Në kërkim të arit, gërmuesit e thesareve hapin gropa gjigande në këmbët e urës 300-vjeçare

1404
Sigal

Po shkatërrohet Ura e Golikut mbi lumin Shkumbin. Banorët: Gërmimet bëhen natën. Drejtoresha e muzeut: Dëmtimet janë serioze

Ura e Golikut këto muajt e fundit është bërë pre e gërmuesve të thesareve. Kjo urë 300-vjeçare gjendet në rrjedhën e lumit Shkumbin. Sipas banorëve të zonës persona të ndryshëm me harta në duar, të paidentifikuar për policinë, prej muajsh gjurmojnë dhe hapin gropa gjigande në këmbët e urës shekullore, pasi besojnë se aty ka ar. Ura e Golikut gjendet në të majtë të rrugës Qafa e Thanës-Tiranë dhe ndjek rrugën e fshatit përgjatë luginën piktoreske të lumit Shkumbin. Kjo urë elegante me tre harqe është ndërtuar me një arkitekturë të veçantë.

Banorët

Sipas banorëve të zonës, situata është shqetësuese pasi gërmimet e personave të papërgjegjshëm kanë vënë në rrezik edhe strukturën mbajtëse të urës, çka do të thotë se nëse aty vazhdojnë kërkimet për ar, ura rrezikon të shembet. Ata thonë se personat, të cilët kanë dëmtuar urën janë persona nga zona të tjera të Shqipërisë, të cilët gjatë ditës paraqiten tek banorët e zonë në Komunën Proptisht si turistë ndërsa gjatë natës kërkojnë ar duke mos kursyer ndërhyrjen edhe në bazamentin e urës. Sipas Sh. Torrës, persona nga qytete të tjera, me harta në duar bëjnë gërmime natën. Ura e Golikut është mjaft e rëndësishme jo vetëm për zonën përreth, por për gjithë Shqipërinë, pasi mbart vlera të mëdha historike, madje thuhet se aty diku ka kaluar rruga “Egnatia e vjetër”. Turistët e huaj vijnë shpesh dhe e vizitojnë, por kjo urë është lënë në mëshirë të fatit.

Drejtoresha e muzeut

Sipas Fresada Angjellasi Drejtoreshë e Muzeut Pogradec, bëhet e ditur se kërkuesit e floririt, vetëm se po dëmtojnë monumentet e kulturës, në vendet antike, përgjatë gjithë rrugës Egnatia dhe tek Ura e Golikut nuk asnjë flori, janë vetëm iluzione të tyre. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë këtyre personave të mos gërmojnë dhe shkatërrojnë këto monumente. Pyetjes se cila është gjendja aktuale e Urës së Golikut, Angjellasi i përgjigjet: “Ura e Golikut është një monument kulture i kategorisë së parë, por dita ditës po humbet vlerat e saj dhe po shkatërrohet. Ethet e arit tashmë nuk po kursejnë edhe vepra të tilla arti. Persona të paidentifikuar po ndërhyjnë në pjesë të ndryshme të urës, në kërkim të arit, pa marrë parasysh pasojat e këtyre gërmimeve te kjo urë 300-vjeçare. Para tre muajsh persona të paidentifikuar bënë tentativën e parë në pjesën e sipërme të urës, duke hapur një gropë natën dhe duke kërkuar ar. Më vonë, ndodhi e njëjta situatë, por këtë herë me këmbët e urës. Kjo ndërhyrje e radhës natyrisht që solli dëmtime serioze tek ura duke vënë në rrezik edhe strukturën e saj. Situata është shumë shqetësuese, pasi siç e thashë Ura e Golikut nga këto ndërhyrje rrezikon të shembet. Momentalisht, ura 300-vjeçare, po humbet nga dita në ditë vlerat e saj kulturore dhe historike. Ndërkohë që institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e urës, monument kulture i kategorisë së parë, qëndrojnë indiferente”.