Frank SHKRELI/ Fjalët e Nënë Terezës tingëllojnë gjithnjë aktuale

648
Sigal

  (Në kujtim të 103-vjetorit të lindjes)

 Anë e mbanë botës, përfshirë edhe në kryeqendrën e urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta, u festua me lutje të posaçme 103-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, në përkujtim të mësimeve dhe trashëgimisë së saj dhe njëkohësisht për të kërkuar bekimet e saj.

 Age Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar, e njohur anë e mbanë botës për punën e saj të palodhur në shërbim të varfërve, të sëmurëve dhe atyre në prag të vdekjes, lindi në Shkupin shqiptar 103 vjet më parë, më 26 gusht, 1910.   Me  shembullin e veprës së saj dhe të dashurisë personale për të afërmin sa ishte gjallë,  megjithëse ka ndërruar jetë 16 vjet më parë, ajo, nëpërmjet  veprimtarisë të motrave të  Kuvendit të saj në më shumë se 120-vende të botës, vazhdon misionin e saj edhe sot duke  u ngjallë shpresat të pashpresëve.  Ajo  gjithnjë vazhdon të frymëzojë botën, ashtu që besimin në diçka më të madhe se ne, ta përdorim për punë të mira dhe për një dashuri më të madhe për njëri- tjetrin.  Vepra dhe fjalët e saj vazhdojnë të tingëllojnë gjithnjë si udhëzim dashurie për të gjithë njerëzit, si për katolikët ashtu edhe për jo katolikët, pa marrë parasysh besimet ose dallimet e tjera anë e mbanë botës. Bija e kombit shqiptar, edhe në këtë 103- vjetor të lindjes së saj vazhdon të konsiderohet nga bota si një shembull altruizmi, bazuar në punën e saj dedikuar më të varfërve të botës.  Ajo ishte shembull i dashurisë së njeriut për njeriun, në veprim!  Për këto kontribute ndaj botës, Nënë Tereza kishte marrë disa çmime prestigjioze, përfshirë edhe Çmimin “Nobel për Paqe” për punën dhe veprimtarinë e urdhrit të saj për shërbimet humanitare ndaj shoqërisë dhe njerëzimit.

 Ky mesazh i Nënë Terezës, dashuria për njërin- tjetrin, është sot më i nevojshëm se kurrë – në çdo nivel të jetës së njeriut -ndërkohë që bota po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe politike si dhe me ndasi, kryengritje shoqërore dhe ndasi fetare.  Në këtë pasiguri botërore, njerëzit kanë nevojë për diçka më tepër, për diçka më me vlerë, për diçka me një substancë më të theksuar shpirtërore, për një objektiv e qëllim më të lartë për ta bërë ekzistencën tonë në këtë tokë më të lehtë dhe më të lumtur.  Nënë Tereza me trashëgiminë saj dhe me fjalët e saj të pasqyruara dhe të dokumentuara në qindra libra e artikuj e intervista, na mëson të duam njëri- tjetrin, me qëllim jo vetëm të mbijetojmë, por edhe si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, të kontribuojmë në këtë botë, që sado pak të ndihmojmë në përmirësimin e jetës për të gjithë, e sidomos për ata që janë të “varfrit e më të varfërve”, sipas sajë, gjithmonë me dashuri  për të gjithë dhe nëpërmjet dashurisë për njëri tjetrin, si krijesa me të drejta dhe obligime të barabarta para Perëndisë.

 Ndërkohë që bota, për arsye ideologjike, materiale dhe ndasive të ndryshme,  përballet me terrin e shpirtit dhe me mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë qëndron para botës si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku ai jeton.

 Kjo shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për vepra të mëdha.  Vetë Nënë Tereza nuk besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për këtë arsye, trashëgimia e kësaj murgeshe katolike me origjinë shqiptare mbetet edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë.

Nënë Tereza e shihte misionin e vet në këtë botë si një thirrje për të ndihmuar më të varfrit dhe për të dashur më të afërmin, si një domosdoshmëri, kjo, e nevojshme për paqe jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri dhe në botë.   Për veprimtarinë e saj në këtë fushë, në vitin 1979, ajo mori çmimin “Nobel për Paqe”, “Për punën e saj në përpjekjet për të mposhtur varfërinë, vuajtjet dhe mjerimin, të cilat gjithashtu, përbëjnë një kërcënim ndaj paqes në botë”.

Për një kohë të gjatë, Nënë Tereza kryente misionin e saj në vetmi dhe larg interesimit dhe vëmendjes së medias botërore.  Por më 1967-n, gazetari i njohur i BBC-së Malcolm Muggeridge, mori në intervistë Nënë Terezën, për të cilën deri atëherë, bota nuk kishte dëgjuar shumë.  Pas kësaj interviste, media ndërkombëtare, sidomos ajo perëndimore filloi t’i kushtonte vëmendjen personit dhe punës së Nënë Terezës.  Mediat amerikane e trajtuan atë si një “super-star”.  Ndër të tjera, në atë kohë, gazeta “Nju Jork Tajms” e deklaroi atë në faqen e parë, si “Një shenjtëreshë të gjallë”, dhe revista “Tajms” e cilësoi Nënë Terezën si “lajmëtaren e dashurisë dhe të lumturisë” në botë.   Fillimisht, e gjithë kjo famë nuk i pëlqente Nënë Terezës, por me kohë ajo mësoi ta përdorte mjeshtërisht interesimin e medias për punën e saj, për të përqendruar vëmendjen ndërkombëtare mbi gjendjen e mjerueshme të të varfërve të kësaj bote dhe si një mjet për realizimin e misionit të saj për të ndihmuar më të varfrit dhe të mjeruarit anë e mbanë botës.  Nëpërmjet medias, ajo mundi të tërhiqte vëmendjen e personaliteteve më të njohura botërore politike, kulturore e të tjera, si edhe të qeverive dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën e  Kombeve të Bashkuara, para të cilës ajo ishte ftuar të fliste disa herë.

Duke e parë rëndësinë që kishte media si dhe rolin pozitiv që ajo mund të luajë në një shoqëri, Nënë Tereza, me një rast  është shprehur kështu duke iu drejtuar përfaqësuesve të medias: “Shkruani të vërtetën……Mos shkruani vetëm me qëllim për të bërë bujë ose për të provokuar reagime.  Njerëzit do të bëhen produkt i asaj që lexojnë.  Dikush ka thënë se: “Më thuaj se çka lexon dhe të tregoj se kush je.  Ata të cilëve Perëndia u ka falë fuqinë, aftësinë dhe talentin, duhet t’i përdorin ato vetëm e vetëm për të adhuruar Atë, dhe për të mirën e të tjerëve”. Media ndërkombëtare në përgjithësi e ka trajtuar Nënë Terezën dhe punën e saj me respektin që ajo meriton.  Nuk jam i sigurt nëse kjo mund të thuhet edhe për median shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi.  Në një kryeartikull të ditëve të fundit, me titull, “Dy skaje të Krishterimit që nisën nga trojet tona”, Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria” shkruan mbi Kostandinin e Madh dhe mbi Nënë Terezën, si“figura globale dhe historike” të kombit tonë.  Ruben Avxhiu,  shkruan ndër të tjera se, “Nënë Tereza u bë një nga simbolet e epokës sonë për shkak të shembullit të saj të shërbimit humanitar e vetëmohues në një periudhë të shpërthimit materialist….murgesha me prindër shqiptarë ndikoi personalisht te udhëheqësit më të njohur botërorë të kohës”.  Ruben Avxhiu thotë se të dy këto figura historike të kombit tonë lakmohen nga fqinjët tanë në Ballkan “për arsyen e imazhit publik dhe të rëndësisë së simbolit historik” dhe me të drejtë shpreh habi, si edhe shumë vërejtës të tjerë kohët e fundit, se si  “disa myslimanë shqiptarë, sidomos të moshës së re, kanë filluar gjithashtu, t’i quajnë këto figura si “sllave”, dhe shpreh keqardhjen  e tij për “urrejtjen ndaj Nënë Terezës”, duke përfunduar se, “në fund të fundit, ajo për çfarë ka pasur më shumë nevojë kjo tokë e ky komb ka qenë dhe mbetet gjithmonë një dimension i plotë tolerance e lirie.”  Nënë Tereza do ishte dakord!

 Në një njoftim për median, Kuvendi i Nënë Terezës tha se 103 vjet më parë, “Zoti i fali botës Nënë Terezën, që bota ta dijë se është e dashur për Të dhe se të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë, vëllezër e motra me njëri -tjetrin… Në botën e sotme, Nënë Tereza, ashtu siç bëri edhe gjatë jetës së saj, na mëson që të duam njëri -tjetrin, pa dallim feje, besimi ose ideologjie”.  Mesazh ky, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe për të gjithë epokat.