Flet Prof. Memush Habilaj: Alarm! Ne dimë të hamë, por për fat të keq mbetemi të rrezikuar nga inegzistenca e shtetit si dhe nga injoranca e indiferenca e konsumatorit

Intervistoi: Bashkim KOÇI

Sigal

Flet Prof. Memush Habilaj, kimist dhe specialit për problemet e ushqimit të njerëzve:

Një reformë rrënjësore dhe urgjente është e domosdoshmë. Mjafton që shteti të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të fillojë t’u kërkojë llogari institucioneve përkatëse, të pastrojë ushtrinë e të paaftëve që vegjeton aty, duke vënë kritere të qarta, rigoroze e të sakta për cdo punonjës që kullot aty, si dhe të kontrollojë pandërprerje punën e këtij sistemi. Një staf minimal, ekspertësh kopetentë llogarikërkues mund të shkundë e pastrojë këto çerdhe të kalbura nga korrupsioni dhe t’u hapë rrugën specialistëve të zotë e të pakorruptueshëm, që ndjejnë përgjegjësi të plotë para qytetarit.

Buka dhe uji janë dy produktet bazë për shëndetin e njeriut. E meqë janë të një rëndësie të veçantë, ç’mendime kini ju Profesor rreth këtij problemi të madh nëse kemi parasysh që pas viteve ’90 çështja e kontrollit dhe e zbatimit të kërkesave ligjore për bukën dhe ujin doli dhe mbetën paksa në dorë të njerëzve të biznesit?

Në vendin tonë tradicionalisht BUKA dhe UJI kanë qenë dhe mbeten dy artikujt themelorë dhe të konsumit masiv për popullin tonë. Edhe sot vazhdon të egzistojë e pandryshuar kjo traditë.Të dy këta produkte egzistencialë tregëtohen, qarkullojnë e konsumohen masivisht pa asnjë lloj kontrolli fizik, shëndetësor apo analitik nga institucionet përkatëse shtetërore. Shumica e grurit dhe misrit që shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e bukës dhe nënprodukteve të tjerë ushqimorë që konsumon populli, importohen ndërsa prodhimi vendas është i papërfillshëm. Por ,pamvarësisht nga origjina e tyre, para se të hidhen në ciklin e përpunimit dhe përgatitjes si produkte ushqimore, ata duhen t’i nënështrohen kontrolleve të cilësisë, si përsa i përket parametrave të vlerave ushqimore, ashtu edhe përmbajtjes së lëndëve të dëmshme për organizmat e gjallë dhe mjedisin, kryesisht të pesticideve, ngarkesës bakteriale dhe lëndëve radioaktive, përmbajtja e të cilave është e përcaktuar saktë e qartë në standartet shtetërore, me VKM, instruksione, udhëzime e rregullore të Ministrisë të Bujqësisë e Shëndetësisë. Po e njëjta situatë qëndron edhe për ujin e ambalazhuar, i cili është tërësisht podhim vendi. Shumica e standarteve dhe normave për produktet ushqimore kanë aplikim ndërkombëtar dhe në vendin tonë bëhet rektifikimi dhe përshtatja me kushtet konkrete tona. Gjithnjë duke ju referuar dy artikujve masivë BUKË plus UJË, në tregun shqipëtar nuk gjen dot një pikë prodhimi apo tregëtimi të këtyre dy artikujve që të jetë pajisur me një fletë analize apo formë tjetër dokumenti kontrolli, për origjinën dhe cilesinë e miellit, cilësinë e bukës, lëndët e ndryshme shoqëruese, shtesat gjatë prodhimit etj. Këto analiza e kontrolle duhet të kryhen nga institucionet dhe laboratorët e specializuare e të akredituar, që mbahen me paratë e taksapaguesve dhe që duhet të jenë rojet vigjilente të konsumatorit.Të gjithë e shohin dhe e dinë se prodhuesit e bukës përdorin mbetjet e vajrave të restoranteve që janë me ngarkesa e  mbetje kancerogjene. Po a i kotrollon kush këto njësi? Po një analizë të plotë të miellrave në qarkullim pse nuk kryhet ? Çfarë mbetjesh apo shtesash të rrezikëshme shoqërojnë produktet e gatëshme ? Po uji i ambalazhuar, prodhuesit për të garantuar qëndrushmërinë e tij e ngopin me kimikate. Asnjë nuk di gjë, asnjë nuk kontrollon, asnjë nuk mban përgjegjësi. Ushtria e inspektorëve të institucioneve shtetërore e private, plotësisht e ndërgjegjëshme për dëmin vdekjeprurës që i sjellin konsumatorit me mosveprimin e tyre, nuk e ka mendjen te kryerja e detyres, por te mbushja e xhepave të tyre, duke harruar me injorancën e tyre se shëndetit të qytetarëve po krijojnë pasojat në të ardhmen.

 Problem jo i vogël mbetet ai i konsumit të produkteve blegtorale. Dihet që këto produkte nuk mbulojnë dot kërkesat e konsumatorit tonë. Sasira të mëdha mishi, qumështi pluhur apo ai i palmës vijnë nga jashtë. Sipas jush a janë nën një kontroll të rreptë rruga nga ato vijnë, cilësia etj. Cila është dora e shtetit në këtë çështje madhore dhe a ka ndikuar aty korrupsioni i punonjësve që menaxhojnë hyrje-daljet e këtyre produkteve?

Në mënyrë plotësisht e ngjajshme me trajtimin e çështjes më lartë, qëndron edhe problemi i produkteve blegtorale. Mishi dhe nënproduktet e tij, qumështi dhe nënproduktet e tij janë totalisht jashtë çdo kontrolli. Vetëm kur ndodh ndonje zbulim nga medja dhe plas skandali gjithandej, bëjnë sikur zgjohen nga gjumi e lëvizin nga vendi lukunia e inspektorëve parazitë e të korruptuar të institucioneve kontrolluese. Publiku shumë herë ka parë me frikë dhe indinjatë se si është mashtruar dhe infektuar sepse ka konsumuar mish të importuar pa parametra e vlera ushqimore e me ngarkesa virale dhe mbetje të tjera të  rrezikëshme. Asnjë dokument mbi origjinën e mishit, asnjë gjurmë analize a kontrolli. Çdo gjë fillon pasi mishi është shitur në treg. Historia është identike me bulmetin dhe nënproduktet e tij. Nuk është dëgjuar ndonjëherë të jetë kontrolluar qumështi, apo nënproduktet e tij që qarkullojnë në treg, prodhim vendi apo importi qofshin.

Dihet nga të gjithë se qumështi i tregut shqiptar është i përgatitur kryesisht me qumësht pluhur nga importi dhe i servirur konsumatorit si qumësht i freskët me cilësitë më të mira në botë sipas etiketave. Bulmetrat e tregut tonë janë plotësisht të fallsifikuara, në to do të gjesh shtesa për mpiksje (trashje)  si celulozë, melaminë (produkt kancerogjen që importohet nga Kina kontrabandë), amidon (niseshte) etj. Qumështi, kosi, gjalpi, djathi, etj. janë të ngarkuara me këto shtesa të dyshimta. Shumë herë gazetarët kanë kontrolluar këto produkte në treg dhe me metoda të thjeshta kanë vërtetuar praninë e shtesave fallsifikuese dhe vetëm pas zhurmës në media sikur bëhet ndonjë kontroll i përciptë  institucional dhe vetëm për pakë kohë se pastaj çdo gjë harrohet dhe inspektorët mbyllin sy e veshë, por mbajnë hapur xhepat që tua mbushin tregëtarët si shpërblim të heshtjes së tyre.

Ne kemi dy probleme madhore përballë: inegzistencën e shtetit si dhe injorancën dhe indiferencën e konsumatorit. Shteti mban në këmbë e paguan me paratë e taksapaguesve një rrjet të tërë institutesh e laboratorësh për të mbajtur nën vëzhgim tregun ushqimor. Rrjeti fillon me laboratorët e doganave, porta hyrëse e mallrave dhe pika e parë e kontrollit. Më pas vijnë laboratorët e Drejtorive të Shëndetit Publik në çdo qytet, në qendër ngrihen Institutet e Shëndetit Publik (ISHP) dhe të Bujqësisë e Ushqimit- Instituti i Studimeve Ushqimore e Veterinare  (ISUV ), krahas  tyre edhe një vargan laboratorësh privatë, të cilët do të mjaftonin për të mbajtur nën kontroll një shtet prej dhjetra milionë  banorë.

Në krye vegjeton i famëshmi AKU –Autoriteti i Kontrollit Ushqimor, një njësi parazite, e paaftë dhe e korruptuar, e mbushur tejë mase me element partiakë, që nuk di dhe nuk do të bëjë gjë, por që prish çdo gjë. Megjithëkëtë rrjet të madh, të ngatërruar e të paaftë për të vepruar, produktet ushqimorë jashtë standarteve depërtojnë lirisht në treg, konsumohen pa pengesa dhe kur fare rastësisht bëhet ndonjë zbulim nga mediat dhe fillon zhurma e përkohëshme mediatike, nis  edhe njëkohësisht lumi i justifikimeve të  zakonshme e bajate të këtyre institucioneve mediokre kontrolluese,praktikisht inegzistente.

Mahnia e fermerit është që të sigurojë sa më shumë prodhim, me qëllime fitimi. Dhe rruga më e shkurtër dhe më e sigurt për t’ja arritur këtij qëllimi fermeri partnerin kryesor ka përdorimin simulantëve, e OMGJ-vë. E shikoni ju këtë dukuri të rrezikëshme?  Sipas jush, zoti Habilaj, a e ka kryer me përgjegjësi këtë barrë të rëndë shteti ndaj qytetarit?

Zhvillimi i bujqësisë në gjithë botën është i lidhur ngushtë ndër të tjera edhe me përdorimin e studjuar të shumë lëndëve kimike të njohura me emërtimin e përgjithshëm PESTICIDE. Këto lëndë bëjnë të mundur mbrojtjen e prodhimeve bujqësore nga dëmtonjësit e ndryshëm që egzistojnë në natyrë ( viruset, sëmundjet, myqet, kërpudhat, larvat, insektet, zogjtë, brejtësit, barërat e këqia etj.) të cilët nganjëherë dëmtojnë deri në 50 % të prodhimit. Sot në botë qarkullojnë rreth 20 mijë formulime të pesticideve të ndryshme, të cilat aplikohen në vende të ndryshme sipas kushteve klimaterike, llojeve të bimëve, periudhave të caktuara të zhvillimit të bimëve etj. Nga studimet e shumta që kryhen në shumë institute shkencore në botë bëhen përditësimet e nevojshme mbi vetitë e pesticideve. Si rezultat i këtyre studimeve të kujdesëshme, çdo vit ndryshohet lista e pesticideve në qarkullim, duke hequr pesticidet që paraqesin probleme shëndetësore dhe duke futur në përdorim pesticide me veti sa më miqësore për shëndetin dhe mjedisin. Kjo metodë pune është e organizuar në shkallë ndërkombëtare dhe çdo shtet rinovon vazhdimisht listat e pesticideve në qarkullim  dhe ushtron kontroll të rreptë mbi përdorimin e tyre në bujqësi si dhe gjurmon përhapjen e tyre në mjedise, tokë, ujë, ajër, produkte të ndryshëm ushqimorë.  Me VKM, urdhëresa, udhëzime, instruktime të ministrive të shëndetësisë, bujqësi- ushqimit, rregullohen e përcaktohen detyrat që duhet të zbatojnë të gjitha institucionet e laboratorët e zinxhirit të kontrollit të mjedisit dhe produkteve ushqimore ( PU ) që ofron bujqësia.Aktualisht sot në botë janë në qarkullim rreth 3000 pesticide të ndryshme, gjatë përdorimit të tyre në bujqësi ata lënë pas shumë lloje mbetjesh të rrezikëshme, nga të cilat njeriu konsumon nëpërmjet ushqimit dhe ujit deri 400 lloje në vit të këtyre mbetjeve. Këto mbetje depozitohen në inde dhe organe të caktuara të njeriut dhe kafshëve dhe janë burim i sëmundjeve të ndryshme veçanërisht kanceroze e gjenetike. Njeriu i merr këto mbetje drejtë për drejtë nga uji dhe produktet ushqimore dhe në rrugë të tërthortë, duke konsumuar produkte blegtorale (mish, bulmet, etj) nga blegtoria që ka konsumuar mbetje pesticidesh nga kullotat dhe uji. Për këto arsye nga organizmat ndërkombëtarë janë përgatitur standarte të rrepta me kërkesa të sakta për çdo lloj pesticidi e për çdo lloj produkti ushqimor, ku ndër të tjera përcaktohen përmbajtjet e pesticideve dhe mbetjeve të tyre në formën e Normave Maksimale të Lejuara –NLM, si edhe metodat përkatëse të kontrollit dhe analizave,  të detyrueshme për tu zbatuar nga çdo shtet e çdo prodhues. Në çdo vend europian  hedhja në treg e çdo produkti ushqimor lejohet vetëm kur është i pajisur me çertifikata origjine dhe  analitike të konfirmuar nga laboratorë të specializuar e të akredituar për analiza pesticidesh. Edhe në Shqipëri përditësohen zyrtarisht kërkesat sipas standarteve ndërkombëtare për PU, por kjo vetëm në letër, sepse në praktikë ndodh tjetër gjë. Në tregun e brendshëm nuk mund të gjesh një PU të shoqëruar me çertifikatë origjine dhe fletë analize nga një institucion i caktuar për këto punë. Nga një analizë e tregut ushqimor shqipëtar konstatohen këto probleme shqetësuese:

A –Prania e pesticideve të ndaluar me kohë nga organizmat ndërkombëtarë dhe shteti ynë, por që hyjnë kontrabandë dhe përdoren lirisht nga fermerët pa pengesa , për shkak të çmimeve të ulëta që ofrohen nga stoqet e vjetra të depove të shumë vendeve. Këto pesticide sillen kontrabandë në mënyrë individuale nga fermerët ose furnizohen nga farmacitë bujqësore lirisht nën hundën e shtetit, ose me bashkëpunimin e shtetit, duke e bërë kontrabandistin më të fortë se ligjin dhe  shtetin. Një përdorim fare të pakontrolluar kanë stimulantët e rritjes të cilët fermeri injorant i përdor pa asnjë njohuri e kriter, në cilësi e sasi, duke nxjerrë produkte gjenetikisht të degjeneruara dhe pa vlerat ushqimore, përveçse mbetjet e tyre të rrezikëshme ndotin tokën dhe ujrat për periudha deri disa dhjetra vjeçare dhe duke u transmetuar në ciklet e prodhimeve për shumë e shumë vite.

B – Mbetjet e gjetura të pesticidet në PU janë shumë herë më të mëdha se NLM. Kjo është vërtetuar shumë herë nga analizat e kryera në shtetet ku janë eksportuar produktet shqipëtare, të cilat më pas kanë refuzuar t’i pranojnë në tregjet e tyre dhe që përveç pasojave financiare, eksportuesit tanë janë përballuar me një reklamë skandaloze e denigruese në mediat ndërkombëtare. Fermeri dhe eksportuesi shqipëtar, të mësuar me tregun e brendëshëm ku nuk kërkohet llogari për ato që tregëton, mendon se po kështu mund të çajë tregjet ndërkombëtare me produkte të pagarantuara e me fletë analiza fallco, pa arritur të kuptojë se me këtë metodologji e psikologji primitive e fshatareske nuk mund ndeshet me konkurencën e fuqishme që egziston në ato tregje. Pasojat e kësaj mendësie janë të qarta: bllokim malli, groposje, gjoba marramendëse e zhurmë skandaloze në medja për PU shqipëtare jashtë standartit.

C– Në këtë drejtim del qartazi inegzistena e shtetit dhe e institucioneve përkatëse përgjegjëse. Siç e kemi përmendur më lartë një rrjet i madh institucionesh e laboratorësh, shtetërorë e private, xhvatin paratë e taksapaguesve pa bërë asgjë. Nëpërmjet këtij rrjeti shtetI duhet të ndihmojë prodhuesit dhe eksportuesit duke i informuar për gjithëçka; tu japi njohuritë e nevojshme teknike, profesionale e proceduriale, duke ua bërë të ditur kërkesat e tregut të brendëshëm e të jashtëm, duke angazhuar edhe median, roli i të cilës mund të jetë jashtëzakonisht  si për prodhuesin ashtu dhe për konsumatorin.

Mbaj mend të kem lexuar një libër të profesorit tim të Universitetit Bujqësor, Aleko Xoxe “Dimë të hamë, po a dimë të ushqehemi”? Dëshiroj të të pyes: Ka nevojë, sipas jush, të bëhet një reformë e thellë për të vendosur në binarë shkencorë mbrojtjen e qytetarit, të konsumatorit lidhur me cilësinë e ushqimit?

 Ajo që shkruan i nderuari Prof. A.Xoxa shumë kohë më parë është plotësisht e vërtetë. Të ngrënit është një process i thjeshtë e i zakonshëm për qëniet e gjalla, ndërsa të ushqyerit përfaqëson një kulturë me norma të përcaktuara për shoqërinë njerëzore në nivele të veçanta të saj. Edhe shteti ynë, i dalë nga gjiri i kësaj shoqërie, sillet në përshtatje me nivelin e saj, duke bërë sikur i shërben shoqërisë. Formalisht shteti ynë në disa drejtime me dokumentacionin e  miratuar është më i përparuar se në shumë vende të zhvilluara europiane. E themi këtë me kopetencë dhe e ilustrojmë me dy shëmbuj a- ligji për standartin e ujit të pijshëm- kemi standartin më të mirë në botë për ujin e pishëm,  b- vlerat e NLM të pesticideve dhe mbetjeve të tyre në PU janë më të ulëta se sa në shumë vende europiane. Në këtë drejtim kemi edhe vlerësimet maksimale nga partnerët ndërkombëtarë . Pra në letër dhe teori jemi në rregull. Por zbatimi në praktikë i këtij legjislacioni perfekt ndryshon si nata me ditën. Kemi vazhdimisht shumë shëmbuj negativë e skandalozë që bëjnë bujë për gjendjen e keqe  të tregut ushqimor. Si spjegohet që në treg shitet mish nga Brazili ose ndonjë vend tjetër, pa asnjë vlerë ushqimore dhe me ngarkesa mikrobiale dhe skandali zbulohet vetëm rastësisht nga gazetarët që japin alarmin mediatik, ndërsa rrjeti i kontrollit shtetëror nuk di gjë  dhe fillon të bëhet i gjallë vetëm pasi ky mish është konsumuar në treg? Si lejohet eksportimi i mandarinave me mbetje pesticidesh të ndaluara dhe mbi vlerat e NLM, pa asnjë dokument analitik dhe kontrolli bëhet nga vendi pritës, i cili bën reklamimin më negativ të mundëshëm? Pse nuk kontollohet gjendja e ujit të pijshëm, të paktën në kryeqytet dhe qytetet kryesorë , ose ujit të ambalazhuar në treg? E kështu me radhë, për bulmetrat, cigaret me pesticide etj. Mund të flitet për shumë e shumë raste që i kemi përditë para syve dhe që nuk e prish terezinë as shteti me ushtrinë e tij të inspektorëve të korruptuar. Mjafton që shteti të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të fillojë t’u kërkojë llogari institucioneve përkatëse, të pastrojë ushtrinë e të paaftëve që vegjeton aty, duke vënë kritere të qarta, rigoroze e të sakta për cdo punonjës që kullot aty, si dhe të kontrollojë pandërprerje punën e këtij sistemi.

Një staf minimal, ekspertësh kopetentë llogarikërkues mund të shkundë e pastrojë këto çerdhe të kalbura nga korrupsioni dhe t’u hapë rrugën specialistëve të zotë e të pakorruptueshëm që ndjejnë përgjegjësi të plotë para qytetarit. Nuk është nevoja të shpiken struktura mbi struktura, të mbushura me partiakë, që do gllabërojnë para të tjera të taksapaguesve sepse edhe ato do korruptojnë njëra-tjetrën duke mos dalë dot nga rrethi vicioz egzistues i korrupsionit.

Mundësitë për një reformë gjithëpërfshirëse egzistojnë dhe çdo gjë mund të realizohet praktikisht duke pastruar hauret e Augeas-it njëherë e përgjithmonë. Por egziston një pengesë madhore, në dukje e pakapërcyeshme te ne, si për këtë rast ashtu edhe për drejtimet e tjera të jetës publike shqipëtare: çdo parti në pushtet gjeneron vetëm njerëz parazitë, mediokër e të paaftë që bëhen lehtë pre e korrupsionit. Me këta njerëz partia mbush radhët e administratës shtetërore dhe të çdo institucioni dhe që paralizojnë çdo veprimtari ligjzbatuese në dobi të taksapaguesve. Ndërhyrja partiake në jetën dhe veprimtarinë e çdo institucioni krijon vatrat e përjetëshme e të pashërueshme të korrupsionit, të cilat partitë ja lënë trashëgim njera-tjetrës.