Don Lush GJERGJI/ Nobelistja shqiptare e  paqes – Nëna Terezë (1979)

580
Sigal

Më 10 dhjetor 2014 është 35 vjetori i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shqiptare – Nënës Terezë (10 dhjetori 1979) ditë  kjo vërtet e madhe, e dalluar, e bekuar dhe e shënuar për të gjithë Shqiptarët në mendje dhe në zemra, sepse Bija, Motra dhe Nëna Terezë është  e para shqiptare Nobeliste e Paqes.

Kjo ngjarje befasoi botën atëherë, disa  edhe sot, sepse shumë njerëz pyesnin: çfarë ka bërë Nënë Tereza për paqe në botë? Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulur, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të pa lindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.

Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënë Terezës për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:

  • Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
  • Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
  • Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Shtyllat e paqes, sipas Nënë Terezës, janë: pranimi, nderimi, mbrojtja e jetës, prej zanafillës e deri te kalimi në amshim;

Aftësia për të kërkuar dhe dhuruar falje;

Dashuria flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe për të afërmin, sidomos për nevojtarë, ata që janë të kërcënuar dhe të rrezikuar, apo siç thoshte ajo “dashuria në veprim”.

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urrejtje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marr në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Kjo lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre njerëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tjetrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”. [i]

Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.

 Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishën dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe ti jepet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nënë Tereza është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.[ii]

Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Oslos, gjatë përcjelljes së Nënë Terezës për kthim në Kalkutë, ndër të tjera  theksoi:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë dhuratë: ne apo Nënë Tereza? Ne i falënderohemi asaj, që e ka pranuar këtë shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë… Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas shpërblimit të Nënë Terezës do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Terezë…Më mirë dhe më thjeshtë do të ishte që ajo prapë ta fitonte këtë dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).[iii]

Nënë Tereza e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfrit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.

Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të nocionit dhe religjionit, të kastave dhe të ngjyrave…

Recepti” i Nënë Terezës është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm për çdo njeri: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.

Dhe në mbarim më lejoni “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëj edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979.  Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë (1918-1996). Dolëm për ta pritur Nënë Terezën në aeroportin e Oslos. Me Nënë Terezën ishte edhe vëllai i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Agelind Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.

 Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”.

Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha: “Jo,  por kemi ardhur për t’i parë bukuritë  natyrore të Norvegjisë”.

Nënë Tereza, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si të kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.[iv]

Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shqiptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.

Ja përgjigja e Nënë Terezë: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjan atje. Një gjë vetëm  di:Unë mund të them vetëm se lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti tu japë dritë për të parë, se nëse dëshirojnë të jetojnë në paqe, atëherë do ta duan njëri-tjetrin…”[v]

Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e shkroi me dorën e saj në gjuhën shqipe: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vjen në zemër tona, në gjitha familjet tona, në gjithë’ botën. Lutuni shumë’ për fukaratë e mi- dhe për mua dhe motrat e mia. Unë lutem për juve! M. Tereza Bojaxhiu, Oslo; 10/12/79.”. [vi]

Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për ju, për motrat tuaja dhe për të varfrit shpërblimi Nobel për Paqe?”

 Nëna Terezë tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë e posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në shoqërinë tonë. Kjo dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tek  e mbrëmje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më  të rëndësishmet për paqe…Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”[vii]

Nënë Tereza pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e bashkon shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.
Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënë Terezës, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për njëri-tjetrin, apo si shprehej ajo bukur: Për Zoti dashuri dhe për Vëllain njeri”.

Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja  Shqiptare e Paqes – Nëna jonë Tereza!

Prishtinë, 10 dhjetor 2014

Tri shtyllat dhe përcaktimet e Nënë Terezës

Katedra e Paqes” në Oslo:

  • Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
  • Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
  • Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.