Ëngjëll Musai: Primaret duhet të bëhen për të garantuar fitoren ku mungon përfaqësimi, jo thjesht për të emëruar të besuarit e klanit të radhës

171
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

Qytetarët e Shqipërisë do të dëshironin nga opozita që në zgjedhjet lokale të kishin përfaqësues që i njohin hallet dhe problemet e tyre, që kanë dhënë prova për menaxhimin e pushtetit lokal, pse jo edhe atij qëndror dhe mbi të gjitha duan ata persona që dinë t’i japin zgjidhje ngërçit në të cilën ndodhet sot vendi. Shqiptarët nuk votojnë me symbyllur. Ata në këto zgjedhje nuk do votojnë më ata persona, apo liderë nga të cilët u mashtruan në këto 10 vitë të Pozitës dhe Opozitës së ‘re’ dhe të ‘vjetër’. Votuesit nuk mundet të pranojnë më që një sekt, të zëvendësohet nga një klan, cilidoqoftë ai. Në këto zgjedhje lokale nuk do të votohet më për politikën, as për drejtuesit e tyre, të cilët janë dy pjesë që kanë mbajtur në balancë peshoren e varfërisë dhe atë të shpresës së humbur nga ana tjetër. Më duket sikur u ringjall “epopeja” e famshme dhe qesharake, e cila thoshte: Çbëje zotrote bej efendi, kur unë luftoja (protestoja) për Shqipëri?! A ishin këta sejmenë që sot rrinë pas hijes së drejtuesve, që siguruan vendet e tyre në listat e preferencës dhe e çuan opozitën në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në humnerë?! Pse nuk e ngritën zërin kur u shkel statuti i rikandidimeve? Pse nuk folën për dështimin e qëllimshëm të koalicioneve, si në 2017 ashtu edhe në 2021? Pse heshtën për shitjen e turpëshme të pushtetit lokal? Më gjeni një deklaratë të opozitarëve të rinj dhe të vjetër për dorëzimin e mandateve nga parlamenti dhe zëvendësimin e tyre me analfabetë funksional të listës së radhës.

Po për tërheqjen e kandidatëve nga pushteti lokal dhe lënien 100% të pushtetit lokal dhe këshilltarëve në duart e pozitës, a ka ndonjë përgjegjsi opozita dhe opozitarët parazitë që ditën i fshijnë kostumin liderit dhe natën venë e flenë me oligarkët e traut të Rrugës së Kombit dhe kondrabandistëve të naftës së përzierë me kokainë në cisternat e tyre?! Ndaj “Primaret” apo e thënë më shqip, përcaktimi i kandidaturave nga antarësia dhe shoqëria civile, më tepër po justifikohet si process që do mënjanojë qejfmbetjet mes konkurentëve, por në fakt ‘Primaret” po përdoren për të monopolizuar pushtetin në një dorë të vetme të tre a katër personave ku mes tyre ka edhe individë që po rishesin vullnetin e demokratëve tek pozita dhe oligarkët që mbështesin kryebashkiakët aktualë: në këmbim të milionave nën dorë. Kjo do jetë një humbje e madhe sidomos për drejtuesin e PD-së Berisha, të cilit më shumë se emërimet  e fshehura nën petkun e “primareve” i nevojitet  vizioni i kandidatëve sipas nevojave reale të qyteteve. Pra parësor duhet të mbetet vizioni, përse ka nevojë më të ngutëshme qyteti apo komuna? Fjala bie Kamza nuk ka nevojë për policë, por ka nevojë për një drejtues që të njohë furnizimin me ujë dhe jo ta blejnë me bidona: të kenë ngrohje, punësime, uljen e taksave, shkollat, kopshtet etj. Pra kërkohet të zgjedhim përmbajtjen dhe jo formën. Në zgjedhjet e 2021, vetëm Dibra, fitoi si qark. Kush e kishte meritën për këtë? Sigurisht drejtuesi politik dhe ai elektoral Xhelal Mëziu. Ja pra që pikërisht njeriun që ka drejtuar për 20 vjet PD-në e Kamzës dhe 3 mandate bashkinë, nuk na i dashka ndonjë tjetër polic që qëndron pranë paradhomës së Berishës, apo ndonji pazarxhi që bukën e ha tek PD-ja dhe vezën e bën tek koteci i oligarkut të “traut”.

Po pse u anashkaluan “primaret në 6 bashkitë kryesore të vendit? Sigurisht që mirë u bë, pasi drejtuesit politikë dhe deputetët janë të certifikuar nga primari popull. Sondazhet e fundit të bëra vetëm 10 ditë më parë nga një kompani euro-atlantike nëse zgjedhjet do të bëheshin në dhjetor e nxjerr opozitën e Berishës vetëm me 8 bashki. Sigurisht në këtë situatë edhe Kamzën e marrin socialistët. Ndaj grupimi i Berishës duhet t’i shikojë kandidaturat me më pak emocione dhe më shumë racionalitet! Nga Berisha kërkohet të ndërhyjnë sa nuk është vonë, pasi anija po u mbyt, përgjegjësi kryesor mbetet gjithmon “Kapiteni”.