Alqi NAQELLARI/ A duhen rishikuar tekstet e universiteteve?

822
Sigal

 

Ka ardhur koha që tekstet e universiteteve të rishikohen dhe për përmirësohen në përputhje me kushtet ekonomike të krijuara, brenda dhe jashtë vendit. Nëse shikojmë teoritë bazë të disa drejtimeve të ndryshme, ato janë hartuar para 100-150 vitesh dhe qëndrojnë edhe sot. Nëse ka lëndë si Marketingu, Informatika etj., që kanë ecur përpara, ka lëndë të tjera që kanë mbetur në kohën e krijimit të tyre. Gjykoj se Makroekonomia është një nga lëndët që ka mbetur më mbrapa në këtë drejtim. Kjo lëndë është shumë e rëndësishme, sepse është e lidhur me Politikat Ekonomike, fiskale, monetare, politikat doganore, politikat tregtare, politikën e të ardhurave, politikën valutore etj., etj. Është e lidhur me dhënien e rekomandimeve për qeveritë dhe subjektet e tjera ekonomike që janë të lidhur me realizimin e treguesve kryesorë makroekonomikë, me papunësinë me PBB-në, me inflacionin, me borxhin publik, me deficitin tregtar etj. Sot në botë ka recesion, papunësi, depresion, luftëra tregtare, zhvillime të pabarabarta ekonomike, zhvendosje popullate, zhvendosje të faktorëve ekonomikë, etj. Të gjitha këto fenomene objektive dhe subjektive kanë nevojë për mbështetje dhe analiza teorike në mënyrë që t’u paraprihet kufizimit, dhe zvogëlimit të efekteve negative të tyre, t’i paraprihet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të rritjes ekonomike etj.

Fenomenet ekonomike të krijuara pas viteve 2000 që vijojnë edhe sot me recesion e depresion ekonomike, kanë pasuruar më tej teorinë ekonomike. Veprimet e FED-it, veprimet e qeverisë amerikane në recesionin e 2008 apo të qeverive evropiane që shënuan norma interesi negative në sistemin bankar, të paparashikuara edhe teorikisht kanë frenuar rënien dhe stanjacionin e ekonomive. Ekonomisë amerikane në Depresionin e Madh të vitit 1930 iu deshën më shumë se dhjetë vjet të dilte nga kolapsi ekonomik, në vitin 2008 nuk iu desh asnjë vit që të riniste rritjen ekonomike. Sot vazhdohet akoma të studiohet dhe të jetë në qendër të Makroekonomisë teoria Keynsiane dhe teoria Klasike, pavarësisht se ju kanë vendosur nga një ‘neo’ përpara, duke i kthyer në neoklasike apo neokeynsiane. Veprimet e ekonomistëve perëndimorë i kanë kaluar orientimet e këtyre teorive, duke u futur në një fazë të re të mendimit ekonomik ndërkombëtar. Ka ikur koha e Ekuilibrit Keynsian, ka ikur koha e multiplikatorit dhe e teorive të bazuar mbi këto modele, sot koha kërkon modele të mbështetura në realitet dhe jo thjesht teorike. Është koha e veprimit praktik.

Është koha kur një pjesë e tendencave të modeleve teorike nuk e kanë provuar vërtetësinë e tyre, për të mos thënë se kanë dështuar plotësisht. Një teori që i ka rezistuar kohës është Teoria Keynsiane e Ekuilibrit. Përgjithësisht teoritë e Keynsit për konsumin, kursimin, investimet, multiplikatorin, normën e interesit dhe papunësinë janë përmbledhur në librin e tij “Teoria e Përgjithshme e punësimit, interesit dhe parasë”. Janë teoritë më jetëgjata dhe më të diskutueshme në fushën e teorive ekonomike. Ekonomistët e sotëm kanë bërë me dhjetëra analiza. Ata kanë nxjerrë konkluzione shumë të rëndësishme për ecurinë dhe bashkëpunimin e ekonomisë botërore.

01

Një pjesë e madhe e tyre ka dalë, me argumente shkencore kundër teorisë Keynsiane, duke e quajtur atë, jo vetëm të tejkaluar, por akoma më keq, teori të gabuar. Unë këtu do përmend konkluzionet e studiuesit të ekonomisë, Profesorin izraelit Ezra Daver, i cili hedh me guxim poshtë teorinë Keynsiane.

Ky punim –thekson ai- zbuloi shtatë defektet në Teorinë e Përgjithshme të Keynesit që e bëjnë atë të parëndësishëm dhe të pa zbatueshëm për botën reale:

1) Modeli makro i Keynes është i paplotë dhe i pasaktë; dhe modeli matematikor për ekonominë individuale nuk është formuluar; dhe procesi i rregullimit (koordinimit) midis mikro dhe makro ekonomive nuk është diskutuar.

2) Sasia e investimit përcaktohet në përgjithësi duke zbritur sasinë e konsumit nga shuma e të ardhurave.

3) Funksionet e përgjithshme të kërkesës dhe ofertës së Keynes, për fat të keq, janë jo të plota, sepse ato varen vetëm nga një ndryshore, përkatësisht nga sasitë fizike të punës së dhënë; në këtë rast, mungojnë variablat e mëposhtëm: pagat; kapitali fiks dhe çmimi i tij; kapitali tokë dhe qiraja e saj; qarkullimi i kapitalit, i parave dhe çmimet e tyre.

4) Përcaktimi i kërkesës efektive është i paqartë.

5) Përcaktimi origjinal i Keynesit për llojet e papunësisë, vullnetare dhe e pavullnetshme, është shumë i paqartë dhe i papërfunduar; dhe nuk na lejon të llogaritim madhësitë e tyre kur shqyrtojmë zbatimin e tyre për një politikë punësimi.

6) Kuptimi i vërtetë i shumëzuesit të Keynesit është ai i një kërkese, e cila tregon sasinë e të ardhurave kombëtare që janë të nevojshme për realizimin e një njësie investimi.

7) Teoria e parave të Keynes është e paplotë dhe madje e pasaktë”.

Siç shihet Ezra Davar ka mbështetur një sërë ekonomistësh të tjerë që kanë të njëjtat mendime për teorinë Keynsiane. Koha vetë ka provuar se kjo teori është e pa aplikueshme. Nuk ka të paktën në Shqipëri, asnjë studim ku të jenë aplikuar konceptet Keynsiane.

Po çfarë ka të veçantë kjo teori dhe pse është e pa zbatueshme? Kjo teori ka dalë në 1936, në periudhën e Depresionit të Madh Amerikan, në kohën kur Anglia kishte një prodhim të rritur, dhe normë të lartë papunësie. Në këtë kohë, pikërisht Keynesi nxori teorinë e tij, në mbrojtje të shpenzimeve qeveritare, për të dalë nga situata depresioniste. Teoria e tij presupozonte deficitin buxhetor dhe rritjen e tij, prandaj nga shumë ekonomistë u quajt edhe “Keynsiane”. Deficitin buxhetor e shikonte si mënyrë për stimulimin e rritjes ekonomike, ishte për borxhet, për format e tjera të futjes së shpenzimeve egzogjene në ekonomi, ishte për taksa të larta progresive, ishte për tarifa doganore të diferencuara, etj. Teoria e tij justifikonte shpenzimet qeveritare, shpenzimet e luftës, shpenzimet e paparashikuara. Kur flasim për shpenzimet qeveritare, dhe teorikisht cilësohet si meritë e teorisë Keynsiane për rolin e shtetit në ekonomi, dhe kurba e ofertës Klasike merret plotësisht vertikale, kjo nuk është e vërtetë të jetë hartuar nga klasikët. Klasikët nuk kanë ndërtuar asnjë model me kurbë vertikale, përkundrazi Marshalli ka hartuar modelin D-S që kemi sot në tekstet e Mikroekonomisë. Edhe Keynsi vetë nuk ka ndërtuar ndonjë Model të shpenzimeve, atë e ndërtuan Dillardi, Hanseni, Samuelsoni etj. Keynes dinte bukur të shfrytëzonte ndonjë dobësi apo shprehje të kundërshtarëve të tij. Ai ka interpretuar sipas interesit të tij “Ligjin e Sayt” sepse në Monografinë e tij Say nuk thotë në asnjë vend se oferta krijon kërkesën, këtë e thotë vetëm Keynsi. Nuk është e vërtetë që Say është kundër shpenzimeve qeveritare, përkundrazi ai është kundër shpenzimeve të tepërta, kundër shpërdorimeve, kundër korrupsionit të qeverive. Dhe jo vetëm Say por edhe klasikët e tjerë. Smithi për shembull, nuk ka folur për “dorën e fshehtë të tregut” për ardhjen në ekuilibër të tregut midis kërkesës dhe ofertës, ashtu siç përdoret rëndom, por e ka përdorur këtë në përcaktimin e fushës së investimit, brenda apo jashtë vendit, brenda territorit apo jashtë territorit, duke parë interesin privat në raport me interesin publik. Në këtë material unë do të trajtoj disa probleme të makroekonomisë në lidhje me teorinë keynsiane.

 

02

Duhet t’i përgjigjemi pyetjes: A duhen rishikuar tekstet e Makroekonomisë në kushtet e zhvillimit të ekonomisë botërore në 100 vitet e fundit, si dhe të mendimit ekonomik që e ka shoqëruar këtë zhvillim?

            -E para, të shikohen raportet midis lëndëve. Në Administrim Biznes bëhet lënda e menaxhimit në disa drejtime. Nëse i shikojmë me kujdes këto drejtime ka shumë element që duhet të ndryshojnë ose që duhen përmirësuar. Kështu do isha i mendimit që Planifikimi dhe Organizimi i ndërmarrjeve industriale të ishte lëndë më vete, në mënyrë që studentët të mësojnë të bëjnë vetë një plan biznesi, të bëjnë një plan me disbursim të ardhurash në mënyrë që të dinë si kërkohet një kredi në bankë. Ndokush do thotë çfarë kërkon me Planifikim, Planifikim ka vetëm në sistemin socialist? Përgjigja ime do ishte Planifikim ka më shumë në ndërmarrjet kapitaliste se në socializëm. Ndryshimi midis socializmit dhe kapitalizmit në këtë pikë është se në Socializëm kishte Plan Unik Shtetëror, me parimet përkatëse, i cili centralizonte gjithçka, ndërsa ky nuk ekziston në kapitalizëm. Kështu, planifikimi i burimeve njerëzore, planifikimi në ndërmarrjet industriale i faktorëve ekonomik është i nevojshëm. Studentët nuk dinë të hartojnë një plan, nuk dinë të zbatojnë një plan. Kur them plan nuk duhet ngatërruar me menaxhimin e projekteve, sepse koncepti i projektit është më i ngushtë se një proces planifikimi. Studentët e Fakultetit Ekonomik duhet të mbarojnë të profilizuar për industrinë, ashtu sikundër studentët e Universitetit Bujqësor që i specializojnë për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e fermave bujqësore. Sot ekonomistët duhen të specializuar dhe jo thjesht sikur mbarojnë Fakultetin e Ekonomisë Politike, por të jenë ekonomistë industrie. Ata duhet të njohin edhe teknologjinë industriale. Sot duhet të bëhet Ekonomia e Transportit, Ekonomia e Industrisë nxjerrëse e Përpunuese, Ekonomia e Industrisë së Naftës, Ekonomia e Organizimit të Klubeve Sportive, të Enteve Publike, të Landfilleve, të Ekonomisë së Riciklimit etj., etj. Sot më shumë rëndësi i është kushtuar drejtimit të Turizmit. Shumë mirë bëhet por nuk është gjithçka Turizmi, ka vendin e tij të padiskutueshëm. Shqipëria ka pasuri të pamatshme nëntokësore. Nuk është normale që Maqedonia dhe Serbia të kenë ndërmarrje të mëdha të përpunimit në fushën e industrisë më shumë se Shqipëria, ndërsa Shqipëria të lavdërohet me kompanitë e tregtimit të karburanteve që japin fare pak vlerë të shtuar apo të lavdërohet me fasonet apo me koll-centrat.

-Së dyti, a është i derivuar saktë Multiplikatori Keynsian dhe a përfaqëson me të vërtetë një shumëzues, i cili tregon rritjen e të ardhurave nga rritja e nivelit të konsumit? Përgjigja jonë është se nuk e përfaqëson. Pjerrësia e kurbës së shpenzimeve përcaktohet prej kostos mesatare variabël ose kostos marxhinale. Kjo sepse kurba merret një vijë e drejtë. Nëse këtu nxjerrim një multiplikator ky do na tregojë se sa do të rriten shpenzimet variabël në një madhësi të të ardhurave të parashikuara, sepse kostoja totale fikse do mbetet e njëjtë. Në rastin e Shumëzuesit Keynsian kemi të bëjmë me një model konsumi, që nuk krijohet mall por harxhohet, eliminohet mall. Dhe ky eliminim bëhet nëpërmjet qarkullimit të parasë. Në këtë model, shumë autorë, kanë identifikuar, me diferencë madhësie, Multiplikatorin (M) me Shpejtësinë e qarkullimit të parasë (V). Kështu madhësia dhe shpejtësia e tij ndikojnë në shpejtësinë e asgjësimit të mallit dhe jo në procesin e rritjes së mallit. Këtu kemi të bëjmë jo me krijimin e vlerës së shtuar, por me eliminimin e saj nëpërmjet shpenzimeve të konsumit dhe nëpërmjet grupit të shpenzimeve për investime.

Po jap një shembull të thjeshtë.

Dy shokë kanë nga një shishe verë 1 litroshe që e shesin me 1000 lekë secilën. Dalin në Pazar për t’i shitur ato. I pari (X) i thotë shokut (Y) më jep një gotë 100 ml të jap 100 lekë, se nuk dua të konsumoj shishen time. Y mbush gotën dhe ia jep, i dyti bën të njëjtën gjë, i thotë X më jep një gotë verë të jap 100 lekë. Ky këmbim vazhdoi derisa të dy shishet e verës, që së bashku kushtonin 2000 lekë u boshatisën. Ato u boshatisën vetëm me 100 lekë vetëm nëpërmjet qarkullimit të tij. Kështu këtu kemi proces asgjësimi nëpërmjet qarkullimit dhe jo proces krijimi. Nëpërmjet qarkullimit nuk u shtuan edhe dy shishe verë të tjera.

Së treti, edhe teknikisht ajo që përfaqëson multiplikatori, në lidhje me kursimet është e gabuar. Nëse bëjmë veprimet për një multiplikator të thjeshtë konstatohet lehtë se ΔS (ndryshimi në kursime) nuk barazon ΔĀ (ndryshimin në shpenzimet agregate). Nëse do ishte e vërtetë kjo, madhësia e kursimeve do ishte në ekuilibër gjithnjë e barabartë me këto lloj shpenzimesh. Të mendosh këtë gjë është një marrëzi. Nëse S=0 atëherë edhe shpenzimi autonom do ishte zero. Shpenzim autonom zero do thotë ekonomi pa shtet. Shpenzimet autonome që rritin Prodhimin e Brendshëm sipas modelit, janë të barabarta me shpenzimet për investime për të plotësuar diferencën midis të ardhurave dhe konsumit.

-Së katërti, a është i vërtetë Modeli i Thjeshtë Keynsian i Shpenzimeve? Modeli i Thjeshtë Keynsian i Shpenzimeve është i pa saktë, sepse baza e ndërtimit të tij është Modeli Vëllim-Kosto-Përfitim ose ai që e quajmë BEP. Në këtë mënyrë Modeli i Prodhimit është aplikuar në Modelin e Konsumit. Në modelin e parë prodhohet mall dhe aty ku të Ardhurat Totale barazojnë Kostot Totale fitimi është zero. Në modelin Keynsian kjo pikë konsiderohet si pikë ekuilibri, e cila synohet, duke harruar që ky model asgjëson mall dhe nuk krijon mall. Në këtë model fillon procesi prodhimit deri sa diferenca midis tyre maksimizohet. Prodhimi ndalon pikërisht në këtë pikë, ku distance midis këtyre kurbave është më e madhe. Kjo madhësi gjendet aty ku të ardhurat marxhinale barazojnë koston marxhinale, pikërisht ku tangjentja e hequr mbi kurbën e kostove totale, në një treg të pastër konkurrencial është paralel me kurbën e të ardhurave totale.

03

Në Hyrje në Makroekonomi analizohen modelet e ekuilibrit të PBB-së, Kryqi Keynsian ose Modeli i Thjeshtë Keynsian i Shpenzimeve, derivimi i Kurbës së Kërkesës Agregate nga ky model etj. Derivohet multiplikatori i shpenzimeve prej Kryqit Keynsian etj. Efekti i multiplikatorit shihet i lidhur me shpenzimet autonome qeveritare, me investimet autonome, me konsumin autonom dhe me importet autonome. Interesante është analiza e rolit të politikave të qeverisë, si politika fiskale në rritjen e ekonomisë nëpërmjet multiplikatorit Keynsian të shpenzimeve. Në këtë mënyrë presupozohet, se rritja e shpenzimeve qeveritare do rritë nivelin e të ardhurave, njësoj si të jenë rritur investimet. Këto analiza realizohen nëpërmjet modelit të përgjithshëm të ekuilibrit të kërkesës dhe ofertës agregate, ku siç theksuam kurba e kërkesës agregate është e derivuar prej Modelit të Thjeshtë të Shpenzimeve. Në derivimin e kësaj kurbe dhe në përcaktimin e pjerrësisë së saj janë përfshirë edhe një sërë teorish të tjera, si ajo e Pigusë, Hicks-Hansenit dhe e Keynsit, për tre efektet, të bilanceve nominale-reale, të tregtisë së jashtme dhe të normave të interesit. Në këtë model një rritje e Shpenzimeve Autonome qeveritare, (pagave të punonjësve buxhetorë që nuk varet nga madhësia e të ardhurave) çon në rritjen e nivelit të çmimeve dhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto. A është e vërtetë kjo, a ka ndodhur në Shqipëri?

Kjo është e gabuar dhe ne pikërisht këtë duhet të rishkruajmë në tekstin e Makroekonomisë, dhe pikërisht këtë t’u shpjegojmë studentëve. Është e pa vërtetë për shembull të pretendohet se një ekonomi mund të rritet vetëm prej investimeve të huaja, borxheve, 3P-ve, koncesioneve etj., dhe shpenzimeve si këto. Ose këto elemente të zëvendësojnë diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve të konsumit. Në Shqipëri duhet analizuar raporti depozita – kredi, i cili është 100/47. Duhet analizuar, pse nuk ka kërkesa për kredi dhe jo të shikohet mundësia e zhvillimit në elementet rastësorë-natyrorë. I njëjti fenomen ndodh edhe në Makroekonominë e Ndërmjetme. Duke shfrytëzuar Modelin e Thjeshtë Keynsian të Shpenzimeve, duke përfshirë politikën monetare (i) në funksionin e shpenzimeve derivohet kurba IS e modelit të ekuilibrit të përgjithshëm IS-LM. Ky model së bashku me modelin AD-AS (të kërkesës dhe ofertës agregate) janë dy nga modelet makroekonomike më të rëndësishme të analizës së çdo ekonomie. Pikërisht në modelin IS-LM, të derivuar prej Dornbuch-Ficher-Startz aplikohen forma të ndryshme të politikave monetare dhe fiskale. Edhe ky model duhet rishikuar dhe duhet të merren në konsideratë modeli Hicks-Hansen dhe Modeli Mundell-Fleming. Edhe këto modele duhet të shikohen me frymë kritike, sepse nuk ekziston ekuilibri aty ku barazohen investimet me kursimet. Pohimi i kësaj të vërtete rrëzon të dy këto teori. Të gjitha këto modele që theksuam më lart nuk kanë gjetur aplikim në asnjë artikull shkencor të shkruar për ekonominë shqiptare ose për ekonomi të vendeve të tjera. Ato kanë mbetur përgjithësisht në kuadrin e teorisë. Më tekstin e Makroekonomisë së Avancuar jepen modelet e rritjes ekonomike. Edhe këtu metodat matematike nuk duhen aplikuar në mënyrë shabllone por në mënyrë krijuese, sepse L (puna ) nuk mund të zëvendësohet në çdo sektor prodhimi, nuk mund të zëvendësohet L e qeverisë me L e investimeve. Zëvendësimi tyre ja jep rezultate plotësisht të gabuara. Ndryshime dhe përmirësime duhen bërë edhe në lëndët që kanë të bëjnë me Makroekonominë dhe me Mikroekonominë që përdorin modele të tilla ekuilibri.