Frank Shkreli: Protestat si industri, por edhe më keq

663
Anë e mbanë trojeve shqiptare vetëm protesta dhe demonstrata, ndërsa populli shqiptar i mërzitur e plot me halle nuk sheh rrugëdalje, tjetër tani për tani, veç i dëshpëruar të marrë rrugët e kurbetit për një grimë paqe e për një copë bukë. Kjo situatë e krijuar është sa e mjerueshme aq edhe e vajtueshme! Është një situatë, që ende pas një çerek shekulli të shembjes së komunizmit dhe tetë vjet pavarësi të Kosovës, shqiptarët nuk po gjejnë paqe as marrëveshje me njëri – tjetrin, askund nëpër trojet e veta, as në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni dhe as në Mal të Zi. Në Shqipëri opozita ka paralajmëruar, “betejë dhe bojkot” dhe në Kosovë u njoftua se protestat do të zhvillohen, “natë e ditë”. Është interesant fakti se kërkesat janë të njëjtat: rrëzimi i qeverisë. E drejta e protestës dhe demonstratës është një drejtë e shenjtë në çdo vend demokratik dhe si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë ata që besojnë në liri dhe demokraci. Ashtu duhet të jetë edhe në trojet shqiptare. Por këto nuk janë demonstrata ose protesta nga grupe të ndryshme qytetarësh për t’i bërë presion qeverisë dhe politikës në përgjithësi e të cilët mund të kenë ankesa legjitime ndaj zhvillimit të politikave dhe jetës në përgjithësi, për të cilat është detyra e qeverisë dhe e opozitës për të bashkëpunuar së bashku për zgjidhjen e tyre. Këto janë demonstrata dhe protesta të organizuara nga parti politike dhe politikanë kundër njëri –tjetrit, të cilat në sytë e popullit shikohen si përpjekje, jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por si një luftë për të siguruar karrige të përjetshme në pushtet. Në vend që politikanët e zgjedhur nga populli të ulen së bashku në tavolinë ose në parlament për të biseduar dhe për të zgjidhur problemet, me të cilat përballet sot kombi shqiptar, ata me papërgjegjësi marrin rrogat e tyre të majme – në krahasim me taksa-paguesit e rregullt – duke protestuar rrugëve. Protestat dhe demonstratat e organizuara nga politika anë e mbanë trojeve shqiptare, si qëllim për të rrëzuar njëri – tjetrin nga pushteti, janë kthyer në të vetmen industri që fatkeqësisht po përparon sot në Shqipëri dhe në Kosovë. Por kjo nuk është si gjithë industritë e tjera, pasi nga kjo “industri” nuk përfiton askush. Mos harroni se si shkon Shqipëria, ashtu shkon edhe Kosova. Disa mund të thonë se dy situatat nuk janë të ngjashme për nga përmbajtja e kërkesave të protestuesve, por ato janë të njëjta për nga qëllimi – me qëllim ose pa qëllim, krijimi i kaosit në shoqërinë shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pasojat e të cilit nuk dihen. Kërkesat mund të jenë legjitime, por duhet të ketë forume dhe rrugë të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të ndryshimeve në pikëpamje. Në qoftë se nuk ka paqe, bashkëpunim dhe marrëveshje politike në Tiranë, ashtu do të ndodhë edhe në Prishtinë. Për këtë, fajin e ka gjithë kjo klasë politike e sotme dhe e djeshme, gjithandej dhe për këtë votuesi shqiptar duhet të mbaj këta përgjegjës. 
Kush përfiton nga kjo gjendje e krijuar, duhet ta pyesin veten politikanët shqiptarë!? Nuk është e nevojshme që të lodhni trurin, se kush përfiton nga zgjatja e kësaj sage historike. Nga pikëpamja historike, patriotët e vërtetë dhe ata që ia duan të mirën kombit të vet, duhet ta dinë se kush përfiton nga ujërat e turbullta në Ballkan, nga përçarjet dhe nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme ndër-shqiptare, si rrjedhim i gjendjes së krijuar. Kujdes trojet shqiptare, kujdes Ballkanin! A është koincidencë kjo që protestat dhe bojkotet kanë ndezur flakë Tiranën dhe Prishtinën, gjatë të njëjtës periudhë?! Është kjo një situatë që pikësëpari pasqyron dështimin e qeverive qendrore dhe vendore për të mirë-qeverisur dhe të kësaj klase politike në përgjithësi për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin për gjetjen e zgjidhjeve më të mira ndaj sfidave politike dhe ekonomike përballë të cilave gjenden sot shqiptarët. Është njëkohësisht edhe një mos aftësi e grupeve opozitare për të ofruar zgjidhje të zbatueshme të problemeve në fusha të ndryshme të jetesës, qofshin ato në nivel kombëtar ose ndërkombëtar. Ekziston një mungesë idesh e propozimesh dhe një boshllëk vlerash qytetare për të mos thënë burrnore dhe kombëtare për të dal nga ky qorrsokak politik ku e kanë katandisur kombin shqiptar. Në vend të dialogut dhe ideve të reja për zgjidhje serioze të problemeve, ofrohen protesta, demonstrata dhe bojkote, ndërkohë që as pozita nuk angazhon si duhet opozitën për ta bërë atë ortake dhe pjesëmarrëse të mirëfilltë në vendimet për fatin e kombit. Kjo gjendje e sotme politike plot rrëmujë, pasqyron gjithashtu edhe një dështim të palejueshëm nga ana e votuesit shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Zgjedhësit shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre për t’i mbajtur përgjegjës partitë dhe përfaqësuesit e tyre politikë në qeveri dhe në parlament, të cilët ata vet i kanë votuar, duke u besuar atyre se – mbi të gjitha – gjatë mandatit të tyre ata do të kenë parasysh përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe që njëkohësisht do të mbrojnë dhe do të punojnë për mirëqenien e tyre në mbështetje të interesave të përbashkëta të vendit.
 Në qoftë se sot duhet të ketë protesta dhe demonstrata, ato duhet të organizohen dhe të bëhen nga vet votuesit dhe qytetaria shqiptare kundër politikave të pozitës dhe opozitës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Qytetari i thjeshtë ka më shumë arsye të dalë në rrugë për të protestuar situatën në të cilën gjendet ai sot, se sa kanë politikanët. Votuesi shqiptar duhet të theksojë hallet e veta dhe mos-zbatimin e premtimeve të politikanëve dhe partive që ata përfaqësojnë për zgjidhjen e tyre. Zgjedhësit shqiptarë – të punë e të pa punë kanë më shumë arsye të dalin në rrugë, se sa politikanët, të cilët megjithëse nuk janë duke kryer detyrën dhe përgjegjësitë e veta të përcaktuara nga Kushtetuta dhe në bazë të cilave janë zgjedhur, atyre rroga gjithnjë u vazhdon. Por mbi të gjitha, qytetaria duhet të protestojë mos aftësitë, dështimin dhe mos vullnetin e kësaj klase politike për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin për zgjidhjen e problemeve të përditshme, me të cilat përballet aktualisht shqiptari, sidomos me sfidat ekonomike dhe politike të dy vendeve. Por, votuesit shqiptarë të të gjitha pikëpamjeve politike duhet të shfaqin njëherë e mirë mos aprovimin e tyre ndaj dështimit fatal të kësaj klase politike dhe të partive në pushtet dhe në opozitë, për të bashkërenduar politikat afatshkurta dhe afatgjata, në mbështetje të realizimit të interesave madhore të kombit. Të kërkojnë që në vend të demonstratave dhe protestave të pa mbarim, klasa politika e sotme anë e mbanë trojeve shqiptare, të përcaktojë se cilat janë objektivat afatgjata dhe afatshkurta të interesit kombëtar dhe për përmirësimin e jetës së përditshme të shqiptarëve. Kjo është detyrë dhe e drejtë e çdo qytetari e një vendi të lirë, që të kërkojë nga politika përcaktimin e prioriteteve të vendit, si dhe zbatimin e tyre bazuar në mendimin e shumicës. Është e natyrshme dhe krejt normale pastaj që grupet dhe partitë politike të kenë qëndrime dhe pikëpamje të ndryshme, madje edhe të kundërta, për realizimin e tyre, ashtu siç ndodh midis partive dhe politikanëve të ndryshëm në botën e përparuar demokratike. Përballë kësaj situate të krijuar në trevat shqiptare, edhe miqtë e kombit shqiptar kanë paralajmëruar, se po të vazhdojnë protestat, bojkotet dhe demonstratat, ashtu siç është njoftuar të martën në Tiranë dhe në Prishtinë – ngërçi aktual politik po i çon shqiptarët në një qorrsokak me pasoja të paparashikueshme. Ka ardhur koha që të gjitha këto energji shkatërruese të përdoren më në fund për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin e kombit shqiptar
Sigal