Eduard Demo: Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Mozaikët, tregues qytetërimesh

Arti i mozaikut është ndër treguesit kryesor të qytetërimeve të përparuara dhe të kulturuara në shekuj. Krijimi i një mozaiku përveçse kërkon një mjeshtëri të lartë gjatë realizimit në ndërtimin e tij, është njëkohësisht edhe aftësi artistike në kompozimin e idesë si vepër arti, për të trasmetuar te shikuesi ndjesi të drejtpërsëdrejta për ç’ka autori ose porositësi do të tregojë si vepër arti. Lulëzimi i këtij arti u arrit në shekullin e I-rë të p.k., dhe nga gurët e zallit në fillesa u kalua në kubikë të prerë prej guri, qelqi, mermeri, apo balte të pjekur si piktura të përjetësisë.

Për zhvillimin e turizmit kulturor në rrethin e Vlorës, jo vetëm vëndbanimet e hershme janë pasuri, që duhet të shfrytëzohen, por edhe mozaikë të antikitetit e të periudhave të mëvonshme. Zbulimi i tyre në Vlorë, tregon shumë se e gjithë treva ka patur civilizim të zhvilluar për kohën që janë krijuar. Vendodhja e tyre pranë qendrave të banuara i bën të mundur ato, të vihen në shërbim të turizmit kulturor. Megjithëse nga gërmimet arkeologjike në qytetet antike të Amantias, Orikut, Olympes, Ceries deri më sot nuk është zbuluar ndonjë i tillë, në banesa, vende kulti apo stacione qëndrimi karvanesh në rrugëkalimet e kohës së Perandorisë Romake  e Bizantine, janë gjetur. Në gjithë krijimtarinë e kësaj gjinie arti, Mozaikët e Vlorës kanë vlera të rralla artistike që shquhen në gjithë Shqipërinë. Më i famshmi, për rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë në trevat afër krahinës, është ai i Mesaplikut. Mozaiku i Mesaplikut është i shekullit të VI m.Kr. i gjetur në një bazilikë të Antikitetit të Vonë në fshatin Mesaplik të rrethit Vlorë. Mozaiku ka qenë dyshemor dhe ka përmasa 240cm x 349cm. Është shkruar gjatë për të si dhe ka disa studime dhe interpretime të tekstit të shkruar mbi mozaik.

Sigal

Fshati Qishbardhë në lindje të qytetit të Vlorës është i pasur me rënoja kishash dhe shumë mbetje qeramike në kodrat dhe arat përreth gjë e cila tregon se ka qenë një territor i banuar me veprimtari të gjerë fetare, kulturore, shoqërore etj.

Në bregun e Beshos, kështu quhet vëndi nga banorët e fshatit Qishbardhë, janë rrënojat e një kishe. Në dyshemenë e saj kemi zbuluar pjesëza të një mozaiku me një sipërfaqe gati 5m2. Zbulim dhe vëzhgim sipërfaqsor. Kodra ndodhet në krahun verilindor të fshatit, në krahë të rrugës së vjetër nacionale Qishbardhë-Drashovicë. Rethuar nga drurë shekullorë ulliri dhe mbuluar me shkurre, nuk është fort i dukshëm. Mozaiku edhe sot, si do që në gjëndje të mjerueshme i ruan ngjyrat e gurëve të vegjël me të cilët është kompozuar. Kjo vëzhguar me sy të lirë dhe pa bërë as më të voglin gërmim pasi janë institucionet përkatëse të Monumenteve të Kulturës që kanë të gjitha mundësitë për ta kryer. Nisur sa më sipër nuk mund të themi asgjë për figurinat që mund të përmbajë mozaiku. Copëra të vogla të tilla vëzhguar nga ne janë të lira mbi sipërfaqe, ndoshta dalë nga punimet bujqësore të stinës, që bëjnë banorët kur shfrytëzojnë parcelat ku ndodhen rrënojat. Krijimi i mozaikut është bërë me kubikë guri në madhësitë 2cm x 2cm x 2cm dhe me ngjyra të ndryshme ku zotëron e bardha. Siç përmendëm mozaiku duhet të jetë i periudhës së antikitetit të vonë ku krijimi i tyre kishte kaluar nga gurët e zallit në kubikë të prerë prej guri apo mermeri.

Vlora ka edhe dy mozaikë të famshëm me përmasa të mëdha të periudhës së socializmit, atë të Jonufrës  “Aksionistja” dhe atë në qafën e Bestrovës.

Mozaiku në qafën e Bestrovës është në përmasa të mëdha 5m x 3m, shumë i dukshëm, realizuar me disa figurina të periudhës socialiste nën moton “Mësim, Punë, Kalitje” si dhe “Populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, apo të tjera sipas artit të realizmit socialit të kohës. Në qendër të mozaikut ndodhet flamurtari i cili personifikon Shqipërinë si “Fanar ndriçues në të gjithë Europën” dhe marshon drejt fitoreve me njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën. Në krahun e djathtë borizani partizan duke trumbetuar fitoren e Ushtrisë NacionalÇlirimtare në Luftën e II-të Botërore, së bashku me mitralierin e pavdekshëm. Në krahun e majtë të tij është periudha e ndërtimit socialist me minatorin, malësoren, Komisarin me Historinë e Partisë së Punës dhe e ardhmja e Shqipërisë me Abetaren në dorë. Është një mozaik dekorativ i periudhës komuniste gjatë viteve 1970-80. I realizuar nga ekipet e artizaneve të monumenteve shqiptare që punonin për dekorimin e qyteteve. Për autorësi janë bërë nga artistë të liceut artistik “Jordan Misja” dhe instituti i Larte i Arteve, në grup.

Mozaiku i Jonufrës i quajtur “Aksionistja” ndodhet në rrugën kombëtare Vlorë-Orikum, lehtësisht i vizitueshëm. Vepër e krijuar nga studentët e Insitutit të Lartë të Arteve nën drejtimin e Piktorit të Popullit Sali Shijaku, gati 55 vjetë më parë në vitin 1970. Realizimi i tij është vertikal në përmasa 3×2 krijuar me gurë natyral shumëngjyrësh të bregdetit të Jonit. Është ndër mozaikët e parë në Shqipërinë Socialiste. Shumë i dukshëm nga udhëtarët, por edhe nga automjetet e ndryshme që kalojnë aty. Ende i ruan ngjyrat sidoqë nga sa shihet me sy të lirë nuk i është bërë asnjë ndërhyrje pastrimi apo restaurimi.

Mozaikët e Vlorës nuk i kam parë të pasqyrohen në asnjë nga guidat turistike shtetërore, por as edhe nga agjensitë turistike private. Gjë e cila tregon mungesë profesionalizmi nga ana e tyre, por edhe mungesë kulture të përgjithshme e shpërfillje ndaj këtyre pasurive të Trashëgimisë sonë Kulturore. Në të njëjtën kohë ku programet e qeverisë shqiptare kanë si prioritet zhvillimin e turizmit, turizmi kulturor nuk shihet me përparësi. Ato janë edhe pjesë e identitetit tonë kombëtar.Pasuritë e Trashëgimisë Kulturore, shpirtërore dhe materiale të Vlorës janë të shumta dhe janë asete që të tjerët do t’i lakmonin t’i kishin. Me një vëmendje profesionale dhe me pak fonde ato bëhen të vizitueshme në të katër stinët e vitit nga të gjithë vizitorët.