Frank Shkreli: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”! – Ibrahim Rugova në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

78
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë* 

Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat terroriste ushtrake dhe policore serbe, ndër celebrime të tjera, u organizua edhe një konferencë nga Fondacioni’ Ibrahim Rugova’ për të pasqyruar dhe celebruar trashëgiminë dhe vizionin e Presidentit Rugova si një aleat i fortë i Shteteve të Bashkuara, por edhe si patriot dhe udhëheqës i madh i Kombit shqiptar. Me kënaqësi vura re se disa kritikë të hershëm dhe të ashpër të Ibrahim Rugovës, sa ishte gjallë, tani i shohin dhe i vlerësojnë më në fund vlerat dhe kontributet e tija, sidomos në arenën ndërkombëtare, por jo vetëm. Ibrahim Rugova përfaqësonte vlera dhe vizione që për ata, që e njihnin prej ditëve të para, Dr. Ibrahim Rugovën ato ishin të qarta për të gjithë, sidomos për shqiptarët e Kosovës që e kishin votuar disa herë me shumicë dërmuese votash. Ja në këndveshtrimin e sotëm dhe përballë deklaratave të disa pjesëmarrësve në konferencën kushtuar Dr. Rugovës; disa mendime të hedhura e të botuara 10-vite më parë, por ia vlen që t’i ribotojmë pjesërisht në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO_s në çlirimin e Kosovës:

Frank SHKRELI/ Ibrahim Rugova — njeriu që bëri miq për Kombin Shqiptar | Gazeta Telegraf


“Nga këndvështrimi i sotëm, mund të gjykohet se kur dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, (lexoni shkrimin e plotë në linkun më sipës) me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në cilindo nivel që ta hidhte fati. Fati ishte se pak kohë pas kthimit të Ibrahim Rugovës në Kosovë, ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai tani siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë, do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. U bë që, sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, dr. Rugova të shikohej si një zëdhënës i denjë i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej dhe me këdo takohej bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte.

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”,- ka thënë Presidenti Klinton.

Si askush tjetër deri atëherë, Presidenti Rugova, jo vetëm i shpjegoi botës me urtësi e durim përdhunimin historik të kombit shqiptar nga Serbia, por ai gjatë këtij procesi bëri miq për veten dhe shumë mbështetës ndërkombëtarë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet e veta autoktone. Për më tepër, dr. Ibrahim Rugova si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim dhe si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Edhe kjo është pjesë e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

Nuk ka asnjë njeri ose udhëheqës pa të meta, por Presidenti Ibrahim Rugova, bazuar në aq sa e njihja gjatë pothuaj dy dekadash, posedonte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Ai ishte i bindur se për kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe si pjesë e pandashme e organizmave Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke deklaruar “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Me përpjekjet e tij ndërkombëtare, dr. Ibrahim Rugova u bë simboli i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar. Si i tillë, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës, përfshirë edhe figurat më të dalluara të politikës amerikane. Një ndër këta udhëheqës amerikanë, Presidenti George Ë. Bush e pat kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

Ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair ka thënë për dr. Rugovën se “ishte i qetë, një njeri shumë modest, i cili më tha të vërtetën për Kosovën, për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte për fatin e shqiptarëve dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë… Ai foli me një zë të ulët, por me sinqeritetin më të madh duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet. Unë ia dhashë besën se Britania e Madhe do ta ndihmojë dhe besën e mbajta”, ka thënë ish-udhëheqësi britanik Tony Blair.

Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që komunizmi i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të kombit shqiptar. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të kombit shqiptar siç janë Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të vërtetë. Ishin këto parime dhe kultura e tij njerëzore plot urtësi e modesti, të gërshetuara nga vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj. Në 70-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vizitës së tij të parë në Shtetet e Bahkuara të Amerikës, Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova duhet të kujtohet për rolin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kontributin e tij për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Ai duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës që besonte, se, mbi të gjitha, dashuria për kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal…”