Frank SHKRELI/ Drejt fitores me Ken Biberaj!

440
Sigal

Po afrohet 10 Shtatori, 2013.  Kjo është dita e zgjedhjeve paraprake në qytetin e New York-ut, ku shqiptaro-amerikani Ken Biberaj përballet me 6 kandidatë të tjerë të Partisë Demokrate në New York për të siguruar zgjedhjen nga votuesit e kësaj partie kandidat për  anëtar të Këshillit të qytetit të New York-ut.   Ken Biberaj është tani i njohur mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe më gjerë, por edhe nga banorët e Lagjes së Epërme Perëndimore të qytetit të madh të New York-ut, falë një fushate të organizuar shumë mirë, pothuaj me një përpikmëri të përsosur, megjithëse, kjo është hera e parë që Ken Biberaj zhvillon një fushatë për një kandidaturë politike.  Por megjithë këtë, Ken Biberaj nuk është fillestar as i panjohur i procesit elektoral të Amerikës, pasi ai ka shërbyer  si Drejtor politik  në fushatën për President të Senatorit Xhon Kerri, tani Sekretar Amerikan i Shtetit, në vitin 2004 dhe ka punuar për Fondacionin e presidentit Klinton. Ai ka studiuar në Universitetin Amerikan në Uashington, në Universitetin Harvard dhe në Universitetin e New York-ut.   Keni, në një moshë të re, ka arritur të ketë një  përvojë të pashoqe politike, akademike dhe të një biznesmeni me përvojë, që e kualifikon atë të bëhet një anëtar i suksesshëm  i Këshillit të qytetit të New York-ut.  Për një vit e gjysmë, Ken Biberaj ka zhvilluar një fushatë fillestare mbresëlënëse, në përpjekje për të bindur banorët e zonës bashkiake numër 6 të Zonës së Epërme Perëndimore të Manhatanit, se ai është kandidati më i përshtatshëm, më energjik dhe njëherazi kandidati më i mirë që ofron zgjidhje reale për problemet e zonës ku ai jeton. Si banor i asaj zone, ai ka theksuar gjatë fushatës se është njohës i mirë i problemeve me të cilat përballen familjet e asaj zone e cila, sipas tij, po ndryshon me një tempo të shpejtë.  Gjatë fushatës së gjatë, ai u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të vet që  të votojnë kandidaturën e tij në mbështetje të familjeve dhe tregtive të vogla.

Keni i dha një energji të re fushatës për Këshillin e qytetit të New York-ut.  Gjatë takimeve para zgjedhore me banorët e kësaj lagje, kandidati Ken Biberaj ka theksuar, ndër të tjera, tre arsyet e tija kryesore se pse ai dëshiron të zgjidhet anëtar i Këshillit të New York-ut: për të përkrahur cilësinë e jetesës për të gjithë në Lagjen e Epërme të Manhatanit, për të  bërë të mundur investime të reja për zhvillimin e komunitetit në të ardhmen dhe për të mbështetur vlerat e zonës, të cilën ai dëshiron ta përfaqësojë në Këshillin e qytetit të New York-ut prej pothuaj 10 milionë banorësh.  Bazuar në  përvojën e tij politike, akademike dhe tregtare, Ken Biberaj  është kandidati më i mirë dhe më entuziast që, ashtu siç bëri gjatë fushatës,  do të sjellë energji, ide dhe perspektiva  të reja në udhëheqjen e këtij metropoli botëror.

Gjatë fushatës së tij, Keni ka mundur të bindë shumë personalitete të Partisë Demokrate dhe organizata të ndryshme që veprojnë në këtë zonë të Manhatanit, se ai është kandidati më i mirë ndër gjashtë kandidatët, që duhet të mbështetet duke hedhur votën e tyre dhe të anëtarëve të organizatave të tyre për Ken Biberaj, javën që vjen, me 10 shtator.  Ndër përkrahësit entuziastë të kandidaturës së Ken Biberajt janë, ndër të tjerë, ish-goverantori i shtetit të New York-ut, Dejvid Paterson dhe shoqata me influencë  e Policëve të New York-ut.  Duke njoftuar mbështetjen e tij për Ken Biberaj,  Ish-Governatori Paterson deklaroi: “Unë jam duke përkrahur mikun tim të ngushtë Ken Biberaj sepse ai beson në një rrugë më të mirë për të ardhmen e familjes së tij, për miqtë  dhe për fqinjët e tij, por edhe sepse ai përfaqëson një zë të ri dhe të freskët, i gatshëm për t’u angazhuar në procesin politik amerikan.” Ish -Guvernatori Paterson theksoi gjithashtu se, “gjatë bisedimeve të gjata që ka pasur me Ken Biberaj, në lidhje me problemet që prekin zonën bashkiake numër 6, Keni ka shprehur një qëndrim pragmatik dhe realist në lidhje me ekonominë tonë dhe mbi periudhën në të cilën jetojmë, një qëndrim ky, që është unik dhe i rrallë.”Guvernatori Paterson e cilësoi kandidatin Biberaj si një mendimtar me besim në të ardhmen, me një vizion të jashtëzakonshëm për të ardhmen e komunitetit ku jeton si dhe për cilësinë e jetesës së banorëve të lagjes”.

Ndërsa  kryetari i Shoqatës së Policëve, Patrik Linç u prononcua në mbështetje të Ken Biberaj, duke thënë se, “Jam shumë i impresionuar nga angazhimi i Kenit ndaj çështjeve të rëndësishme për policët tanë si dhe për zotimin e tij për të ruajtur sigurinë e qytetit…..Keni ka energjinë, vizionin dhe gjykimin për të çuar përpara qytetin e New York-ut dhe kjo është arsyeja që organizata jonë po e mbështetë atë për anëtar të Këshillit të qytetit”.

 Edhe Liga e Votuesve të Nju Jorkut për Ruajtjen e Ambientit, ka njoftuar mbështetjen e Ken Biberaj për anëtar Këshillit të Nju Jorkut.  Presidentja e kësaj Lige, Marsha Bystryn tha me këtë rast se: “Ken Biberaj i njeh mirë çështjet dhe problemet me të cilat përballet Zona numër 6,dhe i mbarë qyteti i Nju Jorkut dhe jemi të bindur se ai do të bëjë ç’është e mundur për përmirësimin e rrethanave të ambientit për të gjithë banorët e Nju Jorkut.  Interesimi i tij për këtë çështje, pasqyron interesat më të mira për një ambient të shëndosh në zonën e tij dhe zgjedhja e tij është një hap pozitiv përpara, për lagjën e Epërme të Manhatanit”, theksoi Marsha Bystryn.

 Ken Biberaj gjatë gjithë fushatës së gjatë ka premtuar se, me zgjedhjen e tij, ai do të sjellë në Këshillin e Nju Jorkut, udhëheqje dhe ide të reja.  Të gjithë përkrahësit e Ken Biberaj — individë dhe organizata me rëndësi shoqërore dhe politike — i kanë arsyet e veta për të votuar për ‘të në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate të martën që vjen.  Por shqiptaro-amerikanët që jetojnë në zonën bashkiake numër 6, si dhe komuniteti më i gjerë shqiptaro-amerikan, kanë arsyen më të madhe, që të gjithë të përkrahim këtë kandidaturë.  Të gjithë ata shqiptarë me të drejtë vote e që jetojnë në atë lagje duhet të shkojnë e të votojnë në favor të kandidaturës së Ken Biberajt.   Komuniteti shqiptar në Nju Jork tregoi seriozitetin dhe angazhimin e tij të vendosur politik me mbështetjen e madhe që i dhanë shqiptaro-amerikanit Mark Gjonaj, i cili u zgjodh si anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.   Kandidatura e Ken Biberaj është rasti i dytë dhe po aq i rëndësishëm sa i pari, që komuniteti javën e fundit të kësaj fushate, të angazhohej me të gjitha mundësitë për të bërë të mundur fitoren e Ken Biberaj të martën që vjen.  Kush e njeh Kenin është i vetëdijshëm se ai ka punuar aq rëndë gjatë fushatës dhe ka një dëshirë të madhe për të fituar.   Le të bëjmë të pamundurën, në ditët e fundit të kësaj fushate, vullnetarë dhe mbështetës, ashtuqë që të martën mbrëma, komuniteti shqiptaro-amerikan të mund të festojë fitoren historike të Ken Biberaj në Këshillin e qytetit të Nju Jorkut, jo vetëm si një sukses i tij personal por edhe si një zhvillim historik dhe angazhim serioz politik i komunitetit shqiptaro-amerikan në procesin politik të Shteteve të Bashkuara.  Ken Biberaj ka përkrahjen e shumë votuesve dhe të organizatave dhe grupeve të ndryshme në lagjen, ku jeton.  Por  një ndër grupeve që duhet të përqendrohet në këtë fushatë janë  shqiptaro-amerikanët me të drejtë vote, në zonën elektorale  numër 6.  Kjo, për arsye se siç pata thënë në fjalën përshëndeste me rastin e hapjes së fushatës së Kenit marsin e vitit që kaloi, “Ken Biberaj është një histori suksesi e të rinjve shqiptarë të lindur dhe të rritur në Amerikë.  Ai është shembull i një historie personale që na bën të gjithë ne të jemi krenarë që jemi amerikanë dhe shqiptarë….Keni është një djalë i guximshëm që shikon vetëm përpara me vendosmëri të fortë, me dëshirën për të dhënë diçka më tepër për këtë komunitet dhe për vendin ku jetojmë -për të bërë pra diçka në shenjë falënderimi për Shtetet e Bashkuara – ky vend që ka bërë aq shumë për ne këtu si shtetas shqiptaro-amerikan të këtij vendi, por edhe për kombin tonë dhe për mirëqenien e bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan”.

 Jam i bindur se në qoftë se fiton, Ken Biberaj, do të japë kontributin e tij të çmueshëm në qeverisjen vendore të këtij metropoli amerikan, si anëtar i ri në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut – dhe jam i bindur se do të ushtrojë detyrën e tij të re me një cilësi dhe stil të lartë moral e politik – duke bërë krenare familjen e tij dhe njëkohësisht edhe të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Një Biografi e shkurtër e Ken Biberaj: Ken Biberaj ka një të kaluar të shkëlqyeshme akademike dhe politike. Para se të merrte diplomën e avokatit nga Universiteti i Nju Jorkut në vitin 2008, Keni është diplomuar në Universitetin Amerikan në Uashington dhe ka marrë diplomën Master nga Shkolla “Kennedy” për Qeverisje e Universitetit të njohur Harvard në Boston. Përveç diplomave prestigjioze akademike, përvoja e tij politike përfshinë punën që ai ka bërë për fushatën e kandidatit demokrat për president Xhon Kerri (tani Sekretar Amerikan i Shtetit) në vitin 2004 dhe ka punuar për Presidentin Bill Klinton dhe për Fondacionin e tij. Kjo përvojë në fushën politike me dy gjigandë të politikës amerikane, e bën Ken Biberaj një kandidat serioz për detyrën për të cilën shpresojmë të fitojë të martën. Për punën dhe veprimtarinë e tij të dalluar akademike, politike si edhe në fushën e tregtisë e të biznesit, Universiteti Amerikan në Uashington i ka akorduar atij Çmimin e “Një Ylli të Dalluar” me perspektiva të mëdha në jetë, duke u bazuar në kontributet e tija të konsiderueshme  të deri tanishme ndaj shoqërisë, nëpërmjet punës së tij profesionale, politike dhe filantropike. Keni, i cili thotë në biografinë e tij se për shërbim publik ai është frymëzuar nga babai i tij Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë –është i martuar dhe me bashkëshorten Valerie dhe djalin e vogël Hadswn, jeton në lagjen, ku pret të fillojë jetën politike në qoftë se zgjidhet anëtar i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut. Ken Biberaj tani për tani punon si zëvendës president i lokalit të njohur dhe prestigjioz, “Russian Tea Room” në Nju Jork.