Dr. Zekri Palushi: Foltoret një shenjë e mirë!

Foltoret një shenjë e mirë! Fjala kyç;konservatizmi

Motoja e Sali Berishës: “Mbroj dinjitetin tim, dinjitetin tuaj dhe interesin kombëtar”

Sigal

 

Ju kujtoj atyre demokratëve që mendojnë se: Me qëndrimin e tyre, “as-mish-as-peshk” do të jenë më popullor! Jo ata gabohen. Ish-kryeministrja e Anglisë, Margaret Thatcher ka thënë: Qëndrimi në mes të rrugës është shumë i rrezikshëm, ju mund të shtypeni nga trafiku që vjen në të dy krahët.

 

 

Ndoshta, shqiptarët për herë të parë në këto ‘Foltore’ po dëgjojmë fjalën ‘Konservatizëm’, dhe për mendimin tim, këtu shoh dhe parashikoj pothuajse me sigurinë më të madhe, fitoren dhe suksesin e plotë të Sali Berishës, i pari udhëheqës, dhe politikan që guxon të përmendë këtë fjalë fisnike, që deri m’tani, një fjalë e “pistë”, e përdhunuar nga komunistët, socialistët, e të gjithë të majtit, një fjalë, që qëndron në themel të virtyteve të çdo kombi.

Në të njëjtën kohë kjo fjalë e shenjtë tregon se Sali Berisha ka nxjerrë mësime të mëdha, nga gabimet e vetëkonstatuara, në të kaluarën, për të cilat po kërkon me një përulje, falje para popullit.

Pra! Foltoret po e paraqesin atë, jo vetëm të ndershëm, e të penduar për të shkuarën, por edhe energjik, e shumë pozitiv, fizikisht e mentalisht të shëndetshëm dhe në të njëjtën kohë s’është aspak e vështirë që nëpërmjet bisedave të tij të lira dhe pa letër, të nxjerrim konkluzionin se Sali Berisha, edhe pas 8 vjetësh në “heshtje,”nuk e ka humbur aspak guximin, patriotizmin, vlerat njerëzore morale, e familjare, si dhe dashurinë e pakufishme për popullin dhe kombin e tij.

Një tjetër gjë, e kënaqshme dhe shumë e rëndësishme, që unë e shoh me shpresë, admirim dhe respekt të madh, janë pjesëmarrësit e Foltoreve, ku dukshëm bie në sy niveli dhe pjekuria politike e njëherësh me guxim e ndershmëri shprehin mllefin e jashtëzakonshëm të grumbulluar në 8 vitet e fundit, si ndaj Lulzim Bashës dhe qeverisë pa dinjitet të Edi Ramës.

Ndërsa, duke u mbështetur në eksperiencën e mëparshme e shoh si një fatkeqësi të madhe që njerëzit në përgjithësi nuk dinë të bëjnë dallimin, në mes të Majtës,- (“Progresivë”/Socialiste), dhe të Djathtës, (KONSERVATIVE).

Një dallim që për popullin tonë, s’duhet të jetë aspak i vështirë kur tashmë pas rreth 50 vjetësh eksperiencë, dimë mjaft mirë të rreshtojmë “sukseset” e Partisë Komuniste apo mutacioneve të saj, Partinë e Punës dhe atë Socialiste.

Për të rinjtë shqiptarë, si dhe për të gjithë ato që i kanë harruar këto suksese unë po i rreshtoj më poshtë. Pa përmendur jetën miserabël që patëm, gjatë këtij gjysëm-shekulli, po veçoj:

-Ekzekutimin me gjyq, 5037 burra, dhe 450 gra. (ato pa-gjyq, nuk dihen).

-Dënimin me burgim të rëndë të, -16.788 burrave, dhe 7.367 grave.

-Internimin në kampet e “Punës”, (PËRQËNDRIMIT), të mbi-70.000 shqiptarëve, dhe 354 shtetasve të huaj.

-Ndërtimin e 39 burgjeve, nga më të tmerrshmet në botë.

-Ndërtimin e 70 kampeve të përqëndrimit.

-Rekrutimin e 200.000, -spiunëve/sigurimsa.

-Hapjen e 1.000.000, (një miljon) dosjeve për qytetarët e vet.

-Ndërtimin e 1.000.000, (një milion) bunkerëve, për t’u ruajtur nga populli i vetë.

Dhe me një punë këmbëngulëse 46-vjeçare arriti ta kthejë Shqipërinë në një burg-shtet me popullsinë më të varfër në rruzullin tokësor.

Ndërsa, ja vlen të kujtojmë se në vitin 2017 me rastin e ditëlindjes, komunizmi botëror (pa numëruar Kinën), festoi pushkatimin e mbi 100 milion njerëzve të pafajshëm: Një proces barbar, që vazhdon edhe sot, të jetë popullor, në vendet komuniste.

Në bazë të këtyre të dhënave, gjithkush do të mendonte se Komunizmi i Enver Hoxhës dhe klikës së tij injorante do të ishte një Njollë e Zezë, në historinë e Kombit Shqiptar! Por jo, ato vazhdojnë të na qeverisin!

Po pse ndodh ky fenomen i paimagjinuar? Sepse, komunizmi, përveç shkatërrimit fizik, psikologjik, dhe ekonomik, vrau edhe Konservatizmin Shqiptar.

Me vrasjen e konservatizmit, ata vranë edhe vlerat tradicionale. Vranë Vlerat Patriotike e Politike, që favorizonin Nacionalizmin, (një fjalë po e “pistë” për të Majtit). Vranë… Aktivitetet e Lira, dhe Pasurinë Private,e si rrjedhojë, vranë edhe Prosperitetin e vendit! Vranë Lirinë Individuale, Sundimin e Ligjit, Moralin dhe Dinjitetin njerëzor, vranë Sovranitetin individual, e kombëtar, e bashkë me të gjitha këto, ata vranë edhe Andrrën Shqiptare.

Pra, për të ndaluar dhe parandaluar ‘vrasjet’ e mësipërme duhet që me çdo kusht, t’i kthehemi Konservatorizmi. Një virtyt personal, e kombëtar, me vlera të pazëvendësueshme, që bazohet në eksperiencën njerëzore mijëra-vjeçare. Konservatorizmi është antidoti më i mirë dhe më efektivi kundra tiranisë së të Majtëve.

Më pëlqen shumë një kuotë e Teddy Roosevelt-it, (Presidenti i 26 i Amerikës). Ai, mbi 100 vjet më parë, shumë thjeshtë,  përkufizon dallimin në mes të Djathtëve (konservativëve), dhe të Majtëve (liberal/”progresive”), duke thënë se: “ To anger a conservative, lie to him. To anger a liberal, tell him the truth”, (Nëse don të zemërosh një konservativ, gënjeje atë.  Nëse don të zemërosh një liberal, (quhen të majtët e Amerikës), tregoi atij të vërtetën).

Pra, suksesi i Sali Berishës, në këtë betejë, qëndron në tre shtylla kryesore, që janë: Mb-ështetja totale e popullit, tashmë të ndërgjegjësuar. Fraza përsëritëse: “Unë po mbroj dinjitetin tim, dinjitetin tuaj, dhe interesin kombëtar, dhe mbi të gjitha, tek ringjallja, dhe zbatimi në praktikë, i fjalës Konservatorizem.

Pra, edhe një herë, konfirmoj besimin tim të plotë dhe me sa shoh e njëjta gjë konfirmohet edhe nga Foltoret,dhe diaspora shqiptare, në atë që vetëm Sali Berisha, në këtë rast si kardiologu më i njohur i vendit, mund ta ngrejë në këmbë, e ta nxjerrë nga reanimacioni, Konservatorizmin shqiptar, që ka qenë duke u dergjur në “shtratin e vdekjes, që prej vitit 1944.

Ndërkohë, ju kujtoj atyre demokratëve që mendojnë se: Me qëndrimin e tyre, “as-mish-as-peshk” do të jenë më popullor! Jo ata gabohen.

Ish-kryeministrja e Anglisë, Margaret Thatcher ka thënë: Qëndrimi në mes të rrugës është shumë i rrezikshëm, ju mund të shtypeni nga trafiku që vjen në të dy krahët. Kjo do të thotë se: Mund të jeshë ose i Djathtë- konservativ, ose i Majtë -Liberal, por kurrsesi, jo një politikan Hemafrodit.

Çuditërisht, ndër kohë që shkrimit tim po i vinte fundi, më ra në sy një artikull i shkruar nga Richard A. Grenell, (Këshilltar i vjetër për Sigurinë Nacionale, dhe Politikën e Jashtme, në Qendrën Amerikane të Ligjit dhe Drejtësisë, ish Drejtor i Përkohshëm i Inteligjencës Nacionale, dhe ish-ambasador i Amerikës në Gjermani), me titullin: “Blinken Acts as Agent of George Soros in the Balkans”, -(Blinken vepron si një agjent i Xhorxh Soros-it, në Ballkan).

Ndër të tjera ai komenton edhe Kongresmenin Lee Zeldin, (anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan), i cili kohët e fundit ka konfrontuar Sekretarin Blinken, rreth sanksionimit të papritur të Berishës. Sekretari Blinken, kur u pyet për të treguar justifikimin e këtij vendimi të marrë ndaj Berishës, deklaroi me pak konfidencë, duke thënë: “I don’t have anything to share”, -pra, me kuptimin pak-a-shumë: “S’kam ç’farë me kallxue”.

Autori vazhdon komentin e tij duke thënë se: “Berisha është një mik i Shteteve të Bashkuara, dhe është pritur nga të dy Presidentët Bush. Ai përfundon artikullin e tij duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara janë, dhe gjithmonë do të jenë një vend që qeveriset nga ligji dhe arsyeja, dhe këto sanksione, në mungesë evidence, vetëm nënvleftësojnë kredibilitetin e US.

Pra, siç thotë një fjalë popullore: “E vërteta vonon, por kurrë s’harron”!

Po e mbylli këtë shkrim, me pak lajme të mira.

Humbja e Presidentit TRUMP, ishte një goditje tragjike për demokracinë e vërtetë, dhe konservatizmin botëror, por, siç duket, edhe fitimprurëse. Gjatë qeverisjes së Demokratëve, Amerika po shkon drejt disintegrimit të gjithanshëm. Njerëzit janë shumë të shqetësuar, kur shohin se ç’farë po ndodh me rregullatorin e demokracisë botërore, pakënaqësia e tyre, u duk hapur, në zgjedhjet për Governator të shtetit Virginia, ku fitoi kandidati republikan, Glenn Youngkin, (supported nga TRUMP).Në shtetin New Jersy, ndodhi e njejta gjë: fitoi kandidati republikan: shoferi mobilje-shpërndarës, Edëard Durr. Humbjet e fundit të Demokratëve Amerikanë në këto dy shtete kanë ndezë një rreze shprese, jo vetëm për Amerikanët, por për gjithë botën konservatore. Sytë e tyre janë përqëndruar në zgjedhjet e 2022, -ku pritet që Republikanët të marrin Dhomën e Përfaqësuesve, (the House of Representatives), e kjo do t’i hapë rrugë fitores së pa-diskutueshme të Trump-it, -në 2024.

I njëjti fenomen po ndodh edhe në Shqipëri: ku “falë” Sekretarit Blinken, populli po zgjohet dhe nëpërmjet Foltoreve të Sali Berishës, po kupton më mirë, se si funksionojnë partitë e Majta në përgjithësi, dhe PS e Shqipërisë, në veçanti.

Dukshëm, edhe shqiptarët ashtu si dhe Amerikanët me padurim po presin 11 Dhjetorin 2021. Keni durim, sepse kanë mbetur edhe 34 ditë.