Evdal NURI/ Tre rezultate të ndryshme për të njëjtën analizë!

665
Sigal

Pse jemi të shqetësuar? Ku bëhen më saktë analizat: në laboratorët shtetëror apo ato privat?  Dihet se në laboratorë, bëhen shumë analiza. Unë do të trajtoj vetëm problemin e yndyrave pasi  besoj se është problem, pothuajse, për të gjithë njerëzit sot. Takoj një mikun tim që tregoi për analizat që kishte bërë në tre laboratorë të ndryshëm me rezultate të ndryshme… Rezultatet: Laboratori i parë e ksihte nxjerrë kolesterolin 305.8 dhe trigliceridet 159.6. Rezultati i dyte në  një laborator shtetëror  krejt ndryshe: kolesteroli nga 305.8 ishte ulur në 183. Diferenca ishte 122. 8  shumë e madhe. Pra shumë keq i pari, shumë mirë i dyti! Është jo bindës që rezultati i triglicerideve të jetë kaq alarmant dhe i pabesueshëm. Norma është 40-150. Nga 331.6, pas tri javëve të ulen 121, me një diferenca prej 210. Dhe kolesteroli të ulet nga 273.9 në 170 me diferencë 103.9! Kush ka të drejtë? Laboratori i parë!? I Dyti? Apo i III-ti? Tri laboratorë, dy privat e një shtetëror, për të njëjtin person japin rezultate krejt të ndryshme. Për asnjë s’kam paragjykim! Por është e papranueshme dhe jo i besueshëm, ky ndryshim i kaq i madh! Ky është një problem shqetësues e prezent, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë laboratorët. Dikush nga këta gabon. Kujtoj se, çdo analize tek privati është një shpenzim goxha i madh, sidomos kur bëhet fjalë për një pensionist. Ndoshta u përdorën shumë shifra, por besoj se ishin të nevojshme për të kuptuar, se sa ndryshojnë shifrat nga njëri laborator tek tjetri, edhe pse kemi të bëjmë me të njëjtin personi e pothuajse në një kohë të përafërt. Kujt t’i besojmë..? Shtetit që të “qetëson” kur jemi “keq. Apo privatit, që të “shqetëson” kur jemi “mirë?! Tek rasti i parë nuk do të përdorej asnjë lloj medikamenti se, “Ke dalë mirë”, kur në fakt je keq.  Në rastin e dytë do të përdoreshin kot ilaçet sepse analizat “kanë dale keq”, por në fakt je mirë.

-Marshallah, “themi”, por marshallah “s’jemi”!

Më befasoi një mjek kur më tha: “Epo në mjekësi një dhe një nuk bëjnë dy!

-Po sa bëjnë, ia prita unë!? Ai ngriti supet dhe u largua pa e zgjatur! Në çdo shkencë 1 +1 =   2. Vetëm në mjeki nuk “bëkan dy”?! Sa keq! Shkenca që ka të bëjë me jetën e njeriut, që Zoti ia ka falur vetëm një here, qenka më e pasakta?! Kurse një mjek tjetër na e lidhi mjekësinë me matematikën, duke më thënë: “Bëji dhe një herë që të gjejmë një të mesme”. Unë nuk e kuptoj,  ç’lidhje ka e mesmja matematike me sëmundjen e njeriut? Nga shkolla mbaj mënd se, mesatarja  aritmetike del duke mbledhur shumën e të mbledhshmi pjesëtuar me numrin e tyre. Por nëse je apo jo i sëmurë s’ka lidhje fare më këtë! Para disa ditëve takova djalin e z.Hafiz Sabri Koçit, i cili me urtësi, përkushtim e zotësi ka drejtuar Komitetin Mysliman Shqiptar për 13 vjet. Me tha se, Zoti “është i madh. Agjërimi, sqaroi, të bën mjaft mirë, për të tretur yndyrat. Mos ka ardhur koha që t’i besojmë më tepër këtyre këshillave të fesë? Mbase mjekësia po na i dredh   shumë me teori, e justifikime…

-Kush do ta zgjidh këtë problem?

Në këtë shqetësim të përgjithshëm,del e domosdoshme ndërhyrja e shtetit. Ai me organizmat e tij, (që paguhen për këtë punë) ka të drejtën e kontrollit në laboratorët private e shtetërorë. Të merren analizat e disa personave që kanë ankesa. Këto të bëhen në laboratorë të saktë e të specializuar. Nga këtu të dalë e vërteta në shesh. Të kuptohemi, kjo i ndodh pothuajse të gjithëve  nuk është rasti i një individi, prandaj ka ardhur koha që Ministria e Shëndetësisë ta zgjidhi përfundimisht këtë shqetësim. Mos vallë kjo pakujdesi ndodh nga dyndja e madhe e hallexhinjve  në laboratorët shtetëror? Dhe të gjithë pothuajse dalin “Mirë”. Mos, privati i nxjerrë keq që t’i shkosh prapë … ?  Dhe dihet s’e po vajte faturën ta japin te sporteli pa të marrë gjak. Kjo kontradiktë duhet zgjidhur nga ata që e kanë për detyrë. Nuk mohohet fakti se diçka po lëviz dhe  në fushën e shëndetësisë. Ka ardhur koha që të ç’rrënjosen, konceptet negative të rrënjosura ndër vite, që e shohin të sëmurin me syrin e “Njerkës”. Ashtu si klienti shihet si “Mbret” nga shitësi, po ashtu dhe pacienti të shihet si “Mbret” nga mjeku. E theksoj këtë se, në fund të fundit dhe mjeku, laboranti, infermierja rrogën e marrin nga ai pacient që e shohin si “viktimë”! Më kanë thënë se, diferencime në saktësimin e analizave do të ketë mbasi reagentët s’janë njësoj. Ata vërtetë mund të mos jenë njësoj, dhe kjo është e pranueshme, por me shifra 10-20. Por kur  diferenca shkon me tre shifra është e pafalshme! Këto shifra janë aq të mëdha sa të sëmurin e bëjnë “të shëndoshë”, e të shëndoshin e bëjnë “të sëmurë”. I sëmuri që ka dhimbje, e shqetësime nga më të ndryshmet, s’do t’ia dijë për reagentët. Ai e do jetën, ashtu s’i e do mjeku që i bën analizën, dhe do që të mësojë saktë për gjendjen e tij shëndetësore.  E pra kjo qenka e vështirë të gjendet në shëndetësi. Mirë thonë, “Gjynahet e mjekut i “Mbulon dheu”.

I nderuar lexues! Unë trajtova problemin e yndyrave, por i njëjti fenomen është dhe me sëmundje e dhjetra analiza të tjera që ju bëni. Shumica e ka provuar, dhe besoj e kupton këtë fenomen. Ata që s’e kanë provuar (e mos e provofshin), i këshilloj që, krahas gjakut që do t’i merret, të marrin me vetë dhe ca “lekë” s’e ndryshe s’kanë për të zgjidhur punë. Disa miqtë e mi më thanë: “Ç’lodhesh kot? Pse t’i do ta rregullosh këtë punë?” Unë me ç’ka shkruaj, edhe pse s’kam besim që do të rregullohet, qetësohem shpirtërisht mbasi vë në dukje një padrejtësi! S’di se sa munda ta trajtoj këtë shqetësim mbarë shoqëror! Por, për një gjë jam i sigurt, ky fenomen është aktual e prezent, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha laboratorët e analizave mjekësore. Kopjet e analizave mbahen nga laboratori, nga mjeku i lagjes, e nga  pacienti. Le të verifikohen. S’dua të akuzojë asnjë laborator, mbasi s’mundem, e s’më takon të nxjerr një konkluzion të tillë. Por, ky problem mjaft shqetësues, ekziston e duhet zgjidhur me urgjencë, për të dale e vërteta në shesh. Në të kundërt paska pasur të drejtë mjeku që tha: “Në mjekësi 1 +1 s’bëjnë dy”…!