Engjëll MUSAI/ Palmat që po i bëjnë hije “Rilindjes”

707
Kritikat e “Rilindjes” gjatë fushatës së 2013, se qeveria po merrej vetëm me rrugë dhe kishte harruar investimet, të cilat do t’i shërbenin zinxhirit të ekonomisë dhe mbylljes së ciklit prodhim, magazinim, përpunim (fabrika, uzina) dhe tregtim u dukën të drejta. Shpresa e shqiptarëve ishte e madhe, aq më tepër që vetë kreu i “Rilindjes” gjatë fushatës kërkonte të që kostoja e luksit të kishte balancim me nevojat jetike të përditshme të shqiptarëve. Madje vetë z.Edi Rama deklaronte në çdo miting “rrugë- rrugë- rrugë-rrugë” duke ironizuar investimet e qeverisë dhe deklaratat e Berishës. Por që rrugët të zëvendësoheshin me sheshet dhe pedonale kjo do të përbënte hipokrizinë e radhës dhe talljen me shqiptarët, të cilët kanë spitalet bosh dhe pa ilaçe,pensione të ulëta,kushte mizerabël në shkolla dhe kopshte, çmime të ujit dhe dritave më të lartat në Europe e shumë e shumë të tjera. Pra, me pak fjalë investimet duhen, por duhen me karar dhe jo në shërbim të luksit, tenderave dhe fitimeve. E megjithatë kjo po kapërdihet, por që të harxhosh miliona euro apo miliarda lekë për të blerë në Kinën e largët palma?! 


Kjo është babëzi ose çmenduri dhe e dini pse? Sepse vendi ynë ka aq shumë pemë për t’u mbjellë, saqë këto miliarda fare mirë mund të shkonin për llogari të fermerëve shqiptarë dhe jo tregtarëve të lidhur me shtetin apo pushtetin aktual dhe pse jo një pjesë edhe me të djeshmin. Tregu shqiptar është i tejmbushur me korrupsion, krim, vjedhje të pronës, pasurisë private dhe shtetërore që shkon deri në vjedhje të Bankës së Shtetit Shqiptar. Ajo që po lulëzon dhe po meron jo vetëm vendin, por mbarë Europën dhe botën janë plantacionet e hashashit, të cilat kanë mbuluar vendin dhe po trullosin këdo që tenton të marr sado pak ajër të pastër në kodrina, gërxhe dhe malet e vendit. Madje janë zaptuar edhe burimet e ujit, sepse kultivuesit e hashashit boshatisin gjatë natës rezervuarët për vaditjen e drogës. Po kjo masakër që po bëhet me shqiptarët do e ketë historinë nga pas, sepse më vonë pas mbjelljes dhe vjeljes fillon shitja dhe këtu do lënë kokën me dhjetëra, qindra persona dhe do futen në hasmëri individuale dhe farefisnore. E kini vënë re, sa herë ndodh që të kapen sasira me drogë, pas pak kohësh ata që nuk likuidojnë dot paratë e drogës së kapur do lajnë hesapet me njëri-tjetrin. I lajnë jashtë vendit, por edhe brenda në Shqipëri. Por kjo është sa për kujtesë për qytetarët hallexhinj dhe jo për agallarët e qeverisë, të cilët as që duan t’ia dinë dhe as që preken apo u hynë gjemb në këmbe. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes dhe që ka të bëjë me stinën aktuale, sepse pjesa dërrmuese e halleve dhe derteve të shqiptarëve sa vjen dhe shtohet dhe është bërë si ai litari i varur në qafën e qytetarëve. Por a e dinë këtë situatë shtetarët tanë? Që të njihen me këtë realitet, mjafton që qeveritarët të zbresin nga kali dhe të ecin me këmbët në tokë dhe sytë në ballë dhe të shohin e të dëgjojnë hallet e qytetarëve, radhët e asistencës, radhët tek sigurimet shoqërore, shëndetësore, ankesat në komisariate,vjedhjet, radhët në gjykata, tek pronat, tek hipotekat, në spitale dhe kudo ku ka shërbime. Të shohin se si u rrëmbehet edhe kotherja e bukës nga ata që janë rrogëtarë, por që në këto vite 3 vite shprese, por edhe 25 vitet e kaluara nuk u bënë kurrë zyrtar, por mbetën rrogëtar duke harruar qytetarin dhe tregtarin që i mbajnë me taksat e tyre këtë lloj administrate paçavure.


 Madje për çudi jo vetëm ministrat, drejtorët dhe zyrtarët e lartë, por edhe rojet e portës, edhe pastrueset shikojnë shefat dhe është vështirë të flitet me ta, pasi edhe këta kanë marr një shirit të hollë që quhet gradë dhe harrojnë spaletat e qytetarit të thjeshtë. Në këtë kuadër të gjithë janë hedhur në ofensivë të vjedhin, të zhvatin, të grabisin me çdo mënyrë, në çdo çast dhe rrethanë. Dhe këtyre nuk u hynë një gjemb në këmbë se i mbron drejtori, dhe se drejtorin e mbron ministri dhe këtë të fundit e mbron kryeministri. Dhe pse do të thoni ju? Sepse kështu funksionoi nga poshtë lartë kur këta të poshtmit sollën në pushtet me vota të blera dhe të grabitura ata më lartë dhe sot këta që janë lartë po u kthejnë reston, sepse mendojnë se do u duhen përsëri në zgjedhjet e ardhshme. Paratë e shtetit dhe të taksapaguesve po bëhen rrush e kumbulla dhe një nga rastet më skandaloze është ai i blerjes së palmave për rrugët dhe rrugicat e pushtetit lokal. Madje ndërhyhet që palmat të vendosen edhe në institucione shtetërore, por edhe në ato private. Pra palma që t’iu bëhet fresk milionave të pushtetarëve dhe abuzuesve të ekonomisë së vendit. E filluan me tharjen e palmave, me të ashtuquajturin krimb i kuq, buburreci blu, lutura e zezë, e lloj–lloj epitetesh. Por qëllimi ishte të shkatërroheshin këto që janë dhe të blihen të reja. Ndaj qytetet shqiptare po mbushen me palmat e kinës dhe miliona euro apo miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë po shkojnë për dhjamë qeni apo për të vënë dhjamë maskarenjtë e qeverisë dhe pushtat lokalë. Vetëm këto ditë në rrugën nga unaza e Lushnjës për në hyrje të qytetit janë mbjellë mbi 150 palma në të dyja anët e rrugës. 



Nëse kësaj shume do t’i shtohet vlera prej 300 euro për një copë, atëherë shuma arrin në 45 mijë euro ose rreth 60 milionë lekë. Po sa janë mbjellë në të gjithë qytetin, po në të gjithë vendin? E pra kjo përbën një skandal dhe turp për këta hajdutë dhe mendjeshkurtër që si qëllim kanë zhvatjen dhe grabitjen me çdo mënyrë dhe metodë. Sigurisht që kjo indinjatë erdhi dhe mu shtua kur para disa ditësh në bashkëbisedim me dy specialistë të pemëtarisë mësova një fakt tronditës. Specialisti shqiptar shoqëronte kolegun e vetë, të cilin mësova se ishte kinez dhe madje një mjeshtër i kultivimit dhe mbjelljes së palmave. Ai, i prekur më tha se kjo që po bëhet në Shqipëri është çmenduri e vërtetë. Po si mundet që ju të merrni palma që arrijnë në miliarda lekë nga Kina dhe t’i mbillni në vendin tuaj. Madje më tha edhe vendin se ku blihen në Kinë. Po palma ka gjelbërim disa fletë dhe kjo mundet që të zëvendësohet për klimën e Shqipërisë me ULLIRIN. Ju keni një pemë magjike si ulliri që në 12 muajt e vitit rri i gjelbër dhe fare mirë ai zëvendëson palmat. Ullirin mbilleni kudo, në lagje, në institucione, anash rrugëve dhe veç gjelbërimit ju edhe përfitoni prodhimin. Ndaj mendoj se po bëni një krim të madh që po të ndodhte tek ne, do ndëshkoheshin shumë rëndë, deri në pushkatim. Këtë gjë unë ua thashë edhe shefave të mi në Kinë, por u ndesha me presionin se do më flaknin në rrugë, pasi ata shikojnë interesat e tyre. Ja këtë duhet të bëjë shteti, këto janë politikat e qeverisë dhe në vend që t’i jepet prioritet ullirit, harxhohen miliarda për palmat e Kinës. Por pse ndodh kjo? Sepse kështu ka urdhëruar shefi i madh dhe se askush nuk ka kurajë ta kundërshtojë dhe guxim ta denoncojë.
*Drejtor i Gazetes “Telegraf”
Sigal