Eduart Sharka/ “Koshat me rrush” të pushtetit: Kur shteti nuk qeveris, por organizon farsën e radhës

40
Sigal

Nga Eduart Sharka

Në oborrin e ish-Pallatit Mbretëror, nën një atmosferë që më shumë ngjante me një kurorim simbolik sesa me një analizë fitoresh elektorale, kryeministri i vendit shpalli triumfin e mandatit të katërt. Dhe aty, mes të qeshurave dhe duartrokitjeve të kandidatëve të sapozgjedhur, ai lëshoi një fjali që s’kishte asgjë të rastësishme:
“Kur ata çohen nga gjumi dhe thonë rrush, ne i kemi mbushur koshat.”

Por cilët janë “rrushët” e këtij pushteti?
Janë militantët e sistemit, patronazhistët e paguar nga taksat publike, drejtuesit e institucioneve të kthyer në agjentë elektoralë, fonde shtetërore të shpërndara në këmbim të votës, dhe lidhjet me botën e krimit që garantojnë kontrollin e territorit për llogari të fushatës.
Janë makineria e ngritur me kujdes për një qëllim të vetëm: jo për të qeverisur, por për të fituar zgjedhjet – në çdo kusht.

Kryeministri e konfirmoi vetë:
“Ne e nisëm kohë më parë, duke krijuar bordin e diasporës. Mblidheshim çdo të hënë në orën tetë të mëngjesit me nga 100 veta, ku ndiqnim bashki për bashki.”
Një rrjet kapilar, i strukturuar dhe aktiv, që nuk ndalet asnjëherë – as në ditë pushimi, as pas zgjedhjeve. Sepse, siç ai vetë deklaroi, “punën për zgjedhjet e radhës e nisim sapo bie dielli i zgjedhjeve të tjera.”

Në një shtet normal, pas zgjedhjeve pritet që qeveria të përmbushë premtimet, të përmirësojë jetën e qytetarëve, të rrisë pagat, pensionet, të investojë në shërbime publike. Por në Shqipërinë e “koshave me rrush”, nuk ka kohë për qeverisje. Ka vetëm kohë për organizim elektoral.

Administrata është kthyer në ushtri militantesh, që monitorojnë qytetarët, kërcënojnë punonjësit, regjistrojnë bindjet politike, dhe përdorin çdo burim të shtetit për të siguruar avantazhin e partisë në pushtet. E gjitha, e financuar nga paratë e popullit.

Kjo nuk është demokraci.
Kjo është një farsë që e quan veten zgjedhje.
Një proces ku shteti luan kundër qytetarit, ku vota blihet, frika shpërndahet dhe shpresa mbytet në cinizmin e një pushteti që nuk fshihet më. Sepse kur vetë kryeministri e quan fitoren “rrush”, atëherë duhet të pyesim: ku është produkti real i qeverisjes?

Në fakt, produkti i vetëm është një sistem i ngritur për të ruajtur pushtetin me çdo mjet. Dhe kur kjo ndodh, qytetarët nuk janë më votues të lirë – por pjesë e një skeme të deformuar, që paguajnë dy herë: një herë me taksat, dhe një herë me dinjitetin e nëpërkëmbur.

Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin thjesht një rezultat. Ishin një sinjal alarmi. Sepse nëse kjo mënyrë e të bërit politikë vazhdon të normalizohet, atëherë më 11 maj nuk humbi vetëm opozita. Humbëm të gjithë. Humbën institucionet. Humbën qytetarët. Humbën ata që ende besojnë te zgjedhjet si mjet ndryshimi dhe jo si ritual pushteti.

Në këtë realitet, “rrushi” është vetëm një metaforë e kalbëzimit të demokracisë. Dhe çdo qytetar që nuk e kupton këtë sot, është i dënuar ta vuajë nesër.