Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Rreth 80 vite më parë më 2 gusht 1943 në një nga fshatrat e Shqipërisë së Mesme, pikërisht në Mukje, partitë e majta dhe të djathta së bashku me nacionalistët pa parti dërguan përfaqësuesit e tyre për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike. Por historia mesa duket përsëritet dhe në kohën kur Kombi ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, solidaritet, mbështetje dhe strategji që sikurse thonte i paharruari Dritëro Agolli; midis shqiptarëve “këtej Drinit dhe matanë Drinit”, sërish ne rikthehemi tek marrëveshjet e disa njerëzve që për interest e tyre personale e karrieriste janë të gatshëm të djegin “jorganin për një plesht”, duke na kujtuar vitin e mbrapsht të gushtit 1943, kur marrëveshja e Mukjes në vend të na gjente të bashkuar , na përçau edhe më shumë, çka po e vuajmë edhe sot pas 80 -vitesh. Momenti i marrëveshjes së Mukjes ishte më ideali për Kombin.I tillë ishte, ende është edhe në këtë dekadë pas Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, përpara se të niste turin ballkanik për të lajmëruar “funeralin” e mbylljes së “Ballkanit të Hapur”, duhej të mblidhte faktorin politik real në Shqipëri dhe jo “lolot” që vijnë vërdallë tepsisë së “Rilindjes” për të përfituar ndonjë kockë, dhe të niste takimet me faktorin mbarëshqiptar në Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi dhe shqiptarët e Çamërisë, ku këtyre të fundit duhej t’i rikthente të njëjtën shërbesë që Micotaqis bëri me minoritetin grek nën shoqërinë e vetë Kryeministrit Rama. A do shkojë Rama së bashku me Micotaqis në trojet e shqiptarëve të Çamërisë? Të mos harrojmë se ne shqiptarët jemi faktori më i rëndsishëm dhe më i madh territorial, ai i popullsisë dhe shtrirjes gjeografike. Por në vend të solidaritetit në interesin madhor të Kombit të shqiptarëve, kryeministri Rama i përçau shqiptarët, punoj së bashku me faktorin antishqiptar për ndarjen e saj duke bërë paqe dhe pakt me tradhëtarët e Kombit shqiptar dhe të gjitha qarqeve shoviniste që kanë masakruar dhe gjakosur shqiptarët në shekuj.
Marrëveshja e Mukjes më 2 gushtit 1943 u konsiderua kundër revolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve ,Vukmanoviç Tempo pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptarë, e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Sot pas 80 vitesh ne jemi në të njëjtën situatë ku “Mukja” na vjen me një model të ri sikurse është ai i “Ballkanit të Hapur”, ku çifti Rama- Vuçiç, i pari pasardhës i PK dhe tjetri zëdhënësi modern i Milloshëviçit dhe Titos, po kryqëzojnë drejtuesit Politik dhe Atdhetar të Kosovës. Rama ka harruar faktorin shqiptar në Maqedoni dhe po flirton me Maqedonasit, ka harruar shqipatarët e Malit të Zi dhe hartonëplane me nacionalistët e kishës serbo-ruse, si dhe ka fshirë nga kujtesa historike Çamërinë dhe përgatitet t’i shesë ujërat Greqisë. Pikërisht në këto momente të veçanta më kujtohen fjalët e arta të ennciklopedistit dhe mëndjendriturit Sami Frashërit, i cili thonte: “Gjithsecili është i detyruar t’i shërbejë Atdheut të tij pa shpërblim, nuk është për t’u qortuar edhe ai që i shërben Atdheut të tij dhe shpërblehet; por nuk ka poshtërsi më të madhe se të vesh Atdheun në rrezik për interesa personale”.