Frank SHKRELI/ Gjendja në Lindjen e Mesme, absolutisht jashtë kontrollit!

600
Kështu e cilësoi gjëndjen e krijuar kohët e fundit në Lindjen e Mesme, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, James Jeffrey gjatë një interviste me rrjetin e televizionit amerikan, “Fox”. Z. Jeffrey ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Tiranë nga viti 2002-2004 dhe konsiderohet si njëri prej diplomatëve më të respektuar të Shteteve të Bashkuara. Përveç Tiranës, ai ka punuar në poste të rëndësishme të diplomacisë amerikane siç është Turqia dhe në Irak ka shërbyer si ambasador i administratës së Presidentit Obama. Në Washington Ambasadori Jeffrey ka patur detyra me rëndësi në fushën e sigurimit kombëtar dhe të Politikës së Jashtme në administratën e Presidentit George W. Bush. Tani ai punon si ekspert i Lindjes së Mesme pranë Institutit “Washington”, ku e përqëndron veprimtarinë e tij mbi strategjitë amerikane për të kundërshtuar përpjekjet e Iranit për të zgjëruar influencën e tij anë e mbanë Lindjes së Mesme.
Ndërkohë që Lindja e Mesme është zhytur në konfliktet e armatosura dhe në luftë grupesh terroriste, administrata e Presidentit Obama po bën përpjekje të minutave të fundit për të stabilizuar sadopak situatën e krijuar në këtë zonë të kaplluar nga konfliktet dhe armiqësitë, ndërsa në të njëjtën kohë në Gjenevë, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry po përpiqet, me kolegët e tij europianë, të arrijë një marrëveshje me Iranin mbi armët bërthamore. Zyrtarë të administratës së Presidentit Obama po përpiqen të mbrojnë politikën e tyre ndaj Lindjes së Mesme, ndërkohë që gjendja po keqësohet në mënyrë dramatike në një rajon të botës që shumë veta e konsiderojnë si të pamundshëm për t’u kontrolluar. Ndërsa kritikët e administratës Obama thonë se politika amerikane, ose më mirë të thuhet mungesa e angazhimit të saj ushtarak dhe diplomatik atje, mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj anarkie që po përhapet anë e mbanë rajonit.
Situata aktuale në Lindjen e Mesme, konsiderohet nga shumë ekspertë si më e keqja që mund të mbahet mend, veçanërisht kur të merret parasysh edhe keqësimi, kohët e fundit, i marrëdhënieve amerikano-izraelite, që tradicionalisht kanë vazhduar të jenë gjithmonë miqësore. Lindja e Mesme, madje edhe në rrethana normale, është një rajon që historikisht konsiderohet shumë i vështirë për t’i kontrolluar ngjarjet atje. Por situata e tanishme përfshirë luftën civile në Siri, përhapja e forcave terroriste të grupit ISIS anë e mbanë rajonit, kriza në Irak, lufta në Jemen dhe sulmet e fundit ushtarake kundër forcave Houthis në atë vend nga Arabia Saudite dhe nga koalicioni i shteteve arabe, përfshirë Egjiptin, e kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën atje, duke e sjellë në pikën më kritike në 30 vitet e fundit. Situata në Jemen është aq keq sa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbyllur ambasadën e tyre dhe kanë tërhequr të gjithë personelin diplomatik dhe ushtarak nga ai vend. Gjendja është aq keq në rajonin e Lindjes së Mesme saqë ka arritur pikën që ish-ambasadori James Jeffrey, njëri prej zërave më të respektuar të diplomacisë amerikane, deklaroi për televizionin amerikan “Fox” dhe u shpreh për portalin “Politico” më herët se, “Gjendja në Lindjen e Mesme është absolutisht jashtë kontrollit, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe për botën”. Duke folur për menaxhimin e situatave të krijuara në të kaluarën në Lindjen e Mesme, Ambasadori Jeffrey pranoi se, “Ne nuk kemi qenë gjithmonë të suksesshëm në atë të rajon, i cili ç’rej vitit 1974 ka kaluar gjithmonë nga një krizë në tjetrën. Por ajo që është e re tani”, shtoi ai sidomos, “nga dalja në shesh e Al Kaidës, situata është keqësuar për së tepërmi. Dhe mjetet dhe politika që ne kemi përdorur për të ndaluar dhunën dhe për të parandaluar prishjen e stabilitetit politik dhe shoqëror të shteteve të rajonit nga një ose më shumë lëvizje islamike – siç janë iranianët, ISIS ose al Kaida – nuk kanë qenë të suksesshme”, pohoi ambasadori Jeffrey. Tani, shtoi ai, gjendemi para një krize të madhe në Lindjen e Mesme. Në programin televiziv “Fox” të analistes Greta Van Susteren, ambasadori Jeffrey tha se pas sulmeve terroriste në New York më 2001, kemi provuar ndërhyrje të rëndësishme të cilat, sipas tij, kanë shënuar disa suksese. Ai shtoi se publiku amerikan nuk ishte në favor të një angazhimi të madh të forcave të armatosura amerikane në atë rajon dhe si përfundim pritej që Presidenti Obama ta ndreqte këtë situatë. Por, Ambasadori Jeffrey shtoi se si rrjedhim, sot Amerika nuk e ka angazhimin ushtarak që kishte para një dekade në atë zonë dhe situata në atë rajon, sipas tij, është keqësuar shumë më shpejt, në krahasim me periudhën e administratës së Presidentit Bush. 
Në atë që u cilësua nga disa komentues si një kritikë të politikës që Presidenti Obama po ndjek ndaj Iranit, Ambasadori Jeffrey tha se Presidenti Obama duhet t’i shpjegojë publikut amerikan qëllimet e politikës së tij karshi Iranit, pasi sot për sot, shtoi ish-diplomati amerikan James Jeffrey, “Provat tregojnë se duke filluar nga Jemeni, në Tikrit të Irakut e deri në Siri, Irani është në lëvizje drejt realizimit të objektivave të tij të caktuara, duke sfiduar miqtë dhe aleatët tanë anë e mbanë atij rajoni dhe është politika e Iranit, problemi që ka krijuar këtë situatë kaosi në rajon”. 
Ndërkaq, udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, John Boehner, po viziton këtë javë Lindjen e Mesme, ndërkohë që udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConell gjendet gjithashtu në rajon. Udhëheqësi i republikanëve John Boehner u deklarua për rrjetin “CNN” të televizionit amerikan në lidhje me bisedimet që zhvillohen në Gjenevë me Iranin duke thënë se “Nuk e kuptoj se pse duhet të nënshkrujamë një marrëveshje me një grup njerëzish, të cilët në mendimin tim nuk e kanë ndër mend të mbajnë fjalën e dhënë”. Ai i tha televizionit “CNN” se ka dyshme serioze në lidhje me ato negociata dhe në një deklaratë tjetër në portalin e tij, kongresmeni Boehner akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po “luan një lojë të rrezikshme alternativash fals”. Udhëheqësi republikan, në intervistën me televizionin “CNN” vuri në dukje shqetësimet e përfaqësuesve të dy partive politike në Kongresin Amerikan ndaj politikës së administratës Obama në Lindjen e Mesme, duke thënë se, “Unë kam vetëm një objektiv. Qëllimi është që të sigurojmë se populli amerikan dhe Kongresi e kuptojnë kërcënimin serioz që përbën Irani jo vetëm ndaj Lindjes së Mesme, por edhe ndaj pjesës tjetër të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara”. Udhëheqësi i republikanëve në Kongres, John Boehner shtoi se Presidenti Obama nuk dëshiron të flasë për këtë, “as për kërcënimin që vjen nga islami radikal dhe për faktin se ai nuk ka një strategji për të përballur këtë kërcënim”. Shtëpia e Bardhë iu përgjigj kritikave të kongresmenit Boehner, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Josh Earnest, i cili tha të dielën që kaloi në rrjetin e televizionit amerikan “ABC” se, “Nëqoftëse John Boehner mendon se trupat amerikane duhet të dërgohen në Jemen, ose ne duhet të okupojmë rishtas Irakun, ose që Shtetet e Bashkuara duhet të bombardojnë Iranin për ta ndaluar atë të prodhojë armë bërthamore, atëherë ai duhet të ketë kurajon e bindjeve të tij dhe të thotë një gjë të tillë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. 
Duke ndërlikuar punët edhe më shumë sikur të mos ishin mjaft të komplikuara në Lindjen e Mesme, media të ndryshme citojnë Presidentin e Turqisë Taip Erdogan të ketë akuzuar Iranin javën e kaluar se Teherani po përpiqet të dominojë Lindjen e Mesme dhe se një gjë e tillë po shqetëson dhe po zemëron Ankaranë. “Kjo situatë nuk është e tolerueshme dhe Irani duhet ta dijë se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet”, ka thënë presidenti turk.
Nga cilido këndvështrim të shikohet gjendja e sotme në Lindjen e Mesme dhe pa marrë parasysh se e kujt është përgjegjësia që me veprat ose me mungesën e veprave kanë kontribuar në krijimin e situatës aktuale, ish-ambasadori në Republikën e Shqipërisë dhe njëri prej diplomatëve më të respektuar amerikanë, James Jeffrey me të drejtë alarmoi këtë javë median dhe publikun amerikan se gjendja në Lindjen e Mesme është absolutisht jashtë kontrollit dhe se bota gjendet tashti para një krize të madhe në atë rajon!
Sigal