Ekonomia pas epidemisë: Deti kos, apo reforma ekonomike të thella?

179

Nga Akademik Artan Fuga

Po bëhet më shumë se një muaj që ekonomia botërore duket se ka ndalur. Sigurisht aspak në të gjithë sektorët. Edhe te ne shoqëria për të mbrojtur jetën ka qenë e detyruar të sakrifikojë shumë nga ekonomia.

Puna është që kjo sigurisht na dëmton si shoqëri. Dëmton njerëzit që punojnë sepse nuk punojnë dot, dëmton sipërmarrjen sepse nuk i kthehen investimet, dëmton buxhetin publik sepse nuk ka çfarë të mbledhë si taksa, etj.

Duke u nisur nga kjo ka zëra që flasin për krizë ekonomike, për recesion, për këtë e dhe për atë. Dakord. Por e kanë zakon që të mos i dallojnë krizat nga njëra-tjetra. Kjo krizë nuk erdhi as si rezultat i mbingopjes të tregut me mallra, as e ndonjë konkurrence të fortë e të papritur nga ndonjë treg tjetër, as si rezultat e dobësimit më shumë seç ishte i fuqisë blerëse, as si rezultat i bjerrjes të vlerës të parasë, a ku e di se nga.

Pra, nuk mund të barazohet me kriza të tjera financiare a ekonomike sikurse kanë qejf t’a barazojnë disa që i bien shkurt. Eshtë virusi. Një dukuri jashtë-ekonomike, dhe jo një krizë sistemike financiare dhe ekonomike nga ato që kemi njohur.

Veç kësaj ka njerëz që pasi lexojnë këtë apo atë shkrim në mediat botërore kujtojnë se na bëjnë ndonjë shërbim të madh që na e përkthejnë, na e kompilojnë dhe na e pëlcasin mbi kokat tona pa ditur t’i japin përgjigje pyetjes : A jemi ne në ato kushte si ekonomitë e mëdha botërore për të adaptuar zgjidhje të njejta?

Dhe mbi të gjitha na paraqesin zgjidhje në mënyrë staliniste duke treguar veç vlerën e tyre dhe jo rriskun që paraqesin. Te hidhen parà nga helikopteri – na thotë njeri – i mësuar me hedhje me parashutë nga një vend i rehatshëm te një vend tjetër. Nuk mendon se kjo do të zhvleftësonte paranë pra lekun në një farë feje që nuk do ta merrte dot kurrë më veten përpara sesa të vinte ndonjë epidemi tjetër. E bashkë me zhvleftësimin e lekut do të sillte edhe zhvleftësimin monetar të të gjitha pasurive tona të patundshme si edhe do të rrënonte bankat dhe kursimet në to, kapitalet e sipërmarrjeve. Do të ishte një virus ekonomik më er i keq se koronavirusi në trupin e njeriut.

Të marrin borxh, i fusim edhe një emër “sovran”, si në tesktet që kopjojnë dhe supozojnë të rrisin firifiu borxhin publik, të brendshëm dhe të jashtëm, a thua se edhe kjo zgjidhje veç të mirave !!! nuk paska edhe kjo pasoja katastrofike. Sigurisht pastaj shteti do të kërkojë të na rrjepi edhe më keq me taksa, do të shkurtojë fondet për arsim, shëndet, kulturë, punë botërore dhe të tjera. Tmerr do të ishte.

I fusin edhe një emër, koronabondin. Po kush do të blejë bono, me këtë gjendje që masivisht qytetari shqiptar është i varfër, pa shumë parçà në duar, në gjendje të vështirë ekonomike dhe mbi të gjitha pa shumë besim te shteti në planin financiar.

+++

Eshtë e qartë që bllokimi i ekonomisë e ka dëmtuar atë. Por duhet të kuptojmë që këto drama të mëdha si tërmetet, epidemitë, luftrat, etj, kanë qenë edhe momente kur ekonomitë, pas dëmit që kanë pësuar, meqë qytetarët i kanë konsideruar si pasoja fatale të ngjarjeve pa faj njerëzor, i kanë pranuar disa sakrifica. Pas këtyre ngjarjeve shoqëria ka marrë drejtime të tjera, ekonomia ka marrë hove të rinj, duke zhdukur format e kalbëta të bizneseve dhe duke lënë të zhvillohen atp sipërmarrje që përballojnë tregun dhe katastrofat.

Kemi një seleksionim cilësor të faktorëve të fuqishëm dhe novator të ekonomisë. Si furtuna që rinovon pyllin, si epidemitë që fuqizojnë speciet e gjalla, edhe kriza e sotme është rast që duke ndihmuar konsumatorin të seleksionojë bizneset e këqia, pa dobi shoqërore, që i janë ngjitur si rrodhe dinamikës ekonomike të vendit, dhe për politika të reja ekonomike nga fuqia publike.

Ndryshe ne riprodhojmë dobësinë tonë, krizën tonë, modelin tonë e,onomik virusal, me shumë biznese që nuk kanë arsye të ekzistojnë, por tërhiqen zvarrë. Kriza të tilla për faj të askujt !!!, janë raste të mrekullueshme për të ristrukturuar ekonominë me anë të politikave të reja publike, me anë të strategjive të reja të mekanizmave të kredisë, me ristrukturimin e pronësisë dhe të formave të menaxhimit etj.

Një ekonomi e re mund të lindi te ne, që ka mbetur ende ajo e shekujve të mëparshëm, dhe pa asnjë vitalitet. Unë nuk mund të zgjatem këtu shumë, por di të them se sa mirë e ka pasur Shumpeter që theksonte se ka disa shkatërrime që janë krijuese, pra që zhdukin të vjetrën dhe hapin rrugë për novacion ekonomik dhe rinovim të ekonomisë, jo vetëm.

Por te ne ka edhe disa zëra, robër dhe në në konflikt interesi, sepse të lidhur me biznese të falimentuar ose që për shkak të pozitës monopol, të lidhjeve të këqia me pushtetin,etj., të cilët bombardojnë opinionin me ide budallaqe që cdo biznes tani shkon merr borxhe, nga njera anë ruan normën e fitimit për dividendin dhe nga ana tjetër i kërkon shtetit t’i financojë pagat punonjësve, ose që kërkon ta kapi shtetin rob duke i bërë presione për pagesa, huara për të financuar paga punonjësish. Janë robër dhe skllevër biznesesh të këqia dhe hiqen si ekspertë të pavarur.

Nuk mundet që shoqëria të shtojë peshën e vet financiare si borxh publik, apo si politika financiare shtesë në plan social, për të bërë që bizneset e këqia, ato që mbajnë peng ekonominë, që janë pa dobi shoqërore, të shpëtojnë nga seleksioni i krizës së sotme.

Kjo krizë është rasti për të transformuar modelin tonë makroekonomik, të ndryshojë dinamikat e politikave buxhetore të fuqisë publike, etj. Përndryshe edhe krizën e sotme ne do ta kemi të keqpërdorur nga disa biznese që i qendrojnë varur në qafë ekonomisë shqiptare dhe që nxisin tellallë për të bllokuar cdo mendim alternativ.

Mbi të gjitha buxheti publik t’u largohet PPP dhe financimit me dhunë ushtruar ndaj konsumatorit duke e trajtuar thjesht si taksapagues, e ato parà t’u a blatojë disa bizneseve të lidhura me pushtetin. Duhet nxitur fuqia blerëse me politika të rerja ndihmese financiare. Duhet nxitur aksionariati masiv, duhen buxhetuar iniciativa private dhe publike drejt sektorëve të prodhimmit dhe shërbimeve që rifusin në aktivitet pasuritë natyrore të kombit të lëna në mëshirë të fatit, nuk duhen mbështetur më bizneset që kanë tregues të këqinj financiar dhe që nuk kanë kryer detyrimet përpara fiskut, duhen njohur si dëme vetëm ato që janë brenda një ekonomie transparente dhe jo informale, e kështu me radhë.

Se poqese, siç na thonë këta të mëncurit, që zaptojnë mediat, në konflikt interesi, atëhere hajde marrim hua dhe u japim kredi me kushte lehtësuese kujtdo, edhe atyre që duan të fillojnë një biznes të ri. Pse jo? Dhe pastaj meqë slogani është hua për cdo sipërmarrje, kjo do të ishte sikur në shtetet ku për një muaj ka mijra të vdekur, të financohen edhe agjencitë e varrimeve!

Vetëm me teorira ideologjike nuk ja dalim, aq më shumë pa studime, ato nuk janë pohime shkencore, por brockulla për propagandë dhe rritur reputacionin personal!