Valentin MACAJ*/Diskriminimi social në Policinë e Burgjeve, pasojë e bunkerizimit politik të saj!

510
Sigal

Kur shteti lejon me vite diskriminimin social-ekonomik në një shërbim policor të rëndësisë jetike, do të thotë se ai miraton gjithçka  ndodh në zyrat e Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Dhe kjo është për të ardhur keq!- Shkelja ligjore nga ana e kupolës drejtuese në burgje në lidhje me trajtimin ushqimor, kujtojmë VKM nr.231 dt. 19/4/2006, policët e burgjeve nuk marrin çdo muaj 6600 lekë të rinj (sipas normës ushqimore të vitit 1975), deri më sot asnjë përgjigje dhe asnjë ndëshkim  para këtij fakti. Borxhi i shtetit ndaj tyre, vetëm për trajtimin ushqimor, arrin  dy paga  mujore në vit. Mungesa e transportit për punonjësit e burgjeve ka sjellë pasojë në mbarëvajtjen e punës në institucione dhe në disa raste policët kanë humbur  jetën në  rrugët e kryqëzimet e Shqipërisë, (raste që i kemi denoncuar në media). – Por çfarë përfitojnë fëmijët e policëve të aksidentuar?! -Thjesht pension minimal familjar !  Rasti më flagrant, ai i familjes së policit të ndjerë I. Trota në Kukës, ku  fëmijët e tij përfitojnë pension jetimi dhe jo si fëmijë të një polici të aksidentuar për shkak të detyrës. Çdo ditë shohim dhjetëra policë me stema të burgjeve, të cilët bëjnë autostop për t’u kthyer në familje apo  për të shkuar  në vendshërbim. Dy-tre burgje që kishin mjete transporti për punonjësit, ka kohë që i kanë mbyllur në parking për shkak të mungesës së logjistikës, por dhe kur  kanë funksionuar, policët kanë paguar biletën, karburantin ose shërbimin që i kryhet mjetit. Sindikata ka kërkuar që prej 5 vitesh pagesën e bonusit të transportit sipas tarifës  lek/km,  ndërsa drejtuesit e burgjeve thjesht kanë arkivuar kërkesat tona. Trumbetimi me të madhe i “rritjeve” periodike të pagave për policinë e burgjeve, ka rezultuar regres për xhepat e tyre, pasi  ka pasur ulje të pagës reale. Vendimi i qeverisë nr.1061 i Korrikut 2010  hoqi  vjetërsinë e punës dhe me sistemin e ri të gradave cungoi pagën mujore e rriti taksën mbi pagë për çdo punonjës policie. Heqja e vjetërsisë së punës do të thotë 10-15% me pak në pagën mujore. Paga e 13-të për policët  mbetet një ëndërr në sirtar, pasi mungon kontrata kolektive e punës. Sindikata protestoi për ndryshimin e këtij vendimi duke paraqitur argumente bindës, por edhe kësaj radhe  qeveria  e kaloi në  indiferencë ankesën ligjore. Dështimi 5-vjeçar në pajisjen me uniforma verore e dimërore, detyron policët e burgjeve të zbarkojnë në tregjet e “gabit” , ku  blejnë këmisha, xhaketa, këpucë, ndërsa gradat  i blejnë diku tjetër. Deri më tani shteti nuk ka ndëshkuar përgjegjësin e dështimeve të njëpasnjëshme të tenderëve për uniforma e pajise në policinë e burgjeve. I vetmi “ndëshkim” ka ndodhur me largimin nga detyra të një specialisti  të Policisë Burgjeve, i cili nuk pranoi të jetë pjesë e korrupsionit në pranim materialesh jashtë standardi. Qeveria ndërhyn për rikthimin në punë të këtij oficeri, ndërsa drejtuesi i burgjeve bën bllokadën “kundër” saj. Kushtet e punës në regjimet e jashtme dhe sektorët e brendshëm janë diskriminuese për punonjësin e policisë së burgjeve. Mungesa e fondeve ka detyruar që vetë policët  të blejnë mjete ngrohëse si mënyrë mbijetese në temperaturat e dimrit. Paradoksi në këtë rast ndodh kur të dënuarit ngrohen me sisteme kaldajash, ndërsa punonjësit e shtetit kërcasin dhëmbët në vendroje prej të ftohtit !!  Kushtet higjieno-sanitare në godinat e policisë lënë shumë për të dëshiruar, mungojnë gardërobat, dushet, kutitë e ndihmës së shpejtë deri edhe sapunë për të larë duart. Asnjë punonjësi të transferuar, apo që banon larg vendit të punës, nuk i sigurohen kushtet hoteliere dhe ushqimi në institucion. Kontrollet mjekësore periodike për policinë e burgjeve, të parashikuara në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, nuk aplikohen , edhe pse në çdo burg ka një sektor shëndetësor që ofron shërbim për  të burgosur e paraburgosur. Nga verifikimet e sindikatës, rezulton që një pjesë e konsiderueshme e policëve  vuan nga sëmundje turbekulare dhe neurologjike. Marrëdhëniet e punës në Policinë e Burgjeve janë një histori dështimi për shkak të paaftësisë dhe keqdashjes në zbatimin e ligjit të saj nr.10032 , Kodit të Punës në RSH si dhe gjithë akteve ligjore e nënligjore në zbatim. Kontratat e punës bazohen pjesërisht në ligj dhe nuk përmbushin kushtet e punës së punonjësve si në vend shërbim, ashtu edhe në regjimet e brendshme. Ato thjesht janë një shkresë zyrtare  që kanë kushte  për punonjësin, pa asnjë detyrim të përcaktuar për  punëdhënësin. Ndërkohë që sindikata kërkon nënshkrimin e kontratës kolektive të punës me Policinë e Burgjeve, parashikuar kjo  në ligjin e saj dhe urdhrin e ministrit të drejtësisë nr.3125 dt.4/9/2009, neni 20, drejtuesi i burgjeve e bllokon këtë proces në mënyrë të paligjshme duke krijuar një precedent në rajon e më gjerë. Mungesa e kontraktimit kolektiv ka sjelle tkurrjen e të drejtave sociale në këtë shërbim policor që si rrjedhojë, rekrutimi, motivimi në gradë e funksion, shpërblimet, ditët e gatishmërisë, trajtimi ushqimor e transporti, veshmbathja, kushtet e punës, transferimet, largimet nga puna për motive partiake janë aktualitet i dhimbshëm në Policinë e Burgjeve. Shembuj të shumtë tregojnë largimin e ekspertëve të policisë së burgjeve dhe zëvendësimin e tyre me analfabete, agronome, gjeologe  e mësues që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimin policor. –  Policë politik pa eksperiencë pune, tani drejtojnë disa sektorë sigurie nëpër burgje dhe janë shndërruar në trafikante vendesh pune në grupe shoqërimi, grupe sigurie dhe lëvizin policët e ndershëm për t’i hapur rrugën korrupsionit e futjes së sendeve të ndaluara në burg. Rastet e kapjes së celularëve, lëndëve narkotike, armëve të ftohta, pijeve alkoolike, sendeve të tjera të ndaluara, do të thotë se ky shërbim policor po lëngon nën menaxhimin e të paaftëve dhe korrupsionit politik që ka sunduar tashmë të gjithë sektorin në fjalë. Aktualisht drejtuesi i burgjeve  po përndjek sindikatën, duke tentuar minatorizimin e këtij shërbimi policor me qëllim diskriminimin total të policisë së burgjeve. Institucionet shtetërore e ato të BE kanë insistuar dhe insistojnë që situata e dialogut social të përmirësohet në Policinë e Burgjeve, por ky zyrtar- bunker, duke pasur suport politik,  e ka ndarë mendjen që Karta Sociale Evropiane dhe Konventat e ILO-s  të mos gjejnë terren në këtë sektor. Vërejtjet e fiksuara në progres-raportin e 2012-s, thjesht ngelen për tu lexuar pasi zbatimi i tyre në fakt është i pamundur nga drejtues antieuropiane. Sindikatës i lind e drejta që me çdo mënyrë të ligjshme të plotësojë e denoncojë situatën dhe t’i  kërkojë qeverisë zbatimin e ligjit e detyrimeve që rrjedhin nga standardet e kushteve të anëtarësimit në BE.  Bunkerizimi i burgjeve dhe politizimi i të drejtave sociale në policinë e burgjeve do të thotë vazhdim të diskriminimit në pagë, shpërblim, uniforma, trajtim ushqimor e transport dhe mungesë të kontratës kolektive të punës. Qeveria po hesht tani e 5 vite me radhë, ndaj duhet ngritur zëri sindikal në sajë të medias së lirë. – Kjo nuk do mungojë deri në ndryshimin e situatës në favor të policisë së burgjeve !

*Kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë