Meta-Meimarakis: Greqia ju mbështet që ta merrni statusin në qershor

415
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti sot në Kuvend , Kryetarin e Parlamentit të Greqisë z. Vangelis Meimarakis. Z. Meta shoqërohej nga dy Nënkryetarët e Kuvendit z. Vangjel Dule dhe z. Edmond Spaho, dhe Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Greqi z. Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit z. Meta  falenderoi z. Meimarakis për pranimin e ftesës dhe e vlerësoi vizitën e tij në Tiranë si një konfirmim të marrëdhënieve gjithnjë e më të forta  mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë drejtim, u nda bindja e përbashkët se forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, mes Grupeve reciproke të Miqësisë dhe Komisioneve të ndryshme parlamentare ka një rëndësi të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe.

Dy Kryetarët, z. Meta dhe z. Meimarakis diskutuan gjithashtu mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Në përfundim të takimit, z. Meta dhe z. Meimarakis dhanë një konferencë  të përbashkët për shtyp.

 Deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta:

 “Ishte një kënaqësi e veçantë për mua si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me kolegët e mi, dy Nënkryetarët e Kuvendit, z. Vangjel Dule dhe z. Edmond Spaho dhe me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, z. Gramoz Ruçi, njëkohësisht dhe Kryetar i grupit të Miqësisë Shqipëri-Greqi që mirëpresim sot në Tiranë për një vizitë zyrtare Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, z. Vangelis Meimarakis. Në këtë vizitë të parë të tij dypalëshe në Tiranë, por edhe për të marrë pjesë bashkarisht nesër në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko – Joniane.

 Kemi vlerësuar së bashku me z. Meimarakis se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë po përjetojnë një  fazë më dinamike dhe të frytshme të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit, duke patur në konsideratë jo vetëm  vizitat shumë të rëndësishme të Presidentit  Papulias në Tiranë,  Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Venizelos,  për një axhendë të plotë dhe mjaft intensive të shkëmbimeve të dy qeverive dhe dy vendeve tona.

Ndaj dhe në këtë vizitë të Kryetarit të Parlamentit të Greqisë theksohet rëndësia e forcimin të  mëtejshëm të shkëmbimeve ndër-parlamentare midis dy vendeve, si marrëdhënie shumë të rëndësishme për të shtyrë më shpejt përpara marrëdhëniet midis dy qeverive tona.

 Kemi rënë dakord për të intensifikuar më tej  shkëmbimet parlamentare, në të gjitha  nivelet e tyre.

Njëkohësisht, Kuvendi i Shqipërisë ka tashmë një Grup Miqësie Shqipëri-Greqi që kryesohet nga z. Gramoz Ruci dhe kjo tregon rëndësinë që ne i japim marrëdhënieve me këtë vend fqinj. Marrëdhënie të  një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe popujt tanë.

Vizita e Kryetarit të Parlamentit të Greqisë z.Meimarakis shënon një moment të rëndësishëm atë të  Presidencës Greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.  Ndaj dhe kjo vizitë ka edhe  dimensionin e saj evropian.

 Ne kemi shprehur mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen që Greqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Shqipërisë për avancimin e axhendës sonë evropiane.

 Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, përfaqëson një avokate të rëndësishme të perspektivës evropiane të gjithë rajonit tonë dhe ne e vlerësojmë përkushtimin e saj për të përshpejtuar   integrimit evropian të të gjithë  rajonit tonë, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, e cila si gjithë rajoni ynë e ka vendin në BE.

  Shqipëria dhe Greqia, si dy vende  anëtare të NATO-s,  kanë një  përgjegjësi të veçantë  në mbarëvajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Bashkëpunimi i ngushtë mes vendeve tona në kuadër  të nismave rajonale, është një kontribut i vyer për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për rritjen e sigurisë mjedisore dhe energjitike për rajonin tonë dhe për vetë BE.

 Këtu kemi vlerësuar avancimin e Projektit TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjitike jo vetëm të vendeve tona, por edhe të Evropës.

 Së fundmi, Shqipërinë dhe Greqinë nuk i bashkojnë vetëm hapësira e përbashkët gjeografike dhe historike, as e ardhmja e përbashkët në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha ura e shkëlqyer e miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit që mishërohet nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi. Ruajtja dhe kultivimi i vlerave kulturore, gjuhësore dhe arsimore reciproke ka rëndësi të veçantë për të dy popujt dhe vendet tona.

  I uroj z. Meimarakis qëndrim të mbarë dhe vizitë të frytshme në Tiranë, në kuadër ë vizitave që unë përmenda më parë gjatë këtyre muajve të fundit.

Kjo vizitë na mungonte, por tashmë është realizuar dhe shpresojmë që Tiranës së afërmi ta vizitojë edhe Kryeministri i Greqisë, z. Samaras sepse për ne progresi i Greqisë është shumë i rëndësishëm. Parlamenti, Qeveria  dhe populli grek kanë  bërë përpjekje të admirueshme për të kaluar një situatë mjaft të vështirë dhe ringritja e Greqisë është shumë e rëndësishme  për Shqipërinë dhe për të gjithë perspektivën evropiane të rajonit tonë”

 

Deklarata e Kryetarit të Parlamentit të Greqisë z. Vangelis Meimarakis:

 Dëshiroj edhe unë nga ana ime zoti Kryetar që t’ju falënderoj shumë qoftë për ftesën që më bëtë, qoftë për atmosferën që mbretëron këtu dhe që është një tregues i qartë për marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Jam shumë dakord me të gjitha ato që tha zoti Kryetar. Po shtoj këtu, se me të vërtetë Greqia kaloi një periudhë të vështirë.

 Një periudhë për të cilën shumë dyshonin nëse Greqia do të ishte në gjendje t’ia dilte mbanë. Një periudhë për të cilën shumë shpreheshin se ndoshta me kwto vwshtirwsi Greqia mund të dilte qoftë nga Eurozona, qoftë nga Bashkimi Europian. Por, me vullnetin dhe sakrificat e qytetarëve grekë, ne ia dolëm mbanë, ne ia arritëm dhe përgënjeshtruam të gjithë ata skenarë që ishin hedhur në qarkullim. Kështu që ne jo vetëm nuk dolëm nga Eurozona, por sot ne ushtrojmë edhe Presidencën institucionale të Bashkimit Europian. Siç të gjithë thonë dhe e pranojnë, e ushtrojmë këtë presidencë me autoritetin, por me mënyrën e duhur për një vend të Bashkimit Europian.

 Brenda objektivave të Presidencës sonë, është e qartë që një ndër objektivat është që Shqipëria deri në muajin qershor të ketë një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në mënyrë të përsëritur ne kemi theksuar, por edhe me vepra e kemi treguar se i gjithë ky rajon i trazuar i Ballkanit duhet të integrohet qoftë në Bashkimin Europian, qoftë në NATO, derisa të plotësohen kushtet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Kuptohet dhe dihet që integrimi i të gjithë rajonit në Bashkimin Europian dhe në NATO do të ndihmojë stabilitetin, do të ndihmojë sigurinë, por do të ndihmojë edhe qytetarët me zhvillimin që do të marrë rajoni, zhvillim që do të jetë në të mirën e tyre. Ashtu si ne ndihmuam që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, me më tepër forcë dhe dëshirë do ndihmojmë, do përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur në mënyrë që brenda Presidencës greke të BE-së të kemi një përgjigje pozitive për çështjen për të cilën folëm.

 Prandaj unë besoj se me këtë vizitë ne dërgojmë një mesazh optimizmi se marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera, karakterizohen si marrëdhënie strategjike midis Greqisë dhe Shqipërisë. U dërgojmë një mesazh jo vetëm qytetarëve, por të gjithëve se dy vendet tona kanë mundësi dhe duhet të bashkëpunojnë me sinqeritet për të mirën e qytetarëve, për të mirën e zhvillimit dhe ka shumë rëndësi që këtë mesazh ta japim ne, Kryetarët e Parlamenteve. Unë me shumë respekt dhe emocion i drejtohem Parlamentit, sepse në çdo Parlament dëgjohet zëri i pastër, zëri original i qytetarëve. Ne jemi përfaqësuesit e qytetarëve. Ne japim llogari para tyre.

 Ne mbështesim kontrollojmë dhe ushtrojmë presion pozitiv mbi qeveritë tona, prandaj përgjegjësia e parlamenteve kombëtarë ka shumë rëndësi në funksionimin e demokracive parlamentare. Gëzohem shumë që Kryetari i Parlamentit në Shqipëri është personalitet i rëndësishëm, siç jeni ju z. Kryetar, që mund të përafroni të gjitha këto pikëpamje, kuptohet dhe ashtu siç kërkohet, duke dëgjuar në rolin e Kryetarit të gjitha palët dhe duke gjetur gjithmonë zgjidhjen më të ekuilibruar që ka lidhje me çështjet me të cilat përballen qytetarët tanë. Sepse, janë të vështira orët për parlamentet tona. Këto parlamentet tona janë të detyruara të marrin vendime me përfitim për qytetarët në periudhën afatgjatë, por në periudhën afatshkurtër këto vendime mund të kenë ndikim negativ. Prandaj ne nuk duhet të mjaftohemi së luajturi rolin për vënien e vulës, por duhet të japim edhe kontributin tonë, pra të marrim pjesë në dialogun për marrjen e vendimeve.

 Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe uroj që edhe konferenca e nesërme të ketë atë sukses që ne të gjithë presim. Qysh sot ne do kemi kontaktet tona për takimet që do të zhvillohen mes komisioneve parlamentare në mënyrë që ky bashkëpunim të shkojë sa më përpara. Dëshiroj me këtë rast të falënderoj dy nënkryetarët dhe përfaqësuesit e forcave politike që përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë dhe t’ju sjell këtu edhe unë pikëpamjen dhe mendimin pozitiv të të gjithë partive politike në Greqi për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë”.