Fejzo Subashi: Presidenti i vendit Z. Ilir Meta i dha vlera institucionit të Presidentit

812
Sigal

Me mosdekretimin e Z. Sandri Lleshit në postin e ministrit të Rendit, Z. Meta i dha vlera të mëdha institucionit të Presidentit. Ai tregoi qartë se sa i rëndësishëm dhe i domosdoshëm është momenti, apo çasti i nënshkrimit të një dekreti nga kreu i Shtetit. Mos dekretimi mund të mos jetë i drejtë, por më i rëndësishëm është veprimi i tij, pasi tregon qartë se sa nevojë ka Vendi për një President, i cili tregon përgjegjshmëri dhe i jep peshën që meriton firmës së tij. Meta më këtë veprim tregoi, jo vetëm pjekuri si politikan, por se nuk ka vajtur atje vetëm për të shijuar benefitet dhe për CV politike. Jo vetëm unë, por shumë si unë, mund të mos jenë shumë në dakord apo edhe mund të kemi edhe rezerva, në lidhje me mos dekretimin në postin e ministrit të Rendit z. Lleshi, të çuar për dekretim nga Kryeministri, pas vendit të lënë vakant, si rezultat i dorëheqjes së z. Fatmir Xhafa nga posti i ministrit të Brendshëm. Por veprimi i Z. Meta tregon për rëndësinë dhe vlerat, peshën që ka dhe duhet të mbajë si kreu i shtetit, ku Presidenti i vendit nuk është një noter i rëndomtë. Sot më shumë se kurrë, kur është paralizuar një nga pushtetet, ai i gjyqësorit dhe, sidomos, kur Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, roli i Presidentit duhet të jetë në nivelin e tij më të mirë të mundshëm. Jo vetëm me sportivitet, por me shumë seriozitet, mirënjohje dhe as me të voglin paragjykim nuk duhet ta konsiderojë si refuzim Kryeministri i Vendit Z. Rama këtë vendim të Presidentit.

Mazhoranca qeverisëse dhe vetë zoti Rama, duhet të nxjerrin mësime nga veprimi shumë i përgjegjshëm i Z. Meta. Unë besoj se kështu e ka trajtuar Z. Rama, pasi menjëherë mori rrugën dhe shkoi në Presidencë, duke mos u dhënë mundësinë e madhe zhurmave dhe zhurmuesve servilë, të cilët nuk janë të pakët dhe në çdo fushë. Situata në të cilën ndodhet vendi, ku çdo ditë konstatojmë dhe përballemi me vështirësi, problemet e lindura në gjashtë mujorin e fundit, tregon qartë se në krye të dikastereve duhet të jenë njerëzit, të cilët kanë merita dhe janë të aftë të marrin përgjegjësi të mëdha. Mbi të gjitha duhet të kenë një përvojë të madhe dhe peshë në politike, sidomos për titullarin e ministrisë së Rendit kjo është shumë e rëndësishme. Nuk kam ndonjë gjë personale me Sandër Lleshin, nuk e njoh farë, nuk e paragjykoj, as nuk nisem nga komentet për të, por nga sa pashë CV-në e tij, të jepte përshtypjen e një ushtaraku të madh, por me shpatullat e tij shumë të vogla për atë post. Gjatë prononcimit të tij publik, kuptohej kollaj ajo që duhet dhe i karakterizon ushtarakët; ndjenja e karrierës, dëshira për ta pasur post të niveleve të larta, por konstatohej kollaj se i mungonte përvoja, pjekuria politike dhe sidomos ajo e një shtetari. E vlerësoj në maksimum përpjekjen e Z. Rama, për qasje të figurave të reja ne PS dhe në poste ekzekutive, drejtuese, por le të jetë rrëzimi i dekretimit të Z. Lleshi, një mësim për Ramën, nëse dëshiron që të çojë përpara projektet dhe qëllimit e tij si kreu i socialistëve dhe Qeverisë. Partia Socialistë, shoqëritë civile dhe sidomos stafet akademike kanë figura, personalitete me statura, performancë, përvojë, të cilët janë të aftë të mbajnë, jo vetëm peshën e një dikasteri, por i japin vlera qeverisë. Ka njerëz me vlera, të cilët, jo vetëm që nuk po e japin kontributin e tyre për vendin, por po ikin jashtë, këta njerëz nuk i japin jo mundësinë, por as shansin as një pushteti që t’i vërë në mëdyshje firmën për ta. Por mbi të gjitha nuk duhet të kishim lejuar që debateve, paragjykimeve, situatave, këndvështrimeve të shumta politike, t’iu shtonim edhe këtë precedent. Ende pa u nisur shkresa e Z. Rama, për në Presidencë, Lleshi filloi të fliste nga pozicioni i ministrit, sikur ai kishte rënë nga qelli.

-Pse duhet të bëhej kaq mediatik?

Kur dihet mirë dhe kërkojmë një President, jo thjeshtë noter, por që zbaton mirë Kushtetutën, që duhet të mendohet mirë për atë që nënshkruan.

-Përse duhet ta bëjmë kaq publike dhe politike rrëzimin e Lleshit?

Kur ka armatë të tjerë njerëzish, që e detyrojnë bindjen e Presidentit të vëri firmën.

-Përse duhet t’i japim kaq shumë vëmendje dhe rendësi Lleshit?
Përse mos ta vlerësojmë, ta përgëzojmë veprimin e Metës, por ta paragjykojmë?
Jo vetëm unë, po çdo qytetar ndjehet keq kur Presidenti i vendit, qëndron si kukull në atë post apo firmos ashtu qorrazi, por nuk kuptoj dhe nuk di çfarë të them për median, për njerëz të medias, e sidomos politikanë që reagojnë dhe ndëshkojnë veprimin e Presidentit. Sot kur kemi një mazhorancë pa oponencë, sot kur kemi një pushtet të paralizuar, të kërkosh që edhe Presidenti të firmosë qorrazi apo të kërkosh shkarkimin e tij, se rrëzoi një dekret, apo më e keqja një emër, vështirë të gjesh kishë e xhami të të falë. Deri këtu arrin, jo vetëm pa pjekuria politike, por ajo qytetare, se për përgjegjësi politike dhe intelektuale ndaj vetes dhe vendit as që bëhet fjalë. Pozitive ishte, jo vetëm veprimi i menjëhershëm i Ramës që shkoi të Meta, jo vetëm që i rezistoi presionit, por që vërtet kërkon të dijë të vërtetën, nuk ra pre e mllefit politik, apo lojës keqdashëse të politikës, apo sidomos asaj të opozitës. Sukses, arritje e madhe, madje fitore do quhej, nëse rrëzimi i Lleshit dhe takimi i kreut të Ekzekutivit me kreun e Shtetit, nuk do të jetë lojë e pazare politike, në lidhje me emërimet, për interesa të aktorëve dhe faktorëve politikë, ndaj apo në kurriz të interesave të Vendit.