Izet S. Çulli: Hamë e ç’nuk hamë?!

588
Dëgjojmë e lexojmë shpeshherë për ushqimet, mishrat, llojet e qumështit e të produkteve të tij, për perimet etj. Flitet për mishin e bagëtive të holla, të gjedheve, të derrit e të pulës(që jo rrallë çuditshëm të shkrin në gojë!) dhe të peshkut duke treguar jo vetëm llojin, kualitetin dhe vendet nga sillen ato. Në çdo stinë shijojmë bukën e grurit, të misrit etj. si dhe kombinimet e llojllojshme të tyre, të cilat u vlejnë edhe atyre që s‘kanë dhëmbë e dhëmballë!Shpesh është një bukë(mos u çuditni) që mund të qëndrojë në raft shumë kohë, por nuk myket, ndonëse gurëzohet! Në ato reklamat e tej konsumuara mbushamendëse radiotelevizive u mëshohet super marketeve dhe ambalazhimeve tërheqëse të tyre. Dhe ja se ç’lexojmë në etiketat e shitoreve në përgjithësi, për qumështin e kosin, ku shënohet zakonisht përcaktori: i freskët, natyral, për fëmijë të vegjël, ekstra, me vit. D e Calcium, me Omega 3, dietik, me kaq e aq përqindje yndyre, i pasterizuar, i skremuar e kështu me radhë… po për habinë tonë, pothuajse në asnjë mbishkrim nuk përcaktohet se ç’lloj qumështi është: nga lopa, delja, dhia apo…vija! këtë gjë kemi hasur edhe në ca shtete përreth që kemi vizituar…

Ku fle lepuri? Këtë duhet të na e bëjnë të ditur biznesmenët dhe tregtarët. Është vënë re se një qumësht i një firme nuk mpikset që të bëhet kos, madje as dhallë, ose rri në diellin e verës përvëluese në rrugë dhe nuk prishet!

Mor po, më tha plot shqetësim komshiu im gazetashitës Vangjeli, ku ndodhen gjithë ato stane e ferma të stërmëdha, të cilat prodhojnë me aq bollëk e laryshi asortimentesh qumështi e mishi, përderisa ne, një vend blegtoral, arrijmë të importojmë mish edhe nga Meksika e largët?!

“Më thuaj çfarë ha, të të them si je me shëndet”- shkruante Hipokrati. “Nëntë të dhjetat e lumturisë sonë varen nga shëndeti”- theksonte A. Shopenhaueri. Ushqimi është “miku” dhe “armiku” ynë. Të dish të hash, të dish të ushqehesh me kulturë dhe sa më shëndetshëm, kjo është çështja….
Sigal