Dr. Gëzim Tushi: Problemet sociale shqiptare dhe dhuna mbi gratë

149
Sigal

Problemet sociale shqiptare dhe media në raport me “veten” dhe opinionin publik…

Niveli alarmant i dhunës mbi gratë shqiptare nuk është thjesht një problem gjinor por shprehje e nivelit të qytetërimit tonë

Gëzim Tushi

Sociolog, Mjeshtër i Madh

Edhe pse është realitet me domethënie reale apo ka marrë trajtat e ekzagjeruar të zmadhimit si “legjendë urbane” e modës, sikur media tradicionale televizive apo e shkruar janë të konkuruara nga dixhitalizimi dhe zgjerimi i rrjeteve on-line të informacionit social, askush me mendje normale nuk mund të nihilojë apo verë në dyshim pushtetin e saj social. Mundet që soliditeti i dikurshëm apo pushteti është ridimesionuar nga koha dhe zhvillimet teknologjike. Sidomos kur është fjala për përmasat e ndryshuara të influencave të drejtpërdrejta në formimin dhe strukturimin e opinionit publik. Ky realitet i aliazhuar i medias me veten dhe format e larmishme të komunikimit social në Shqipëri është fakt me peshë ekzistenciale, për shkak të “ndarjes së pasurisë” së medias tradicionale me “bijat” e saj të reja të komunikimit të personalizuar, dixhital dhe elektronik.  Kjo sepse në sajë të përdorimit të rritje të internetit dhe instrumenteve teknologjike të marrjes së informacionit në kohë reale, “aty për aty”, fuqia sociale ndikuese e informimit on-line (për mirë apo për keq) jo vetëm është e pranishme, por dhe po zgjerohet me përshpejtim “agresiv” duke superuar edhe realitetet e komunikimit mediatik në shoqërinë tonë. Problemi është serioz, ai shfaqet me dimensione të zgjeruara, sepse sikurse dihet, edhe pse dixhitalizimi i shoqërisë ka rritur pushtetin e rrjeteve dhe komunikimeve sociale, një pjesë e madhe e njerëzve akoma kanë kryesisht televizionin dhe më pak shtypin e shkruar, si burim kryesor të informacionit. Akoma ndoshta edhe për shumë kohë televizioni do e ketë monopolin e ndikimit formues mbi popullatën. Këto realitete socio-mediatike që janë dinamike e eruptive duhen analizuar nga pikëpamja sociologjike. Padyshim nuk është normale, që akoma në Shqipëri nuk ka analiza të sakta, studime serioze, gjetje të thelluara, konkluzione me përgjegjësi për raportet dhe ndikimet reciproke, positive, por dhe retrograde midis pushtetit të medias brenda strukturës, roleve dhe funksioneve sociale të saj, dhe aspekteve të tjera të jetës politike, publike apo habitateve krejt private të shikuesit. Kanë kaluar më shumë se tre dekada nga zhvillimi sasior dhe cilësor i rrjetit të zgjeruar mediatik, dhe ky është një moment kur shoqëria ka të drejtë të pretendojë, dhe mbase për këtë arsye duhen bërë reflektime, ndryshime e përmirësime të raporteve të saj me “veten” dhe opinionin publik. Jo thjesht si konsumator pasiv, por si qytetar dhe qënie sociale aktive “banesa” e të cilit mbahet në këmbë edhe nga interferimet e “lëndës” që qarkullon e rrjedh përmes medias. Media, televizionet, gazetat besoj se nuk mund më të bëjnë rolin e “strucit” dhe të mos kuptojnë dhe reflektojnë, për shfaqjen e pakënaqësisë së qytetarit individualisht dhe opinionit publik në tërësi. Kjo është arsyeja pse tani është moment i presionit social në rritje, që do të thotë se është koha si imperativ që bën të natyrshme pretendimin social për median dhe përgjegjësitë deontologjike të saj. Së bashku dhe në të njëjtën kohë edhe gazetarëve, si interpret mediatik dhe njëherësh si subjekte krijues. Të cilët kanë kontributin e tyre të pamohueshëm profesional dhe të personalizuar, të cilët përgjithësisht duke vlerësuar dhe pasqyruar të vërtetën me vërtetësi, shumë shpesh ajo i ka shërbyer akselerimit të aspekteve të ndryshme të proceseve demokratizuese. Por për të qënë objektiv, në jo pak raste për shkak të shfaqjeve të “aty përatyshmërisë”, ngutjeve, garës, semplicitetit në pasqyrimin pa shumë përgjegjësi të realitetit, duke mos bërë dallimet e duhura midis të “vërtetës” dhe “vërtetësisë” ka sjellë dëme për moralin publik, pse jo edhe demokracinë.

Media dhe gazetarët duhet ta kuptojnë dhe brendësojnë në “lëkurën e tyre”, se koha ka bërë të vetën.

Ajo e ka evoluar emancipimin kulturor dhe zgjeruar verbin europian të shqiptarit. Kjo ka sjellë një realitet të ri social dhe sociologjik shumëdimensional, konceptual, perceptues, analizues në raportet e kontroversale midis cilësisë së medias në përballje me pretenciozitetin e zgjeruar dhe sensibilitetet në rritje të publikut. Edhe pse nuk është shumë realitet social i sensibilizuar publik, është fare evidente që ka kohë që në mënyra informale në publikun shqiptar ka debate dhe diskutime për median, rolin kulturor, ndikimin social edukues dhe argëtues. Por mesa duket rezatimi i këtij debati që përgjithësisht zhvillohet në rrugë spontane, të paorganizuar dhe intuitiv, akoma nuk ka ardhur me fuqinë e duhur të pushtetit, që duhet të ketë opinionit publik në ”veshët e medias”. Kjo jo vetëm për shkak të distancimit ontologjik, por dhe të një lloj autonomie që e ka në “lëkurën” e vet media. Ndoshta kjo “patologji ekzistenciale” edhe sot duhet kuptuar si realitet i lidhur me arsye historike dhe modelet e raporteve autoritariste të medias totalitare dhe distancës politike të saj nga qytetari. Por unë mendoj se përveç “acideve” që vijnë nga e kaluara, situata e raporteve midis medias dhe publikut, është e lidhur edhe me një lloj kakofonie deontologjike, shoqëruar me një lloj “konfuzioni specifik” të etikës profesionale. Besoj se është koha që media me përgjegjësi sociale të reflektojë, duke u larguar nga konceptimet sempliste e sipërfaqësore për rolin e saj në shoqëri. Na nevojitet një pretenciozitet më i qartë, më i shfaqur, për të vlerësuar ndikimet kontroversale, shumë herë positive, por në shumë raste negative e degraduese. Pa mohuar vlerën e medias në sferën e ndërlikuar të testimit të opinionit dhe rolit të saj për pasqyrimin e problemeve të caktuara, në mënyrë të shpejtë, të drejtpërdrejtë.

Këto reflektime sot janë bërë imperative dhe të domosdoshme.

Sepse tashmë shoqëria shqiptare është përballë problemeve të reja, intensive e të paqëndrueshme. Paralelisht po shfaqet tendenca e strukturimit të një lloji “invazioni” të fuqishëm mediatik mbi shoqërinë. Kjo situatë është e natyrshme, sepse qytetari individualisht, por dhe shoqëria në tërësi, janë në situatën kur ndodhen plotësisht të “rrethuar” nga tërë “arsenali imperialist” i të gjithë llojeve të industrisë së kompletuar mediatike, pushteti i së cilës mbi njeriun asnjëherë nuk ka qënë kaq i fuqishëm, i plotë, “totalitar” nga fuqia dhe i totalizuar nga pikëpamja e gjërësisë sociale dhe influencave sociologjike. E megjithatë për shkak të problemeve që ka media, me veten dhe kuotat në rrënie të besimit në opinionin publik për shkak të politizimeve evidente, militantizmit kompromentues dhe patologjive të tjera që shfaqen si difekte ontologjike të saj, duket se është cënuar edhe ana fenomenologjike e raporteve të medias me shikuesin apo lexuesin. Sidomos është duke u shfaqur një krizë e re e raporteve midis mediave vizive dhe shikuesit, duke sjell ulje të kuotave të “kënaqësisë së telespektatorit” shqiptar. Këtë dukuri sociologët e medias e shpjegojnë si shfaqje të patologjisë së raporteve të njeriut postmodern, në lidhjet e tij të dobësuara me median dhe konsumin e “materialeve mediatike”.  Filozofikisht këtë raport të ligështur, skepik, me autoritet në rënie, ulje të besueshmërisë sociologët e lidhin me faktin që niveli i kënaqësisë është në kuota të “minimumit të sublimimit”. Njeriu shpesh konsumon lëndën mediatike në mënyrë passive, dyshuese si mënyrë për të patur garancinë e pasqyrimit objektiv, të paanshëm, të vërtetë duke e reduktuar këtë marrëdhënie në nivelin e “sehirit pasiv”. Pasiviteti, inercia dhe konformizmi janë pasojat e kësaj situate, që kanë filluar të bëhen evidente edhe në Shqipëri. Po të observosh me kujdes, duket qartë një lloj hutimi, çorroditje e njerëzve për shkak të konfuzionit që krijojnë mediat, që në shumë raste sjellin perceptime kaotike, të defomuara tek shikuesit. Kjo ndodh sepse në teknikat komunikative të medias, ndërhyjnë shumë faktorë të brendshëm profesionalë por dhe të jashtëm aprofesionalë, që nganjëherë të duket sikur ata më shumë fshehin se sa tregojnë të vërtetën. Janë të neveritshme rastet kur media mbetet në pozitën e shëmtuar, duke treguar tjetër gjë nga ajo që duhet të tregojë, dhe që nuk është kompatibile me të vërtetën e realitetit.

Në këtë kontekst, sa për ilustrim po shtroj një shqetësim tjetër sociologjik.

Në media sidomos në televizion ka shumë rubrika politike, sociale e kulturore, në të cilat më shumë se roli i gazetarit apo moderatorit, që për arsye personale të nivelit kulturor apo aftësisë profesionale mediatike, duket sikur është anësor apo periferik. Padyshim kjo situatë lexohet kollaj dhe është produkt i faktit, që ka prej tyre që nuk e kanë thellësinë e duhur, omnipotencën e lëndës për të cilën organizojnë debatin. Në këto kushte duket përzgjedhja e nxituar e të ftuarve, nën ngutjen e realizimit të programit, qoftë edhe në dëm të cilësisë dhe efekteve sociale, politike, morale e kulturore të tij. Njerëzit si shikues për këtë kategori gazetarësh dhe të ftuarish, kanë filluar të përdorin termin pezhorativ të “gjithollogut”, kur është fjala për intensitetin e përdorimit dhe shpërdorimit mediatik të një numuri të caktuar të ftuarish. Një pjesë prej tyre kanë krijuar bindjen se janë “kutia e mendjes”, dhe kanë kompetencën universale për të bërë analiza e gjykuar për gjithçka. Kjo është një kategori analistësh, opinionistësh dhe intelektualësh, që mbase kanë edhe raporte të komercializuara e pragmatiste me median. Por akoma më shqetësues më duket se është dukuria e “banalizimit të së keqes”, që lidhet me një aradhë njerëzish që e thirren apo kërkojnë të mediatizohen edhe pse vijnë aty edhe pse nuk kanë “ndonjë gjë” të hairit për të thënë. Një pjesë prej tyre vijnë për efekte spektakolare, për të dalë në ekran thjesht për t’u parë apo dukur në publik. Është bërë patologjike tendenca e disave që mendojnë se personaliteti, më saktë ekzistenca e tyre individuale dhe publike është e lidhur me dukjet vizive në media. Sociologët e kanë analizuar këtë anomali patologjike dhe kanë diagnostikuar sindromën e përdorimit ekzibicional të daljes me çdo kusht në ekranet televizive, duke e përdoruar atë subjektivisht si “pasqyrë e përshtatshme për të plotësuar dhe kënaqur shpirtin narcizist”. Ndodh që gazetarët apo specialistët mediatikë harrojnë misionin human nga që priren nga sensadsionalja dhe spektakolarja, edhe pse ajo mund të jetë e dëmshme nga ana sociale. Kjo duhet korrigjuar. Mjafton të themi se kohët e fundit “kronika e zezë” është bërë preferenciale e dominante për mediat tona televizive sidomos, por edhe në ato të shkruara. Një sasi e madhe krimesh, vrasjesh, dhunë familjare kanë filluar të bëhen lajme të përditshme dhe po zënë vendin e rubrikave kryesore në edicionet e lajmeve dhe rubrika të tjera tematike, duke sjellë sipas meje çrregullime mediatike me pasoja sociale në shumfishimin dhe sofistikimin e krimit të rrugës, ordiner dhe banal. Ka raste kur nga trajtimi semplist mediatik, tek njerëzit, sidomos tek meshkujt e dhunshëm krijohet ideja se dhunë është “çështje e jetës private” dhe jo “çështje publike” sociale dhe mediatike. Por nëse problemin e para gjykimeve e shohim më gjërë, sociologjikisht konstatoj se në përgjithësi ndihet nevoja e zgjeruar e një “vigjilence mediatike” për fjalë, fraza, e qëndrime paragjykuese maskiliste, racore, seksiste e kulturore.

Në jo pak raste në media shpëtojnë fjalë e fjali që shfaqen si recidiva të paragjykimeve të tilla.

Gjuha pezhorative, përçmuese, diskriminuese është akoma një substancë sociale e mediatike “toksike” që qarkullon në hapësirën publike e mediatike. Sidomos evidente është kjo “patologji” sociale e mediatike kur flitet për të drejtat e njerëzve, për shkak të orientimit seksual të tyre, për njerëz që kanë probleme të shëndetit mendor apo kanë vartësi nga lëndët psikotrope (drogë dhe alkool). Media nuk mund të lejojë përhapjen e “acideve paragjykuese” në ekranet e saj. Ajo nuk mund të bëhet aleate e opinionit publik që shfaq mediokritet, duke shkelur kështu parimet kryesore profesionale e deotologjike të saj. Po sjell një fakt, që ka të bëjë me tipologjinë e trajtimit mediatik të dhunës mbi gratë në Shqipëri. Jo gjithnjë media e bën si duhet trajtimin e këtij problemi social, ndoshta nga më të mëdhenjë në Shqipëri për të ndërgjegjësuar qytetarët tanë, se niveli alarmant i dhunës mbi gratë shqiptare nuk është thjesht një problem gjinor. Përkundrazi ajo duhet parë, vlerësuar dhe interpretuar si shprehje e nivelit të qytetërimit tonë. Ka ardhur moment kur në “ideologjinë e medias” duhet rrënjosur koncepti modern i trajtimit të dhunës mbi gratë. Kjo kërkon bindjen e fortë dhe profesionalisht të rrënjosur se kjo dhunë që ushtrohet në mënyrë të gjërë si dhunë subjektive dhe sistemike, për shoqërisë shqiptare nuk është problem anësor, periferik, por thelbësor dhe me peshë sociale. Dhuna mbi gratë në të gjitha format e saj, fizike, verbale, emocionale apo e “përzier” është bërë një “limfë sociale” që rrjedh me intensistet të lartë në shoqërinë tonë. Në familje dhe jashtë saj, në habitate private dhe ambiente publike. Ekzistenca e këtij niveli të dhunës është një “turp social”, i cili shpesh herë në media dhe biseda private apo debate publike trajtohet në mënyrë sempliste duke e konsideruar si “problem kulturor” dhe jo ashtu sikurse është në të vërtetë, një problem i pastër kriminal. Shpesh herë në trajtimet mediatike ka një kakofoni konceptuale dhe një ambiguitet terminologjik dhe qëndrimesh, që sjellin “argumente” të natyrës zbutëse apo justifikuese për ekzistencën e dhunës dhe krimit mbi gratë. Kjo krijon një mbulesë, një “pelerinë” sociale dhe mediatike që i vendos këtij fenomeni shpesh herë terma të gabuara apo sfumime mediatike, që zbusin artificialisht efektet degraduese të dhunës mbi gratë. Madje nganjëherë deri në nivelin e degradimit të “statusit shoqëror” të gruas, duke e trajtuar në mënyrë të gabuar dhunën, shpesh herë deri në nivele kritike justifikuese e antihumane…