Dorëshkrimet e Rushan Veliut: Fidai Veliu, tregoi burrëri dhe trimëri deri në momentin e fundit të jetës së tij
- -Fidai Veliu, partisan i Br VI-S, burgosja nga Koçi Xoxja, arratisja dhe vrasja pa varr
- – Ai ju bashkua Batalionit Partizan “Rinia e Kuveleshit” më vonë Batalionit “Asim Zeneli”, Brigada e 6 -të Sulmuese
- – Konflikti i bërë me drejtuesit politikë për çështjen e udhëheqësit kryesor të lëvizjes antifashiste Nacional – Çlirimtare bëri që ta arrestojnë
- – Fidaiu ishte kundër njerëzve të sigurimit dhe të politikës të Koçi Xoxes që dizinformonin
- -Pas lirimit nga burgu ai arratiset dhe lidhet me nacionalistët në Gjermani
- – I rikthyer në Shqipëri pas 4 viteve përgatitje në një akademi në Gjermani me të gjitha taktikat ushtarake të luftimit, kthehet me një mision për përmbysjen e komunizmit
- -Gjatë hedhjes si desant tardhëtohet nga një shok dhe vret veten që të mos bjeë në duart e sigurimit
- – Kur im At u arratis, unë djali Rushan Veliu, ishta vetëm dy vjeç
- – Fidaiu ishte vetëm 12 vjeç kur ikën me babanë jashtë shtetit në Turqi si emigrant
- – Pushtimi i vëndit tonë nga Italia në 7 prill 1939 e gjeti Fidaiun, atje në krye të detyrës, në frontin e parë të vijës bregdetare duke luftuar me trupat e shumta Italiane

Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore…sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat.
Kush ishte Fidai Veliu!
Një djalë i ri, trim dhe energjik, ai ishte një bir nga Fushë Bardha, fshat me emër në zemër të Labërisë, në rrethin e Gjirokastrës. Që në rininë e tij ai do të vazhdonte rrugën e patriotizmit të familjes dhe fisit të tij. Ata, asnjëherë nuk pranonin nënështrimin nga pushtuesi i huaj, njëkohësisht ai mendonte dhe besonte tek idealizmi i tij, për ndryshimin e sistemit shoqëror. Këtë e kanë treguar vuajtjet dhe sakrificat për mbijetesën e familjes dhe të afërmve të tij, ashtu si vetë gjendja ekonomike në Shqipëri, por një zgjidhje ishte edhe emigrimi. Fidai Veliu nuk priti të thirrej apo t’i tregohej rruga e jetës së tij. Ai nuk u tremb aspak nga egërsia fashiste, por menjëherë ju bashkua Batalionit Partizan “Rinia e Kuveleshit” më vonë në Batalionin “Asim Zeneli”, Brigada e 6 -të Sulmuese. Ai ishte besnik dhe shumë i drejtë dhe këtë e treguan aksionet luftarake kundër pushtuesve fashistë në jug të Shqipërisë e deri në veri ku ai luftoi krahë përkrahë me shokët patrizanë.

Një ndëshkim i padrejtë nga dhuna e regjimit komunist!
Në vitet e para të periudhës së marrjes së pushtetit nga komunistët, në Shqipëri u krijua një sistem diktatorial sundues, i cili u mundua të siguronte vijën e këtij sistemi, nëpërmjet metodave të ndryshme presioni dhe frikësimi tek njerëzit. Në atë kohë shumë persona janë hetuar, akuzuar, dënuar e persekutuar, e deri në ekzekutimin në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit. Sigurimi i fshehtë që në vitet e para të funksionimit të shtetit të tijë, kishte në metodën e tij shumë të rëndomtë, si povokimet dhe suverjimet, intrigat e ngritura nga njerëz konkurentë me ambicie shumë të ulët njerëzore, njerëz pa formim intelektual e kulturor. Këta ishin njerëzit e sigurimit dhe të politikës të Koçi Xoxes. Flasim kur Fidai Veliu u bë pjesë tek ato figura antikomuniste, i cili e ka nisur rrugën e jetës së tij nga radhët e luftës. Mirëpo atëherë kur lufta kishte mbaruar, konflikti i bërë me drejtuesit politikë për çështjen e udhëheqësit kryesor të lëvizjes antifashiste Nacional – Çlirimtare nga njerëz informatorë, atë e arrestojnë dhe e burgosin. Për atë burgu nuk zgjati shumë, padrejtësia e bërë nuk mund ta mbante qelia brenda hekurave vrullin dhe burrërinë e tij. Ai kontriboi dhe luftoi kundër fashizmit, tashmë antikomunist, mori arratinë. Këtu fillon dhe historia tjetër e tij kalon në rradhët e lëvizjes së nacionalistëve shqiptarë jashtë vëndit për përmbysjen e regjimit komunist. I rikthyer në Shqipëri pas 4 viteve përgatitje në një akademi në Gjermani me të gjitha taktikat ushtarake të luftimit, me qëllim për të ardhë në Shqipëri me një mision dhe vendim të veçantë politik, për të vepruar individualisht dhe për të rrëzuar Qeverinë Shqiptare, me qëllim edhe në Shqipëri të vendosej një demokraci perëndimore. Por fatkeqësisht me të mbritur në jug të Shqipërisë, ai u rrethua nga forcat e ndjekjes, pjesë e Ministrisë së Brendshme, i tradhëtuar nga një bashkpunëtor i tij dhe për të mos rënë në duart e sigurimit të shtetit, vrau veten. Tashmë pas kaq vitesh, kur i Ati u arratis,unë djali Rushan Veliu, isha vetëm dy vjeç. Sot unë tregoj me detaje historinë e tim eti, me respekt e ndjej aktin atdhetar të tij. Është një jetë sa një tregim, me vërtetësi dhe emocion kur njeriu në jetën e tij bën sakrifica, lufton me të gjitha energjitë e tij për një qëllim, por jeta i ndërpritet tragjikishtë në mezin e saj.

Atje në Fushë Bardhë, unë ndjehem trashëgimtarë…
Në fshatin Fushëbardhë mes maleve të Labërisë janë të njohura historitë, legjendat, përplasjet e herë pas herëshme me armiqtë, të cilat i kanë bërë të parët tanë në shekuj me radhë. Pikërisht këtu lindi dhe njeri prej tyre, Fidai Veliu, në gusht të vitit 1916, në Fushëbardhë, në kohën e luftës së parë botërore 1914 – 1918. Pasojat e luftës së Parë Botërore s’ishin ftohur ende dhe në këtë fshat, në këto troje legjendare, si në të gjithë vendin kishin mbetur ndezur zemrat dhe mëndjet, për t’i dalë zot vatanit, për të mbrojtur edhe çdo centimetër katror tokë të tij, ishte amanet i të parëve tanë. Asnjeri këtu nuk e harron betejën e Skërficës në vitin 1914, në përleshje me andartët grekë, ku fushëbardhasit dhe Krahina e Kurveleshit bashkuan gjokset dhe bënë fuqinë e madhe për të përballuar terrorizmin Grekë. Ndërsa trimat e Fushë Bardhës dhe të fshatrave të tjera të krahinës merreshin me kundërshtarët në Qafë të Skërficës, gratë dhe nënat e Fushë Bardhës me fëmijtë nëpër djepe ngarkuar për të mos rënë në dorë të armiqve, morën rrugën për në fshatrat e Vlorës. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në qëndër të fshatit Fushëbardhë, me kontributin e bijve të fshatit, në një vënd të dukshëm është lartësuar me një memorial, që kujton këtë ngjarje të rëdësishme. Edhe Fidaiu, që i vogël u njoh dhe mësoi për këto ngjarje në këto troje të vendëlindjes së tij. Pikërisht kjo ishte frymëzimi dhe edukimi, kur i Ati nisi rrugën për besa – besë, dha besën për flamur dhe Shqipëri. Ky ishte një virtyt i trashëguar nga të parët e tij, gjënë më të çmuar, besën, Shqiptarët e kanë të trashëguar në shekuj.

Familja, ishte vatra e Atdhetarizmit tek Fidai Veliu
Im At lindi në një kohë të vështirë. Ishte fillim vjeshte. Gjëndja ekonomike në Fushë Bardhë ishte mjaft e rëndë. Në vetë kushtet e krijuara Gjyshi, Rrapua vendosi për të ikur në Turqi si emigrantë në vitin 1924, Fidaiu u afrua pranë tij dhe i tha në vënd të betimit:” S’do të ikësh vetëm këtë herë! Me ty do të vij edhe unë, le të jem i vogël. Në krahë të kemi njeri – tjetrin. Se kështu bëhen punët, bashkë!” Dhe gjyshi Rrapua, s’ja bëri dysh të birit, që kërkonte të burrërohej para kohe. Atëherë Fidaiu ishte vetëm 12 vjeç. Dhe ikën babë e bir jashtë shtetit, por koka u mbeti pas se këtu lanë pjestarët e tjerë të familjes së tyre, në një kohë kur ata kishin shumë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Në Turqi, gjyshi punonte për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjen këtu në Shqipëri, ndërsa djali i vogël, Fidaiu, nuk ishte gati për të punuar në krahë të babait. I duhej të mësonte gjuhën turke dhe të vazhdonte dhe shkollën atje. Shpesh Fidaiu i drejtohej babait: “Mos u dëshpëro! Do vijë edhe dita jonë që të bëhemi mirë! Sa të mbaroj unë shkollën, pastaj do t’i vëmë krahët punës të dy bashkë.”Gjyshi ngazëllehej nga fjalët e të birit. Në vitin 1938, kur Fidaiu, po kthehej në vendlindje, ishte vetëm 22 vjeç, ndërsa gjyshi vendosi të qëndronte më gjatë në kurbet. Kurbet i thënçin, punët ishin të rënda, pagesat ishin mjaft të vogla dhe atje asnjëherë gjyshit s’ju shtuan lekët në xhepa. Tregojnë se kur erdhi ai nga emigrimi për të mos ikur më prapë, kishte sjellë vetëm ca rroba për veshjen e familjes dhe disa ushqime, por lekët ishin të pakta. Mundimi, sakrificat ishin shumë të mëdha, por familja u gëzua se ai u kthye i gjallë. Kjo ishe rropatja për pasuri, ishte vuajtja e gjyshit dhe e babait që tregon këtë panoramë aq sa interesante, kur babai është arratisur nga Shqipëria unë kam qënë në duart e nënës vetëm dy vjeç. Tani e risjell me detaje historinë e tim Eti me mirënjohjen për aktin dhe për Atdhetarinë e treguar prej tij.
Një rrugë tjetër ishte në rini, për Fidai Veliun!
Fillimisht për Fidai Veliun, ishte herët për t’u marrë me ndonjë gjë. Kishte vetëm ëndrra shumë. Ai ishte në moshën 22 vjeçare kur u kthye në Atdhe dhe pa u çmallur mirë me familjen, i erdhi thirrja për të ikur ushtar. Atëherë e ndjente veten më të rritur, do të vishte uniformën ushtarake, e cila do t’i rrinte në trup më bukur se çdo kostum tjetër. Durrësi ishte vëndi ku do të priste ushtarin, birin e Fushëbardhës dhe ushtarët e tjerë, që prisnin të merrnin detyrën ushtarake. Ai me padurim priste momentin e shumë pritur për t’u betuar atje në mbrojtje të vijës bregdetare. Edhe pushtimi i vëndit tonë nga Italia në 7 prill 1939 e gjeti Fidaiun, atje në krye të detyrës, në frontin e parë të vijës bregdetare duke luftuar me trupat e shumta Italiane që po zbarkonin me shpejtësi në portin e Durrësit. Trupat Shqiptare nën Komandën e Abaz Kupit, bënë një qëndresë heroike për 36 orë, por kjo ushtri nuk mund të përballohej më gjatë. Në këto kushte ky batalion u shpërbë. Të gjithë ushtarët e këtij reparti ikën në rrethet nga kishin ardhur. Fidaiu,u kthye në Fushëbardhë dhe më vonë u bashkua me shokët të tij në Batalionin Partizan “Karafil Bello”, në Brigadën e 6-të Sulmuese. Aty u takua me Dilaver Poçin, Brahim Mihon, Boço Muhon. Të gjithë djem të zgjuar, trima dhe të gatshëm për të marrë detyra përsipër. Në operacionin e qershorit të vitit 1944, im At bëri debate të forta me komandantin Jaho Gjoliku. Ishin në Fterrë ku bëheshin luftime me armiqtë dhe në përballjen me ta, atje u vranë dy shokët e tij,Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu. Im At, i indinjuar dhe i prekur nga humbja e jetës së tyre, ikën nga kjo brigadë dhe vajti për të takuar komandantin e Zonës së Parë Operative, Islam Radovickën. Islami nga ai moment do të ishte pjesë e efektivit të brigadës së 7-të sulmuese, ku aty do të gjente edhe Tahir Kadarenë, me të cilin kishte njohje edhe më herët.
Tahir Kadarea e caktoi në Divizionin e parë, i cili vazhdoi luftimet gjer në çlirimin e plotë të Shqipërisë, më pas shkuan në ish Jugosllavi për çlirimin e trojeve shqiptare. Në qershor të vitit 1945 u kthye në Atdhe me shokët e tjerë, dhe Babai u caktua me forcat e ndjekjes. Pa bërë as dy vjet punë në këtë detyrë, e denoncuan për agjitacion dhe propagandë dy kushërinjtë e tij po nga Fushëbardha, Nimet Veliu dhe Dino Meçani. Akuza ishte:”Ke folur kundra partisë dhe Enver Hoxhës. Ke thënë se Islam Radovicka ka drejtuar luftën, Enver Hoxha ka qenë në shërbim të jugosllavëve”.Komandant Islamin e arrestuan dhe më vonë e dënuan me vdekje. Babain tim e arrestuan vetëm se foli mirë për Islam Radovickën. Në 1947-ën atë e burgosën në qelitë e burgut të Gjirokastrës. Por ç’ndodhi me Fidainë?! Ata që e njihnin nga afër tregonin:-Ku mbahet Fidai Veliu!Trim i çartur!.“E hedh në det dhe e gjen në stere”.Ai u arratis nga burgu dhe iku në Greqi. Prej andej për në Itali gjersa një ditë prej ditësh u gjend në Gjermaninë Perëndimore. Aty u përgatit politikisht dhe ushtarakisht me urdhër të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju Jork. Me qëndrimin e tij në Gjermani për 4 vjet, e përgatitën si antikomunist dhe e dërguan në Shqipëri bashkë me Xhemal Rizain dhe Kasëm Shehun me origjinë çame si dhe me Muhamet Hoxhën nga lagjia Palorto e Gjirokastrës, i cili ishte edhe kushëriri i Enver Hoxhës…
Ishte shkolla që ndryshoi plotësisht në jetën e Fidaiut.
Atje në shkollën ushtarake në Gjermani, tani Fidaiu si antikomunist bashkë me ata të katërt u përgatitën për të kryer një misionin në vëndin tonë, për të kryer një atentat kundër Enver Hoxhës dhe shokëve të tjerë, që do të merrnin pjesë në festën e çlirimit të Vurgut të Delvinës. Ata të katërt u nisën nga Gjermania Perëndimore në 23 korrik të vitit 1951 me destinacion dhe kordinata të sakta po të përcaktuara mirë, për vend hedhjen dhe skemën e lëvizjes dhe veprimet e menjëhershme që ata do të kryenin. Por i gjithë ky operacion ishte i manipuluar, ai u bë krejt një lojë e infiltruar dhe e organizuar mirë, nga vetë zbulimi perëndimor, ky ishte Kim Filbi, një agjent i dyfishtë. Filbi ishte një kordinator i Anglezëve dhe Amerikanëve me qëndër në Uashington, i cili tradhëtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur nga vendi i tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX, pa ditur aspak mjerimin dhe si po ndërtohej komunizmi në Shqipëri, por edhe në vetë ish Bashkimin Sovjetik. Fidaiu u parashutua nga avioni, por ai pritej. Menjëherë u zbulua nga agjenti, rreshteri Njazi Rrapushi, i cili i konsideronte ata si shokë, dhe krahut tjetër i raportonte për çdo plan që kishin, tek sigurimi i shtetit, të cilin këta të fundit e mbanin si njeriun e besuar të tyre. Njaziu, më tej, e hëngri në besë tim At, bashkë me të tre shokët e tjerë. Tashmë asgjë s’ishte më sekret, sepse rreshteri i sigurimit ua kishte treguar atyre fill e për pe këtë ngjarje, se kush ishte qëllimi i ardhjes së tyre të këtij grupi nga Gjermania. Ky njeri arriti dhe përçau grupin dhe gjithashtu vuri në dijeni”kopetentët”se grupi kishte zbarkuar në vëndin e quajtur Dragas në afërsi të Kalasës, Delvinë. Me një shpejtësi të rrufeshme, forcat e sigurimit dhe ato të ndjekjes morën informacionin nga njeriu që kishin brënda, Njaziun, se Fidai Veliu dhe Xhemali kishin mbetur në Dragas. Sigurimi i shtetit, urgjent organizoi operacionin e përbërë prej katërmijë vetësh, në përbërje të cilit ishte dhe popullatë e zonës së Delvinës, forcat e ushtrisë, forcat e ndjekjes dhe ato të policisë. Pasi i zbuluan, u bënë thirrje për t’u dorëzuar, por ata ishin të vendosur që edhe në çastin më të keq të tyre, ata nuk do të “zbërtheheshin” për detyrën dhe misionin e tyre. Prandaj për ata asnjëherë nuk diskutohej dorëzimi i tyre. Sigurimi i shtetit ishte informuar edhe për dy agjentët e tjerë anglo- amerikanë, Muhamet Hoxhën dhe për Kasëm Shehun, të cilët u hodhën me parashutë rreth 500 metra larg të parëve. Muhameti ndoqi rrugën drejt fshatit Kopaçëz, për të mos u kapur nga forcat e shumta, që po “krehnin” të gjithë zonën, ndërsa Kasemi iku nëpërmjet shelgjeve të lumit të Kalasës. Që të dy ata s’shpëtuan dot. U kapën dhe u dënuan me nga 25 vite burg. Përgatiti: Albert Z. ZHOLI
Nesër do lexoni:
– Si e gjetëm mbas 60-të vitesh u varrin e babait, Fidai Veliu!
– Ku u rrethua ai dogji çantën me sekretet që kishte brënda,dhe radion që komunikonte,u ul në shesh dhe vrau veten
– Fidainë,e morën zvarrë, ashtu edhe të vrarë me urrejtje ç’njerëzore e tërhoqën me litarë dhe e varën tek një pemë.
-E lanë të varur gjer në orët e mesnatës dhe më pas e lyen me vajguri dhe e dogjën.
-Ato pak kocka që i kishin mbetur ia hodhën në fundin e një grope,atje ku sigurimi i shtetit e mbajti fshehur për 60_të vite




















