Evdal Nuri: Kaposhi i rëndë, pula e shtrënjtë……… .!

34
Evdal Nuri
Sigal

Kaposhi 1300 lek kg, pula 1500 peshë e gjallë. Se sa venë të therrura s’mund ta përcaktoj, por shumë më tepër! Mundësia, është sipas takatit jo inatit! Disa marrin pulë, të tjerët kaposh. Ka dhe nga ata që “fluturojnë” jashtë vendit. Fukarenjtë as pulë e as kaposh. Të bashkosh dy pensione që t’i marrësh. Do marr një pulë fushe ,-më thotë një grua me 11500 pensionin. Arsyeja s’del hesapi. Mirë thonë: “Esapi që bëhet në shtëpi s’del në pazar”!

1-Pensionet më të ulta dhe në rajon!

Në Maqedoninë e Veriut këtë vit pensioni mesatar 311 euro. Në Sërbi 318 euro. Në Mal të Zi, 361euro dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë 275euro. -Në Shqipëri, arriti 164 euro në 6-mujorin e parë 2023. Një tjetër krahasim. Pensioni mesatar në Shqipëri këtë vit është 48% më i ulët se në Serbi, 47% më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, 54% më i ulët se në Mal të Zi dhe 40% më i ulët se në Bosnjë-Hercegovinë.
Indeksimi i pensioneve në qytet marrin 1.500 lekë më shumë, në fshat 900 lekë. Çmimet janë rritur, kur në gjithë vendet e tjera ulen. Telefonatat e mëngjezit të bindin. Gjysma e telefonatave e zënë ankesat e pensionistëve: Na mbajnë fëmijët. Në treg çmimet janë rritur kudo. Djathi, mishi, 1500 lekë, kosi, qumështi 200, spinaqi, brokli, sallata 300 lekë. Gjysma e pensioneve i shpenzojmë për ilaçe. Pensionet s’na dalin ankohen të gjithë e të tjera ankesa.” Kur norma e inflacionit rritet të mirat materiale zvogëlohen. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese, duhet të marri 21.000!

2- Edhe pse marrin më shumë jetojnë më keq!

Inflacioni ndikon në mënyra të ndryshme tek njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit, që jetojnë me të ardhura fikse, mbase çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye Qeveria e ka për detyrë të paktën të mbajë të pandryshueshëm standartin e jetesës. Në këtë drejtim ndikojnë paga nominale e paga reale. Pagë nominale quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standartin e jetesës. Edhe pse paga nominale rritet çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është se çmimet rriten me një përqindje më të madhe sa përqindja e rritjes së pensionit, kështu që niveli i jetesës ulet! Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm nivelin  e jetesës, s’i po ndodh këtë vit! Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Jetesa bëhet më e vështirë. Nga indeksimi i pensioneve tek ne përfitojnë 737 mijë persona, Ky indeksim ndodh në Shqipëri, aktualisht kur ka vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare, por që po shtohet me hapa të shpejta. 5 mijë lekësh në dorën e tyre është shumë pak! Do të ishte më e arsyeshme që pensionistëve t’i jepesh një pension shtesë. Në Kosovë iu dhanë nga 100 euro pensionistëve dhe fëmijëve. Po kur të thonë s’ka lekë? Vendimi i Qeverië për të marrë pensionet në bankë do të krijojë një kahos. Kjo nga grumbullimi, nga mosha, pamundësia për të lëvizur e tjerë. Shitësi i lagjes Qerameti më tregoi fletoren e pensionistëve, që marrin se s’kanë mundësi t’i paguajnë! Me tej më sqaroi, që s’janë vetëm pensionistët, por dhe ata që punojnë në ndërmarje private. Ka raste që ato i paguajnë dy apo në tre muaj. Shpesh tek pensionistët dëgjojmë shprehjen:”Kur të marrim pensionin, do paguajmë dritat, ujin, do marrim këtë apo atë, mbase tani s’kemi”! Ose, kemi 5000 lekë . Na duhen dhe dhjetë ditë për  pensionin. Do shpenzojmë 500 lekë në ditë sa të vijë data ! Kjo kufizon jetesën e “ këto kur” të marrim pesionin mbeten për muajin  tjetër. Kjo do të thotë të jetosh në varfëri, e të numërosh ditët.


-3 Por, ç’është pleqëria?

Pleqëria tek ne përputhet me moshën e pensionit, Ajo fillon pas moshës 65 vjeç. Pensioni na kujton se jemi duke u plakur. Humbet interesi për jetën. Është interesant se të moshuarit, kujtojnë ngjarjet e kaluara e harrojnë të tashmet. Bëhen tamahqarë në ushqim e ilaçe. Ajo vjen gradualisht pa e kuptuar e thellohet duke mos e pranuar. Kanë frikë nga vdekja. Por ka të tjerë, që e pranojnë vdekjen si një fenomen të pashmangshëm. I sheh në rrugë të krusur. I sheh në lulishte duke lozur domino apo letra. Disa i sheh të shtrirë, mos më keq. I sheh me trasta në dorë  me nipër e mbesa. I sheh dyerve të spitalit të sëmurë. Keq! Të këputet shpirti! Ndoshta disa i quajnë të tepërt, harraq të bezdisur, të rrjedhur, siç kemi dëgjuar lartë e poshtë, por kjo s’është e vërtetë. Po kush janë këto “ haraq”? Ja ai atje, që i bije kryq e tërthorë Tiranës në vapë e në të ftohtë është një ish mësues me dy universitete. Ka punuar 40 vjet në arsim duke zhvilluar 30.000 orë mësimi. Ka mësuar mijëra nxënës, që sot janë mjekë, biznesmenë, politikanë, petagogë e tjerë. Ky tjetri është një ish oficer, që mbrojti Atdheun në shi e dëborë, tani punon kambist. I treti në minierë, ai në naftë, tjetri në shëndetësi. Të gjithë punojnë se nuk i del pensioni. Pra, pensionistët e sotëm kanë qenë arsimtarë, mjek, ekonomistë, punëtorë , inxhinierë të nderuar e respektuar, që kanë drejtuar shkolla, ndërrmarje, klinika e digastere. Shumë nga ata kanë qënë profesorë e doktorë të shkencave. Tani si mos më keq! Eshtë e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj , por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumë vjeçare profesionale dhe jetësore që i transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit e reja e mohon të vjetrën , por nuk e asgjëson plotësisht. Ajo merr pozitivet e të vjetrës dhe këto i çon përpara. Pra brezi i ri ka çfarë merr nga ata. Këto i ka për detyrë ta çojë më tej, ndryshe do mohohet zhvillimi. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve. Plakja është një fenomen shumëformësh, e në qoftë se vdekja është e paevitueshme, plakja e kujdesi për të moshuar është përgjegjësi e shtetit  por dhe shoqërisë civile, që e ka përjashtuar veten nga kjo detyrë. Do të vijë një ditë e një kohë që dhe ju do të plakeni. Duke u menduar ( pasi do të keni shumë kohë të lirë) do të kujtoni e të penduar do të thon : “S’i nuk i ndihmuam më tepër pensionistët kur mundësitë i kishim? Por atëhere do të jetë shumë vonë, pasi ne do të jemi të gjithë në Botën tjetër.”