është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe  siguria e qytetarëve dhe e pronave të tyre, bllokojnë makinën e gazetës “Telegraf” dhe si rrjedhim ndërpresin shpërndarjen e gazetës “Telegraf”. Ndërkaq, mbështetësit e rendit, njëkohësisht refuzuan të komunikonin me drejtuesit e gazetës në Tiranë, me qëllim të sqarimit të situatës.  Sipas gazetës “Telegraf”, shoferi dhe shpërndarësi i gazetës përfundojnë në Komisariatin e Policisë, në Pogradec.  Mirëpo, gjithnjë sipas gazetës “Telegraf”, pas hetimeve, në vendin e ngjarjes dhe në zyrat përkatëse të zonës, rezultoi se makina e gazetës “Telegraf” e kishte të gjithë dokumentacionin në rregull dhe se nuk kishte asnjë gjobë të papaguar në emër të saj.

  Në pritje të sqarimeve të mëtejshme nga policia vendore dhe nga organet përkatëse të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, lind pyetja se pse u bllokua pardje shpërndarja e gazetës “Telegraf” në pjesën jug-lindore të vendit?  A mund të ishte kjo një përpjekje për të kërcënuar dhe për të frikësuar gazetën “Telegraf” që të qëndrojë larg shkrimeve kritike dhe të heqë dorë nga gazetaria e pavarur?  A po, mund të ishte një gomarllëk mungese profesionalizmi nga ana e policëve vendorë që kërkonin ndonjë lekë, apo ndoshta ishte diçka më tepër në këtë mes.  Cilado qofshin qenë arsyet e këtij bllokimi të turpshëm të shpërndarjes së gazetës “Telegraf”, përpjekjet e Policisë së Shtetit për të shtypur ose për të bllokuar përhapjen e fjalës së lirë, janë  një shenjë e keqe, ogurzezë, në fillim të qeverisë së re të Kryeministrit Rama. Gazeta “Telegraf”  thotë se, pas krijimit të kësaj situate skandaloze nga Policia e Shtetit shqiptar, drejtuesit e saj janë në kontakt me Ministrin e ri të Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri, i cili u ka premtuar atyre  se organi që ai drejton do të angazhohet maksimalisht për zbardhjen e situatës. Të Shohim!

Liria e shtypit  dhe shpërndarja e pa penguar e fjalës së lirë është oksigjen i demokracisë.  Liria e fjalës dhe e medias në përgjithësi është jetike për zhvillimin e shoqërisë dhe është pjesë e pandarë e qeverisjes së mirë.  Pa një media të lirë e të pavarur, qytetari i thjeshtë është i pafuqishëm dhe njëkohësisht demokracia dhe mirëqenia ekonomike vihen në rrezik.  Njerëzit duhet të informohen në mënyrë të lirë e të pavarur, në qoftë se pritet që ata të luajnë një rol aktiv në jetën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.  Në të vërtetë, disa studime të kohëve të fundit nga Banka Botërore, theksojnë se media e lirë dhe e pavarur është jetike edhe për një zhvillim të suksesshëm ekonomik, në vendet në zhvillim siç është Shqipëria.  Për më tepër, kur kërcënohet liria e shtypit, të gjitha të drejtat e tjera themelore të njeriut rrezikohen gjithashtu dhe keq-qeverisja e korrupsioni mbretërojnë dhe lulëzojnë të pakontrolluar në të gjitha aspektet e jetës.  Ata që bëjnë kërcënime dhe bllokime të shpërndarjes së gazetave, siç ndodhi me gazetën “Telegraf” në aksin Pogradec-Korçë për çfarëdo arsye qoftë, duhet të ekspozohen dhe të dënohen në bazë të ligjit- po se po – por edhe në arenën e opinionit publik shqiptar.

Rëndësia e rolit që duhet të luajë shtypi i lirë në një shoqëri të lirë e demokratike, në krahasim me rolin e qeverisë dhe të organeve shtetërore, është theksuar  ndoshta më së miri nga Tomas Xhefersoni, babai i fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit, i cili ka thënë se: “Po të ishte në dorën time për të vendosur nëse ne duhet të kishim një qeveri pa gazeta, apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hezitoja asnjë moment për  të preferuar këtë të fundit”.   Xhefersoni donte që gazetat të ishin plot informacione që do t’i përdornin qytetarët e një shoqërie demokratike dhe  një shtyp  që do të shërbente për të kontrolluar dhe për të balancuar pushtetin qeveritar dhe shtetëror, në interes të publikut.

 Lufta për lirinë e fjalës dhe të shtypit nuk mbaron kurrë. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme që duhet të mbrohet si pjesë e pandarë e sigurimit dhe të respektimit  të të gjitha të drejtave të tjera bazë të njeriut. Kjo është një përgjegjësi kyçe e çdo qeverie që pretendon të jetë demokratike dhe përfaqësuese e popullit.  Është detyrë jetësore e çdo qeverie që të mbrojë lirinë e të shprehurit dhe të shtypit, madje edhe atëherë kur shtypi është kritik ndaj saj.  Për më tepër, sipas filozofit francez dhe mbështetësit të lirisë së fjalës, Volterit, i cili ka thënë se, megjithëse: ”Unë nuk jam aspak dakord me ato që thua, unë mbroj deri në vdekje të drejtën tënde të lirisë së fjalës për të thënë atë që mendon”.  Kjo është detyra edhe e çdo shteti dhe ky është parimi, i pranuar gjerësisht i lirisë së fjalës. Edhe filozofi i shekullit 20-të, Noam Çomski ka thënë në lidhje me lirinë e të shprehurit, se: “Në qoftë se me të vërtetë beson në lirinë e fjalës, atëherë t’i beson në lirinë e fjalës madje edhe për ata që shprehin pikëpamje që nuk të pëlqejnë.”  Ai ka thënë gjithashtu se, edhe diktatorët komunistë dhe nazistë të shekullit të kaluar ishin në favor të fjalës së lirë, por vetëm për pikëpamjet e veta. Çomski vazhdon duke thënë se, “në qoftë se je në favor të lirisë së fjalës, kjo do të thotë se je në favor të shprehurit, tolerante dhe ndaj pikëpamjeve që ti me të vërtetë i përbuz  si ide dhe mendime armiqësore”, për ndryshe nuk beson në lirinë e fjalës as në shtypin e lirë e të pavarur, sipas tij.

 Kjo është sfida e çdo qeverie. Për të mbrojtur dhe për të mbështetur një atmosferë tolerance, ku media të zhvillohet e lirë dhe e pavarur.  Është gjithmonë një veprimtari e vazhdueshme e plotë sfida, por është një aktivitet jetësor për zhvillimin normal të çdo shoqërie, pasi siç ka thënë edhe Xhefersoni: “E vetmja siguri mbi të gjitha është shtypi i lirë”.

 Bllokimi i paprecedentë i shpërndarjes dje të gazetës Telegraf duhet të shërbejë si një alarm për qeverinë e re në Tiranë që të angazhohet seriozisht që episode të tilla të mos përsëriten më duke deklaruar publikisht  se nuk do të tolerojë bllokime dhe manipulime  të tilla dhe as ndërhyrje me shpërndarjen e fjalës së lirë nëpërmjet gazetave si “Telegraf”, dhe se kryerësit e këtij akti do të jenë përgjegjës para organeve përkatëse.  Është gjithashtu, një rast për t’i kujtuar qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore të Shqipërisë, përfshirë  edhe policinë, mbi angazhimet ndërkombëtare, por mbi të gjitha detyrimet që qeveria ka ndaj vet popullit të vet, ndaj taksa-paguesve shqiptarë, për të respektuar dhe për të zbatuar angazhimet që ajo ka ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë e të pavarur.

 Ajo që ndodhi pardje në një postbllok në dalje të Pogradecit nuk duhet të ndodhë në Shqipërinë e vitit 2013!