Nga: Ferit Shqefni
Në rrugët e Tiranës, shfaqja e qenve endacakë është kthyer prej kohësh në një shqetësim serioz për banorët. Çdo ditë, qytetarët përballen me situata të pasigurta në trotuare, në parqe, madje edhe pranë shkollave dhe kopshteve, ku shpesh herë qentë grumbullohen në tufa dhe reagojnë në mënyrë të paparashikueshme.Edhe pse Bashkia e Tiranës ka marrë masa për sterilizimin dhe trajtimin e këtyre kafshëve, numri i tyre vijon të mbetet i lartë. Rastet e raportuara për kafshime dhe sulme, veçanërisht ndaj fëmijëve apo të moshuarve, janë një alarm që nuk mund të injorohet. Ndërkohë, shumë qytetarë shprehen të pasigurt për të lëvizur në zonat periferike apo gjatë orëve të vona.
Ky fenomen ngre pikëpyetje jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për mirëqenien e vetë kafshëve. Shumica e qenve endacakë vuajnë nga uria, sëmundjet dhe keqtrajtimi, duke bërë që agresiviteti i tyre të rritet ndjeshëm. Mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë vetëm sa e thellon problemin.
Zgjidhja e këtij problemi kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, organizatave për mbrojtjen e kafshëve dhe vetë komunitetit. Është e nevojshme një strategji e përforcuar që përfshin jo vetëm sterilizimin, por edhe krijimin e qendrave të strehimit, fushata ndërgjegjësimi dhe ndëshkime për braktisjen e kafshëve.
Siguria e qytetarëve dhe trajtimi i denjë i kafshëve duhet të ecin paralelisht. Është koha që Tirana të gjejë një zgjidhje që respekton jetën dhe dinjitetin e të gjithëve, qoftë njerëzit apo edhe…..kafshët.