Fadil Kepi: Statusi i naftëtarit, baza ligjore për llogaritjen e pensionit, leja e lindjes, invalidët dhe tërheqja e pensionit

862
Statusi i naftëtarit dhe kushtet për të dalë në pension të plotë
Pyetje
Disa lexues të gazetës “Telegraf” nga Kuçova, Patosi dhe Marinza janë të interesuar të dinë për statusin e naftëtarit dhe kushtet për të dalë në pension të plotë. 
Përgjigje
Më 23 Janar të këtij viti Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese në Parlament diskutoi dhe miratoi projekt-statusin e naftëtarit i cili do ti paraqitet sa më shpejt Kuvendit të Shqipërisë. Në projekt është parashikuar: Mosha e daljes në pension të plotë të grave që kanë punuar në sektorin e naftës dhe të gazit të jetë 55 vjeçe, të kenë punuar të siguruara gjithsej 30 vjet në vendin tonë e nga këto në sektorin e naftës dhe të gazit 15 vjet. Burrat do të dalin në pension të plotë në moshën 60 vjeç kur kanë 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë dhe nga këto 20 vjet në sektorët e mësipërm. Më hollësisht do të njiheni pas miratimit të ligjit përkatës në Kuvendin e Shqipërisë I cili do të botohet në fletoren zyrtare. 
Baza ligjore për llogaritjen e pensionit. 
Pyetje 
Z. Hamdi Palushi nga Kukësi në letrën e tij shkruan kam dalë në pension në vitin 1990 pasi kisha punuar 37 vjet i siguruar. Aktualisht marr pension 14 600 lekë në muaj. Në krahasim me vitet e punës, rrogës që kam marrë dhe kontributet që më janë ndaluar nga paga nga Qendra e Punës, pensioni më duket i ulët. Pyes, cila është baza ligjore që duhet të ndjek për llogaritjen e pensionit. 
Përgjigje
Mbështetur në nenin 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore pavarësisht se kur ju keni dalë në pension keni të drejtë të bëni ankesë me shkrim sipas kësaj radhe: së pari Komisionit të Ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës ku ndodhet dosja juaj e pensionit. Nëse nuk bindeni me përgjigjen zyrtare që do të merrni drejtohuni me një ankesë tjetër Komisionit Epror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe së fundmi Gjykatës Administrative. 
Periudha e paguar me raporte mjekësore quhet vjetërsi pune për pension
Pyetje
Një infermiere nga spitali i Librazhdit në bisedë telefonike tha: Më 10 Shkurt të këtij viti mbaroj lejen e lindjes me pagesë. Pyes, a më takon leje e zakonshme pas lejes së lindjes dhe a quhet periudha e paguar me raporte mjekësore vjetërsi pune për pension?
Të njëjtën pyetje na ka dërguar dhe një mjeke në Spitalin e Durrësit.
Përgjigje
Në pikën 3 të nenit 192 të kodit të punës i miratuar me ligjin nr 7961, datë 12. 07.1995 (përfshi edhe ndryshimet e mëvonshme) thuhet: “Periudha e paaftësisë së përkohshme në punë e paguar me raporte mjekësore konsiderohet kohë pune pavarësisht sa fëmijë ka lindur dhe kur ka punuar e siguruar. Meqenëse periudha kohore me raportet e mësipërme konsiderohet kohë pune ju takon dhe leje e zakonshme, njëlloj si punonjëset e tjera që kanë qenë në punë, gjithashtu periudhat e paguara me raporte mjekësore, leje të zakonshme apo me raporte mjekësore kur sëmuren fëmijët quhen periudha pune për pension dhe vjetërsi pune për efekt të rritjes së pagës. 
Invalidët e pjesshëm dhe KMCAP 
Pyetje 
Në letrën e tij Z. Jorgji Shani nga fshati Shtërmen i Elbasanit shkruan: Më 25.09.2017 plotësoj moshën 65 vjeç. Kam 43 vjet punë i siguruar prej 5 vjetësh jam invalid I pjesshëm dhe punoj 6 orë në ditë në radiostacionin e Cërrikut me pagë neto 27 000 lekë në muaj dhe për dy orë marr pension invaliditeti në sigurimet shoqërore në masën 10 800 lekë në muaj si dhe 2 200 lekë nga bashkia. Më 28 Shkurt të këtij viti do të dal në KMCAP Elbasan. Pyes, pas daljes në pension pleqërie në moshën 65 vjeç a do të paraqitem vitet e tjera në KMCAP dhe a do të vazhdoj të përfitoj nga bashkia 2 200 lekë në muaj mbi pensionin e pleqërisë? 
Përgjigje 
Për pension të plotë këtë vit përveç moshës 65 vjeç për burra kërkohen edhe 36 vjet punë të siguruara në vendin tonë pavarësisht nga gjinia. Në vjetërsinë e punës përfshihet edhe periudha e paguar me pension të plotë ose të pjesshëm invaliditeti sipas nenit 58 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Bazuar në ligjin e ri të pensioneve për ato dhe ata që kanë dalë në pension nga 1.01.2015 dhe vazhdojnë të dalin në pension sa më shumë vite pune të kesh punuar i siguruar aq më I lartë del pensioni. Përveç pensionit të pleqërisë që do të merrni nga data 25 Shtator 2017 ju do të vazhdoni të përfitoni çdo muaj edhe 2 200 lekë nga bashkia dhe nuk do të dilni herë tjetër në KMCAP Elbasan në asnjë vit gjithashtu duhet të plotësoni dokumentet për të përfituar edhe kompensimin e energjisë elektrike prej 648 lekë në muaj. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve. 
Tërheqja e pensionit për personat jashtë vendit 
Pyetje 
Në një bisedë telefonike aktori, regjisori dhe ish drejtori i Estradës së Tiranë Kosta Kamberi tha: më 23 Shkurt 2017, plotësoj moshën 65 vjeç dhe kam 33 vjet punë të siguruara në vendin tonë. Meqenëse unë banoj familjarisht në Amerikë dhe në ligjin e sigurimeve shoqërore kanë ndodhur disa ndryshime pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension ?
Përgjigje
Ju përfitoni pension më 23 shkurt 2017 në moshën 65 vjeç dhe për pension të plotë duhen 36 vjet punë të siguruara. Me vitet e punës që keni do të përfitoni pension të pjesshëm rreth 95% të pensionit të plotë. Nëse dëshironi të merrni pension të plotë para plotësimit të moshës së mësipërme keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar 57.024 lekë për një vit, ose 4752 lekë në muaj. Pensioni paguhet vetëm në lekë dhe në vendin tonë. Ju keni të drejtë të vini ta tërhiqni pensionin deri në 3 vjet. Sa herë rriten apo indeksohen pensionet me vendim Qeverie përfitoni edhe ju pa qenë nevoja të bëni dokumente shtesë. Pensioni i pa tërhequr mbi 3 vjet nuk paguhet. Në marrëveshje me Sigurimet Shoqërore pensioni çdo muaj mund të iu kalojë në një nga bankat e nivelit të dytë, ose mund të autorizoni një nga të afërmit tuaj për ta tërhequr pensionin tuaj deri në 6 muaj. Kur kalon ky afat bëhet një autorizim i noterizuar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
Pagesa e lejes së barrë lindjes
Pyetje 
Zamira nga Durrësi në letrën e saj shkruan: mbasi mbarova studimet e larta ditën, kam 6 muaj që fillova punë e siguruar dhe jam shtatzënë. Në Maj pres të filloj lejen e paralindjes. Sipas informacionit që kam periudha e studimeve të larta ditën quhet vjetërsi pune. Pyes, a më takon me pagesë leja e barrë lindjes ?
Përgjigje 
Bazuar në nenin 13 të ligjit nr. 104/2014,” E ardhura për barrë lindje i paguhet gruas së siguruar kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi”, ndërsa sipas nenit 42 të ligjit të mësipërm periudha e studimeve të larta ditën për femra njihet periudhë sigurimi vetëm për pension pleqërie dhe jo për leje lindje. Leja e lindjes për nënën që ka në shtatzëni një fëmijë leja është 365 ditë kalendarike, nga e cila e detyrueshme është 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë kalendarike pas lindjes. Pas kësaj periudhe ju keni të drejtë të paraqiteni në pune. Pas 63 ditëve të drejtën e lejes me pagesë për kujdes fëmije e ka edhe bashkëshorti nëse ka një vit punë i siguruar. Shpërblimi i lindjes është 11.000 lekë dhe merret nga bashkëshorti në qendrën e tij të punës duke paraqitur certifikatën e lindjes. Pagesat e raporteve mjekësore të lejes para e pas lindjes dhe shpërblimin e lindjes përballohen me fondet e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu kur fëmija regjistrohet brenda 60 ditëve kalendarike në zyrën e gjendjes civile, përfitoni 5.000 lekë shpërblim. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Durrës. Raportet mjekësore të pagueshme quhen vjetërsi pune për pension.
Shpërblimi pas daljes në pension kur ndërpritet kontrata
Pyetje 
Një mësuese nga Tirana në një bisedë telefonike tha: më 5 Shkurt të vitit 2017, plotësoj moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj dhe kam 37 vjet punë të siguruara. Për arsye familjare me dëshirën time punën e kam ndërprerë në fund të nëntorit të vitit 2016. Pyes, a më takon një pagë mujore shpërblim, kur të dal në pension ?
Përgjigje
Mbështetur në vendimin e Qeverisë nr. 493, datë 6 korrik 2011, punonjëses që punon në institucionet buxhetore që ndërpret marrëdhëniet e punës për shkak se del në pension pleqërie përfiton deri një pagë mujore shpërblim. Meqenëse ju marrëdhëniet financiare me qendrën e punës i keni ndërprerë me dëshirën tuaj para plotësimit të moshës së pensionit nuk ju takon shpërblimi i mësipërm.
Sigal