Ben Blushi: Ku mund t’i gjejnë studentët universitetet tona

Paratë i paguajnë familjet e studentëve dhe i bëjnë rrush e kumbulla dekanët dhe rektorët. Dhe kur ato studentë kërkonin të drejtat e tyre, ata helmoheshin nga policia me gazlotsjellës dhe tërhiqeshin zvarrë në bulevard. Ndaj dhe zgjodhën rrugën e largimit si shenjë kundërshtimi ndaj qeverisjes dhe levave të saj.

Gati një vit më parë isha i ftuar për një bisedë me studentë të gjuhë letërsisë në Universitetin e Korçës. Nuk ishin më shumë se 12 nxënës.Njëzet vjet më parë, në atë degë studionin disa qindra djem dhe vajza, që besonin se një diplomë mund të të sigurojë një punë të mirë.

Po sot kjo nuk është më e vërtetë. Jo të gjithë janë të bindur se një diplomë universitare mjafton për të të siguruar punë. Dhe çështja për shumë familje është, a ja vlen ta çosh fëmijën në shkollë të lartë?

NOA

A i kthen paratë e investuara në arsim çdo lloj dege dhe çdo lloj shkolle? Kam frikë se jo. Të kushtëzuar nga komplekset sociale, familjet kursejnë për t’i çuar fëmijët në shkolla të larta, por këto para që mund të investoheshin diku tjetër, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kthehen më. Për fat të mirë shumë prindër po e kuptojnë këtë. Shumë shpejt njerëzit do fillojnë të heqin dorë nga diplomat. Të kesh një diplomë nuk do të thotë se ke edhe një punë të garantuar, apo një punë të paguar mirë. Në tregun shqiptar një hidraulik fiton më shumë se një jurist. Një elektricist fiton më shumë se një mësues. Një kuzhinjer fiton më shumë se një biolog. Një agjent imobiliar fiton më shumë se një ekonomist.Ndërtuesi i një brigade me dhjetë veta, fiton më shumë se një arkitekt. Nëse një famije i duhen të paktën 50 mijë euro në katër vjet, për të mbajtur një fëmijë në universitet, për të edukuar një elektricist duhen dhjetë herë më pak dhe mundësia që ai të kthejë mbrapsht investimin, është shumë më e shpejtë. Në përgjithësi arsimi në gjithë botën është në krizë dhe për më pak se një dekadë përparimet teknologjike jo vetëm do mbyllin shumë vende pune, por do mbyllin edhe laboratorët që bëjnë njerëzit gati për punë: vetë universitet.

Shqipëria nuk do bëjë përjashtim.

Nëse në dhjetë vitet e ardhshme nuk vjen në pushtet ndonjë qeveri ultra e majtë, që merr para nga taksat për të lehtësuar dramat sociale, shumica e universiteteve do mbyllen.Thonë që universitetet private janë pak më mirë. Derisa mbeten të hapura duhet të jenë pak më mirë.

Megjithatë shumë shpejt edhe ato do rrudhen siç janë rrudhur. Zgjidhja e parë e fëmijëve shqiptarë sot janë universitet e huaja, zgjedhja e dytë janë ato private dhe zgjedhja e tretë janë universitetet publike. Por shumë shpejt familjet shqiptare do jenë përballë një dileme shumë të madhe:

Pse i duhet një diplomë fëmijës tim? Unë vetë, nëse do kthehesha 40 vjet përpara natyrisht nuk do zgjidhja më degën që kam zgjedhur gjuhë letërsi, e cila nuk më mësoi asgjë, por ndoshta nuk do zgjidhja të shkoja fare në Universitet. Jeta më ka mësuar më shumë gjëra se shkolla.

Puna më ka mësuar se shkolla nuk të mëson të punosh. Shumica e njerëzve që i mbaruan shkollat në fund të viteve 1990 nuk i përdorën asnjëherë diplomat e tyre. Ata bënë punë të tjera që mund t’i bënin edhe pa diplomë. Sot mund të jetosh shumë më mirë duke i investuar kostot e shkollimit diku tjetër, në një start up apo në një biznes familjar apo në turizëm apo në bujqësi.

Atëherë si zgjidhet kriza e universiteteve?Unë besoj se asnjë reformë që nuk zgjeron tregun nuk mjafton. Integrimi i Shqipërisë në BE do t’i shkatërrojë edhe më keq universitetet tona.

Si një vend antar i BE, fëmijët shqiptarë mund të studjojnë gratis në çdo vend europian që do të thotë se kostot që paguan sot një familje për të çuar djalin apo vajzën në Gjermani do jenë dy herë më të ulëta. Kjo do t’ia marri edhe kafshatën e fundit universiteteve tona publike, por edhe atyre private.

Shqipëria do e ketë të garantuar arsimin e fëmijëve të vet, por do rrezikojë mbylljen e universiteteve të veta. Sa herë flas me miq, që administrojnë universitete private, ju them se e vetmja rrugë që ata t’i mbajnë hapur bizneset e tyre është hapja e tregut ndaj të huajve. Universitetet tona janë pjesa më e izoluar e shoqërisë. Edhe ekipet e varfra të futbollit kanë të huaj pa folur për restorantet, shërbimet, bankat apo kompantë. Çuditërisht universitetet duken si laborarorë të pastër etnik. Aty ka vetëm shqiptarë që nuk mësojnë. Natyrisht Shqipëria nuk mund të joshë dot studentë gjermanë, as belgë, as sllovenë, ndoshta as turq. Por nisur nga vendodhja gjeografike, klima dhe kostot e ulëta të jetesës, Shqipëria mund të kthehej në një hub të lirë evropian për mijëra studentë kinezë, indianë, pakistanezë, bangladeshas, irakenë, egjiptianë, vietnamezë etj.Të gjitha këto vende cojnë cdo vit në universitet e tyre më shumë se 200 milion studentë. Ndoshta edhe më shumë.

Në të gjitha këto vende që kanë një popullsi sa gjysma e botës, afro 4 miliardë njerëz, shtresa e mesme po rritet me shpejtësi. Gjithmonë e më shumë njerëz po dalin nga varfëria në Kinë, në Indi, në Egjipt në Nigeri dhe në Vietnam ku ekonomia po lulëzon. Kjo do të thotë se në dhjetë apo njëzet vitet që do vijnë, familjet do çojnë edhe më shumë fëmijë në shkolla të larta. Por kaq shumë fëmijë nga familjet e mesme kineze, indiane dhe pakistaneze, që ëndërrojnë të shkollohen në Evropë, nuk shkojnë dot në Londër, as në Paris dhe as në Berlin, apo në Amerikë që po mbyllet si treg universitar.Përveç politikave izolacioniste në këto vende, kostot janë shumë më të larta dhe kuotat shumë të kufizuara. Por një pjesë e tyre mund të vinin në Shqipëri, si në një vend evropian. Unë habitem se si univesitetet private harxhojnë ende para për të reklamuar në tregun e vogël shqiptar, kur duhet të hapnin agjensi rekrutimi në Kinë, në Indi apo në Pakistan apo në Egjipit. Ky duhet të ishte një biznes kombëtar. I ndihmuar nga shteti. I udhëhequr nga shteti.Qeveria mund ti eksplorojë këto tregje fillimisht për të mbushur universtetet publike që sot po japin shpirt. Është më mirë që universitet tona të mbahen me paratë e kinezëve dhe indianëve sesa me taksat tona. Nga 200 milion studentë aziatikë që shkojnë çdo vit në shkollë të lartë qoftë edhe 0.1 për qind të vinin në Shqipëri janë dy herë më shumë se gjithë numri i studentëve shqiptarë në total. Shteti mund të kthehej në një agjensi për të mbledhur studentë nga vende të tjera përmes marrëveshjesh dypalëshe. Imagjinoni sikur Universiteti i Korçës që po vdes, të ishte një destiacion për studentë kinezë. Universiteti i Gjirokastrës për vietnamezë, Vlora për egjiptainë, që meqë ra fjala po mbajnë në këmbë sot industrinë tonë të peshkimit, apo Elbasani për indianë. Ky migrim arsimor, nuk gjallëron vetëm universitetet, por mund të kthehet në ekonomi për vetë qytetet tona të mpakura. Prandaj them se nëse duam Universitet duhet të gjejmë studentë, sepse megjithëse mësues ka, nxënës do ketë gjithmonë e më pak.

Reagojnë pro dhe kundër Ben Blushit

01

Engjëll Musai, Drejtor i ‘Telegraf’: Kur studentët protestonin, policia i helmoi me gazlotsjellës

Universitetin shqiptar e shkatërruan të pashkollët. Ata që pranimet i bëjnë me para dhe degët dhe specializimet i ndajnë me shumë para. Universitetet i shkatërroi babëzia e politikës klienteliste e nepotike, droga , mungesa e shtetit ligjor dhe qëndrimi në politikë me votat e blera dhe zgjedhjet e vjedhura. Mesa duket teoritë për largimin e shqiptarëve dhe zëvëndësimin e tyre me arabo -aziatik,po bëhet realitet. Si i tha ai “Ballë për Ballë ” do përfundojmë …në shkretetirë?! Kur ministre e Arsimit u vendos një analfabete,me të vetmen meritë se ishte Soros-jane. Këto janë pasojat e reformës 2014.

Kush ka mend e kupton edhe deklaratën e Sekretarit të DASH Rubio se : Mos bëni deklarata për Zgjedhjet politike dhe drejtësinë , si shtylla të demokracisë, pasi demokracia nuk importohet, por fitohet, nga ata që meritojnë demokracinë , e cila vjen nga studentët si armata e pamposhtur e një kombi. Demokracia dhe dija nuk vijnë as nga mongolo-aziatikët dhe as arabo-afrikanët, të cilëve nuk u intereson se kush është kryehajduti i këtij vendi, apo armiku i popullit të vet…Nëse shteti dhe MAS do ishte ulur me studentët sot do kishim një tjetër situatë në universitete. Por, paratë i paguajnë familjet e studentëve dhe i bëjnë rrush e kumbulla dekanët dhe rektorët. Dhe kur ato studentë kërkonin të drejtat e tyre, ata helmoheshin nga policia me gazlotsjellës dhe tërhiqeshin zvarrë në bulevard. Ndaj dhe zgjodhën rrugën e largimit si shenjë kundërshtimi ndaj qeverisjes dhe levave të saj.

02

Sami Milloshi: Qeveria i do kamarierët egjiptianë, studentët kinezë, bangladeshas, apo vietnamezë

Ben Blushi që hap diskutim moria e ideve të tua, kjo është një gjë fort pozitive. Por mendoj se ka një pyetje se cilës i duhet dhênë përgjigje fillimisht. Dhe pyetja është kjo: çfarë politikash ndjek një qeveri për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit? Ndoshta është më mirë që të vijë një qeveri që së pari të zhvillojë pikërisht ato degë të ekonomisë ,që janë profitable; si për shembull, bujqësinë, blegtorinë, frutikulturën. Mbi këtë bazë, mund të fuqizohej universiteti bujqësor, dhe ndoshta të mbyllej fare universiteti i Korçês e disa të tjerë, që mesa duket janë ngritur me ide platonike, por jo mbi bazën e nevojave ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve. Prirja jote, është e dukshme në favor të globalizmit. Por ti ,dashur pa dashur i harron ata fermerët shqiptarë qê flakin domatet, rrushin, dhe qumështin në rrugë, sepse nuk kanë treg ku t’i shesin. Pse? Sepse kjo qeveri që është ka natyrë të qeverisë se spektaklit, dhe demek i është vërsulur turizmit a thua se kjo e zbuloi së pari turizmin! Kjo qeveri e ka më të lehtë të pêrkrahë një grusht grosistësh, që monopolizojnë tregun e perimeve, dhe të ushqimeve në përgjithësi, sesa të mbështesë fermerët me kredi të buta të zhvillojnë ekonominë që munden në fshatin shqiptar. Ta them hapur, mua më tmerrojne idetë e tua, sepse çojnë ujë në zhdukjen edhe të asaj pak tradite ekonomike dhe kulturore që shqiptarët e kanë krijuar me mund me shekuj. Trishtim më të madh nuk kam ndjerë ndonjëherë kur në hotelin ku pushova kësaj here në Shengjin, jo vetëm pushuesit ishin të gjithë polakê, asnjë shqiptar përveç meje dhe dy kosovarëve. Por edhe 8 kamarieret të gjithë ishin egjiptianë, dhe asnjë fjalë Anglisht nuk e dinin. Por me polakë muzhikë mund të bisedohej edhe me gishta…dhe egjiptianët e bënin këtë… Tani, mirë që nuk paska Shqipëria hidraulikë, e elektriçistë, po as djem e vajza për kamariere nuk ka? Ka Ben, ka, por qeveria juaj i do egjiptianë, siç i do ti studentët të jenë kinezë, bangladeshas, apo vietnamezë.

03

Eva Allushi: Shqetësimi është i drejtë, asgjë nuk e zëvendëson auditorin
Eva Allushi

Beni shqetësimi është i drejtë. Në çdo kohë duhet diskutuar për arsimin e dijen. Mua koha me ka mësuar te mos i shoh gjërat bardhë e zi. Unë gjej argumenta racionale e të drejtë tek ky koment i yti. Sikurse po ashtu, jam dakord me shumë prej shqetësimeve të ngritura nga komentues në këtë postim. Të gjitha qëndrojnë. Nëse do të kishim një problem, do e kishim zgjidhur tashmë. Por situata është komplekse. Së pari, ajo që më mundon është mungesa e respektit që kemi për veten tonë dhe punën që kryejmë. Nuk duhet të nxijmë çdo arritje. Ka përparim. Duhet pranuar. Studentë e pedagogë shqiptarë ngado që shkojnë universiteteve e konferencave ku provojnë veten ndihen të barabartë me studentë e kolegë pedagogë gjithashtu. A ka rënie të numrit të studentëve? Po. A duhet më shumë cilësi? Po. A duhet të përparojmë me kërkimin shkencor? Po. A duhet t’i japim vlerë diplomës shqiptare? Po. A kemi një rënie tejet shqetësuese të numrit të popullsisë në vend si pasojë e emigracionit? Po. A kemi rënie të lindshmërisë? Po. A kemi nevojë për më shumë mbështetje? Po. Te gjithë këta argumenta, po dhe shumë të tjera kanë ndikuar e ndikojnë në realitetin e universiteteve tona. A duhet të hapim dyert për studentët e huaj? Po patjetër që po. Sikurse çdo shtet pret studentë të huaj dhe ne nuk kemi pse të bëjmë përjashtim. Po kjo nuk mund të përbëjë strategjinë tonë për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Shqipëria duhet të mos jetë e fundit në rajon sa i takon financimit të arsimit të lartë e kërkimit shkencor, dhe të gjithë aktorët e faktorët duhet të fokusohen tek shndërrimi e përmirësimi i vazhdueshëm në Ciklet e Arsimit Parauniversitar. Me gjithë respektin për profesionet, asgjë nuk e zëvendëson AUDITORIN. Kurrë dhe asnjëherë. Revolucioni në informacion mund ta lajmërojë shoqërinë për shumeçka, por nuk ka fuqinë ta shndërrojë atë.

04

Irena Beqiraj: Zgjerimi i tregut universitar me studentë të huaj edhe historia e Hasanit!

Në rrethinat e Tiranës ka qenë një zakon: burrat ndihmonin njëri tjetrin, kur ishte periudha e të korrave. Ditën që punuan tek ara e Hasanit drekën e çoi gruaja e Hasanit, e cila nuk shquhej për gatim madje nuk dinte fare të gatuante. Hasani i cili e vuante çdo ditë këtë fatkeqësi tek i shihte burrat e fshatit që mezi gëlltiteshin, për të mos lënë vend që ndonjë prej tyre të ankohej, apo të hidhte ndonjë romuze thërriste: ” Ah të lumshin duart moj grua për këtë supë “…..apo çfarë do tjetër kishte gatuar gruaja edhe servirej gjatë drekës në arë . E kështu vazhdoi gjithë dreka . Burrat të lemerisur nga ushqimi i keq ….e Hasani duke thirrur ” Epo të lumshin duart moj gru ”

Derisa një ndër më të rinjtë, i cili zor se ja kuptoi hallin Hasanit, i kthehet ” Xha Hasan boll u lodhe tuj thërrit se vallaha me këtë ushqim nuk do të kënaqej as gomari im ”

Ndërsa “Diplomat tona pa vlerë” i kanë braktisur studentët tanë në masë, nga vjen besimi se do t’i dëshirojnë studentët e huaj ? Është njësoj sikur Hasani që thërriste nga halli, në thirrje e sipër ti mbushej mendja se mund të krijonte treg përtej pragut të shtëpisë për gatimet e gruas së tij!

Megjithëse Hasani mund ta krijonte një treg të tillë, po të ndryshonte gruan! Edhe në Shqipëri për zgjeruar apo siç i pëlqen Qeverisë për ta ndërkombëtarizuar atë duhet si fillim të trasformojmë universitetet!