Engjëll Musai: Shqiptarët duan lëvizje të lirë me SHBA dhe Anglinë, jo me Kinën e Rusinë

191
Sigal

Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Proceset demokratike në Shqipëri që shënuan fillesat e rrëzimit të sistemit monist nisën më 2 korrik 1990, kur mijëra qytetarë u futën në selitë diplomatike në Tiranë, duke shprehur urrejtjen ndaj diktaturës, me largim. Madje kjo ditë njihet edhe si dita e hapjes apo futjes në ambasada. Por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se shqiptarët e larguar nga ambasadat, anijet, gomonet dhe nga kufiri, ikën me shpresën e madhe për një jetë më të mirë, larg dhunës, varfërisë, papunësisë, pasigurisë, dhe terrorit. Pak a shumë me të njëjtën arsye dhe qëndrim ndaj qeveritarëve të sotëm, ku shqiptarët e shprehin pakënaqësinë me emigrim.

Por çfarë kërkonin Studentët e Dhjetorit  dhe qytetarët e protestave të viteve 1990 dhe 1991 ? Kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa dhe Amerika. Por sot pas 33 vitesh në vend të Perëndimit, Europës dhe Amerikës na ofrohet sërisht Lindja. Në vend të BE na ofrohet Lindja e afërme, në vend të Anglisë na ofrohet Rusia, shqiptarët duan SHBA, por neve na ofrohet lëvizja e lirë dhe pa viza me Kinën. Kjo ka bërë që mbi 1.7 milion shqiptarë të marrin arratinë që nga viti 1990, dhe vetëm në 10 vitet e fundit, emigrimi ka përfshirë rreth 700 mijë qytetarë. Dhe ndryshe nga fillimi i eksodeve të post-diktaturës, ky emigrim ka përfshirë intelektualët, specialistët, ekspertët dhe sidomos rininë ku mosha 15-29 vjeç përbënë 50% të të larguarëve. Shkollat po mbyllen, spitalet janë boshatisur nga personeli, specialistët e të gjithave fushave po ikin, aq sa mungojnë edhe çobanët e bagëtive, pasi fshatrat janë shpopulluar. Gomonet e kanalit Franc-Angli, na rikthyen gomonet e Otrantos së zezë, çka përbënë një fatkeqësi për kthesën e rëndsishme që mori vendi, prej politikanëve aventurier që e degdisën popullin drejt emigrimit. Mbi 140 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani, Holandë, Suedi e vende të tjera të Bashkimit Europian dhe mbi 250 mijë shqiptarë aplikojnë çdo vit për Lotarinë Amerikane. Në krye të vendit është qeveria më e korruptuar e 30 viteve demokraci, e lidhur me krimin dhe e mbushur me kriminelë, që iu zhvat shqiptarëve mbi 1.5 miliarde euro në vit. Ndaj rikthimi i timonit të orientimit drejt Lindjes, marrëveshjet ruso-kineze të lëvizjes pa viza, janë një thirrje që të bashkohemi , jo për t’u larguar si më 2 korrik nga ambasadat, me anijet e marsit apo me gomonet, por për të larguar këtë regjim kriminal e të korruptuar e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën e humbur.