Dhjetë pyetje për Edi Ramën dhe enigma të tjera rreth tij!

527
Sigal

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Dje kishte replika në distancë midis Edi Ramës, Presidentit Meta dhe nënkryetarit demokrat, Paloka rreth çështjes së votës shqiptare për të hetuar akuzat e Dick Marty-it. Kryeministri ishte i pari që shkroi kundër Metës, Berishës dhe Bashës rreth qëndrimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës në vitin 2011. Në atë që ai shkroi, Rama hodhi edhe një shashkë, me të cilën aludon se personazhet që i përmend “paskan dashur ta mbrojnë Kosovën nga Hashim Thaçi”! Rama gjithë fabulën e tij e përmbledh në tri fjali “Sali, pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës, kur ne e votuam kundër, apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir, pse e votove pro Raportin e Dick Marty, apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?” Të jem i sinqertë, prej momentit që Thaçi e Rama filluan bashkëpunimin me Vuçiçin kundër Kosovës, edhe unë kam dashur me shpirt që Kosova të çlirohet nga presidenti i vet e Shqipëria nga kryeministri i errësirës! Nuk kam asnjë arsye të përgjigjem rreth pyetjeve që bën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por dua të theksoj se, nëse qeveria shqiptare do votonte kundër hetimeve të akuzave të Dick Marty-it, atëherë e gjithë bota, edhe miqtë tanë, do të rrisnin dyshimin se mos ndoshta vërtet në shtëpinë e verdhë kishte transplantim organesh!” Kjo ishte akuza e Dick Marty-it, ndërkohë, që akuza e tanishme nuk ka lidhje me transplant organesh, falë qëndrimit të qeverisë së asaj kohe për të lejuar hetimin në Shqipëri. Këtë e di Edi Rama, por mesa duket i merr shqiptarët për injorantë dhe hedh tymuese “patriotike”, sikur ai vërtet është simpatizant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nisur nga ky argument do të duhej që Edi Rama t’i përgjigjej disa pyetjeve e më pas të shkarkohet nga akuza e Presidentit të vendit, Ilir Meta dhe e opozitës shqiptare për tradhëti kombëtare:

1. Si e korruptove Hashim Thaçin zoti Rama për ta angazhuar në projektin tuaj e të presidentit serb, Vuçiç, për shkëmbimin e territoreve? Cilat ishin ofertat e tua ndaj tij? Po presionet? A i dërgove një kërcënim të sajuar në Beograd përmes Baton Haxhiut, duke i kujtuar Thaçit se “Beogradi kishte dërguar dëshmi, me të cilat ai dënohej në Hagë dhe bashkëpunimi për kufijtë do ta shpëtonte atë nga kjo akuzë?! Po karrota cila ishte? A i kishe rekorduar ti të gjithë këto hapa me mikun tuaj, Aleksandër Vuçiç?!

2. Pse e rehabilitove Serbinë e kriminelit Aleksandër Vuçiç në sytë e botës së civilizuar, zoti Rama? Si është e mundur që bashkëpunove aq ngushtë me të për ndarjen e Kosovës? Çfarë të premtoi ty personalisht shefi i shtetit serb për këtë shërbim kaq madhor për kombin serb? Pse i mbështete pa analizë, pa ekspertizë, pa marrë pëlqimin e presidentit të vendit (Nishani dhe Meta) të gjitha iniciativat serbe në Ballkan, përfshirë atë të kufijve? A kishe për detyrë ta mbroje territorin e shqiptarëve, apo doje, që pas ndarjes së Kosovës, të realizoje si mitoman atë “Shqipërinë e Bashkuar”, të cilën e duan dhe e lejonë serbët me plot dëshirë? Në këtë projekt, a i premtove Hashim Thaçit se do të ishte ai presidenti i “Shqipërisë së Bashkuar” (në fakt të sakatuar) dhe ti do të ishe kryeministër i kësaj Shqipërie të robëruar nga Beogradi?!

3. Pse zgjodhe, që ditën e dytë të detyrës si kryeministër, për këshilltar politik dhe ndërmjetës me Beogradin e Prishtinën e Thaçit një person, së paku të dyshuar publikisht si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbe? A ishte kjo garanci e miqësisë tuaj me kryeministrin e asaj kohe të Serbisë, Aleksandër Vuçiç?

4. Ti gjithmonë u akuzove për konspiracion kundër territorit të Kosovës dhe vazhdimisht i mbrojte hapur ata që e propagandonin këtë ide në publik. Ti angazhove këshilltarin tënd dhe analistë të tjerë të shumtë për të promovuar me shkop tregues në dorë “dobitë” e ndarjes së Kosovës. Pse e bëtë këtë? Pse nuk iu përgjigje kurrë akuzës që Carld Bild ju bëri në mediat ndërkombëtare për këtë veprimtari tuajën anti-kombëtare? Pse nuk iu përgjigje zonjës Sonja Biserko dhe Natasha Kondiç, kur thanë se ti dhe Vuçiç ishit marrë vesh që në vjeshtën e vitit 2016 për ndarjen e Kosovës? Dhe në vend që të vlerësoje kritikat e këtyre, u ngrite hymne antishqiptarëve serbë si Kosturica dhe Ivo Andriç?

5. Pse promovove minishengenin dhe bëre kritikën e hapur serbe për politikën e Kosovës, duke e akuzuar atë për “vetizolim”?! Ndërkohë pse nuk i kërkove kurrë, ama kurrë, Vuçiçit të respektojë realitetin e shtetësisë së Kosovës?! As bëre përpjekjen më të vogël që ta detyrosh atë të pranonte së paku heqjen nga retorika të logos së Rankoviçit “Kosovo e Metohi”! A vinte ky qëndrim yti në kundërshtim me marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve? Ndaj nuk guxove?!

6. Si mendon, interesi strategjik është për të krijuar një linjë aleance Maqedoni-Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Kroaci, apo aleancën e kundërt që ju e krijuat në kundërshtim me interesin strategjik të vendit: Tiranë-Beograd, duke injoruar Kosovën?! Pse zgjodhët këtë të fundit në vend të së parës? Kush ua këshilloi? Kush ua ofroi dhe çfarë u premtoi në këmbim për këtë shërbim anti-kombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën?!

7. Pse u përpoqe fillimisht që konfliktin e Kosovës me Serbinë ta zgjidhnit ju direkt, pa marrë parasysh interesat e Kosovës? U tërhoqët disi nga kjo lojë, por prapa kuintave luajtët një rol akoma më negativ. Kujt i shërbeu ky qëndrim yti? A është logjike të thuhet se e gjithë kjo veprimtari e juaja kundër shtetësisë së Kosovës bllokoi njohjet dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare? Sigurisht që po. Cili shtet do ta njihte Kosovën, kur Vuçiç dhe Daçiç u thoshte atyre: “Prisni, mos e bëni njohjen, sepse ne po bisedojmë me kryeministrin e Shqipërisë për ta ndarë atë dhe pas kësaj nuk do të ketë më shtet kosovar”. Cili vend do ta njihte Kosovën si shtet, kur liderët serbë t’i paraqisnin atij paktin tuaj me Beogradin kundër Kosovës?!

8. Pse e përçave skenën politike të Kosovës, madje në formën dhe mënyrën më brutale? A nuk e dije se përçarja e politikës së Kosovës e cënonte imazhin e shtetit të saj? Apo e bëre qëllimisht për këtë arsye?! Pse krijove grupe e tarafe pro dhe kundër? Dhe në Tëiterin tënd të sotëm ke bërë të njëjtën gjë?!

9. E parafundit, një pyetje konspirative: A ke marrë këshilltarë (e) nga Beogradi në selinë e kryeministrisë, të cilët t’i ka ofruar Aleksandër Vuçiç?! Dhe si i ke marrë, me kohë të plotë apo të pjesshme? Kush i paguan, Beogradi apo taksapaguesit shqiptarë?! Pse i more gjithashtu? Si shenjë kontrolli për besnikërinë tuaj ndaj Vuçiç?!

10. E fundit: Si guxove të paditësh homologun tënd shqiptar, Ramush Haradinajn, në gjykatë? Cili politikan shqiptar e ka bërë një akt të tillë anti-kombëtar?! Më pas pse u tërhoqe nga kjo akuzë?! Vërtet mendon se shqiptarët i besojnë alibisë tënde se “U tërhoqe për shkak të situatës që u krijua pas shpalljes së akt-akuzës për Hashim Thaçin”?! Ti ke shtruar tri pyetje për tre persona në Tëiterin tënd. Unë mund të shtroj njëmijë e një pyetje për tradhtitë tua ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar! Prandaj unë them se vetëm heshtja mund të të ndihmojë sado pak, zoti kryeministër i errësirës?! somario Një pyetje konspirative, kryeministër i errësirës: A ke marrë këshilltarë (e) nga Beogradi në selinë e kryeministrisë, të cilët t’i ka ofruar Aleksandër Vuçiç?! Dhe si i ke marrë, me kohë të plotë apo të pjesshme? I more si shenjë kontrolli për besnikërinë tuaj ndaj Vuçiç?!