Engjëll MUSAI/Tvsh për shtypin apo agjitacion propagandës?!

552
Sigal

 (Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ndjekur rrugën e Putinit dhe Erdoganit )

Rilindësve të rinj dhe trashëgimtarëve të sistemit bolshevik, nuk do u pëlqente që shtypi dhe media të merreshin me ta dhe t’u prishnin apo t’u nxirrnin në shesh palaçollëqet e tyre dhe të besuarve që ata mbajnë nga pas, në vend të portofolit. Këta delenxhinj, kanë kapur me kthetrat e tyre gjatë 23 viteve pushtetin e shqiptarëve, herë duke e dhunuar dhe herë, duke e përdhunuar  dhe në të gjitha rastet ata flasin në emër të popullit. Dikur një artist i madh shqiptar shkruante se, diktaturat dhe diktatorët  gjithçka e bëjnë në emër të popullit, madje, edhe kur ekzekutojnë njerëzit e popullit përsëri e  justifikojnë në emër të popullit. E pra, këtij populli politikanët duan t’i mbyllin sytë, veshët, gojën dhe ta izolojnë me çdo lloj mënyre mjafton që ai të jetë i trullosur dhe i droguar, vetëm me propagandën qeveritare “të kodit të heshtjes”. Dje, qeveria shqiptare mori një vendim, të bërë publik nga ministri i  Financave, Shkëlqim Cani (ish-zv/kryeministër i qeverisë komuniste të Ramiz Alisë ). Nëpërmjet këtij vendimi, u bënë publike edhe rregullat e tatimit mbi vlerën e shtuar apo sikurse njihet shkurt me termin tvsh. Që në fillim, duhet thënë dhe duhet pranuar që, mediat jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë janë në ditë të zezë dhe mezi mbahen në këmbë. Ndoshta Tvsh-ja e tyre është shumë herë më pak sesa shpenzimet e luksit dhe miliardat që Rilindësit (një emër i përvetësuar padrejtësisht dhe që duhet të mbrohet nga e drejta e autorit), po harxhojnë për zyrat luksoze dhe udhëtime në tufë nga Perëndimi në Lindje. A dini ju zoti ministër i Financave se, në çfarë vështirësish po punojnë mediat sot? Sigurisht që e dini, por zbatoni urdhrin e shefave që u intereson që gjithçka ta kenë nën tutelë. Po ju hoqët tvsh-në për bizneset e huaja që kanë qëllime fitimi dhe që ushtrojnë aktivitet fitimprurës, sikurse janë edhe fasonët. Po ju hoqët tvsh-në ndaj korporatave miliardere të ilaçeve dhe e vendosni ndaj shtypit, medias dhe televizioneve, sepse jeni të lidhur drejtpërdrejtë dhe kërkoni të falimentoni mediat që po nxjerrin çdo ditë lakuriqësinë dhe babëzinë tuaj. Shumë shpejt mediat do organizohen dhe në to nuk do jenë gazetarë të falimentuar apo drejtues shoqatash që ju i keni blerë, duke emëruar në poste familjarët e tyre. Ju në vend që të mblidhni 900 milionë eurot që avullojnë çdo vit vetëm nga KESH, OST dhe CEZ, karburantet, minierat, nga akciza e duhanit, alkoolit, etj, merreni me gazetat dhe televizionet. Po harroni që, ai 20 % i mediave gjatë gjithë vitit është sa pushimet që bëjnë qeveritarët dhe deputetët tuaj në fundjavë bashkë me shpenzimet e kazinove. Botuesit e mediave dhe televizioneve e kanë një zgjidhje, por do jetë fatkeqësi për atë qindra gazetarë që do regjistrohen në zyrat e punësimit dhe asistencës, të cilëve edhe kaq sa janë keni nga 4 muaj e më shumë pa i paguar. Përse nuk u konsultuat me grupet e interesit ju zoti Cani? Ky veprim është i ndyrë nga pamja, i poshtër nga ideja dhe i turpshëm për nga mënyra se si kërkoni të instaloni diktaturën enveriane, pasardhës të së cilës jeni. Me këtë mllef ju po shpejtoni hapat drejt greminës, e cila është e padiskutueshme dhe me përmasa katastrofike për ju dhe shpurën e shoqeve dhe shokëve të shoqeve që ju pasojnë. Një proverb e vjetër thotë se: “Bota pa libra dhe gazeta është botë e egërsirave, dhe se libri dhe gazetat janë i vetmi kopsht që mbillen për të tjerët”. Ju këtë, jo se nuk e dini, po se nuk e dëshironi. Me këto masa që morët ju, nuk bëtë gjë tjetër veçse ndoqët rrugën e diktatorit rus Putin dhe Kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, fundi i të cilëve shpejt a vonë do jetë tragjik, ashtu sikurse edhe ai i atit tuaj shpirtëror.