Dalin të tjera detaje nga ligji i ri i qeverisë për administratën shtetërore. Dje publikuam një pjesë të tij, ku përcaktohej se tani do të ketë institucione edhe në varësi të drejtpërdrejtë nga kryeministri, gjë që më parë nuk ishte.
Sipas përcaktimeve në relacion, ndryshimet vijnë në kuadër të shkrirjes së inspektorateve. Qeveria ka vendosur që të heqë pavarësinë për shumë agjenci, duke i shpallur si agjenci autonome apo në varësi direkte nga ministritë apo Kryeministria.
Duke u bazuar te disa rekomandime të OECD/SIGMA, Enti Rregullator i Energjisë, ai i Ujit, Komisioni i Prokurimit Publik, AKEP, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti për Informacion mbi Dokumentet e Sigurisë Shtetërore, Instituti i Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, etj pritet të mos jenë më institucione tërësisht të pavarura nga qeveria.
Sipas relacionit, legjislacioni aktual në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë, Agjencitë Autonome, të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave. Por bazuar te rekomandimet e OECD/SIGMA, qeveria propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatorë.
“Agjencia Autonome krijohet për të kryer funksionet administrative të zbatimit të ligjit dhe politikave që kanë të bëjnë me rregullimin dhe mbikqyrjen e veprimtarisë së operatorëve të një tregu të caktuar me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së lirë. Agjencia Autonome krijohet dhe mbyllet me ligj të posaçëm dhe gëzon personalitet juridik publik, në marrëdhëniet me të tretët, në realizimin e funksioneve të caktuara me ligj. Agjencia Autonome është pjesë e sistemit ministror në fushën e përgjegjësisë shtetërore të të cilit është hartimi i politikave në fushën përkatëse dhe veprimtaria e saj mbikqyret nga ministria përkatëse”, thuhet në ligj.
Sa i takon mbikqyrjes thuhet: “Mbikqyrja dhe llogaridhënia bazohet mbi performancën në arritjen e rezultateve, është e përhershme dhe realizohet nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm ndërmjet ministrisë dhe institucionit, apo agjencisë që mbikqyret.
Mbikqyrja e institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe llogaridhënia është përgjegjësi e titullarit të institucionit të varësisë, apo agjencisë autonome.
Sekretari i përgjithshëm cakton paraprakisht një strukturë administrative në aparatin e ministrisë si njësia përgjegjëse për mbikqyrjen e çdo institucioni apo agjencie të sistemit ministror përkatës (në vijim ‘njësia përgjegjëse’), në përputhje me rregullat e organizimit të brendshëm. Njësia përgjegjëse është, si rregull, struktura e ngarkuar me hartimin e politikave që zbatohen nga institucioni i varësisë ose agjencia autonome, apo një njësi e krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Sekretari i përgjithshëm prezumohet të jetë njësia përgjegjëse deri në caktimin e një njësie për këtë qëllim”.
Por një pikë mjaft interesante ka të bëjë me varësinë e institucioneve. Rama duket se po kujdeset që t’i marrë të gjitha vetë në dorë. Në ligjin e ri, ai ka futur një dispozitë, ku përcaktohet se mund të krijohen institucione në varësi direkte nga Kryeministri. Deri më tani nuk ka pasur një përcaktim të tillë. Edhe pse ka disa kufizime, duket se Rama po i shton kompetencat vetes.
“Një institucion varësie mund të funksionojë edhe në varësi të Kryeministrit nëse kryen funksione në mbështetje të kompetencave të tij në pajtim me nenin 102 të Kushtetutës apo funksione horizontale që nuk mund t’i përkasin fushës së veprimtarisë shtetërore të një ministrie të vetme. Një institucion në varësi të Kryeministrit nuk kryen funksione administrative:
- a) të zbatimit të drejtpërdrejtë të ligjit, ofrimit të shërbimeve publike, apo shërbimeve të brendshme për administratën shtetërore, apo;
- b) të zbatimit të politikave shtetërore, hartimi i të cilave është nën fushën e përgjegjësisë shtetërore të një ministrie.
1/3. Përjashtimisht një institucion mund të funksionojnë në varësi të Kryeministrit, por vetëm përkohësisht, edhe nëse kryen një funksion të ndryshëm nga ato të lejuara sipas pikës 1/2 të këtij neni, nëse ky funksion përbën prioritet qeverisës sipas programit politik të Këshillit të Ministrave, të miratuar nga Kuvendi”, thuhet në dokument.




















