Denion Meidani: Manovra qeveritare me rritjen e pagave

571
Sigal

Gazeta Telegraf/

Rritja e rrogës
minimale, “reformë” në shërbim të zgjedhjeve

Denion Meidani

Me përmbysjen e
sistemit monist, në fillimet e tranzicionit, Shqipëria ishte vendi ku largimet
migratore ishin ndër më të mëdhatë midis vendeve ish socialiste, madje me mjete
nga më të çuditshmet dhe mënyra nga më të rrezikshmet. Por, edhe pse u duk
sikur situatat e dikurshme, tepër të dhimbshme, u konsideruan si të kapërcyera,
Shqipëria e kohëve të fundit po krijon një rekord të ri tani midis vendeve të
Ballkanit. Madje, në rajon, sipas statistikave, ajo është vendi, që radhitet si
i pari për nga dëshira e rinisë për t’u larguar nga sytë-këmbët prej atdheut të
tyre. Për më tepër, këto largime janë ende në rritje edhe në periudhën e
fundit. Bile, nga debatet në komisionin e jashtëm parlamentar ka rezultuar se,
vetëm gjatë vitit 2015, numri i shqiptarëve, që kanë kërkuar azil politik në
vendet e BE-së, e ka kaluar shifrën prej 67 mijë. Ky trend, për fat të keq, po
njeh sërish rritje. Por, dhimbja dhe keqardhja bëhet akoma më e madhe, kur
lexon të dhënat e Eurostat-it se mbi 80% e azilkërkuesve kanë qenë nën moshën 35
vjeçare. Kjo flet jo vetëm për largimin e rinisë, por dhe për situatën
shqetësuese të papunësisë midis brezit të ri në Shqipëri! Po kështu, një migrim
i tillë, ky varfërim në moshat më aktive është dhe një kambanë alarmi, sepse
dobësimi i mëtejshëm i kësaj force pune në një të ardhme të afërt do të ketë
efektet e veta tepër negative në zhvillimin ekonomik, në vetë tregun e punës,
në skemën e pensioneve dhe sigurimeve sociale, në të ardhurat e kontributet
përkatëse. Vlen të përmendet, po ashtu, se këto shifra kanë tejkaluar me shumë
herë parashikimet e INSTAT-it për këtë periudhë. Mesa duket, në studimet e tyre
nuk ishte integruar mirë “faktori rilindje” në ekuacion!…

Koncesionaret grabitëse

Po të konsiderojmë edhe
dëmin ekonomik në këtë trevjeçar, mund të radhisim dhe mjaft biznese
financiare, minerare, naftë-nxjerrëse, sipërmarrje rafinimi e tregtimi, etj. në
një krizë të thellë. Ato kanë ndaluar investimet e rrudhur punësimin, madje
disa prej tyre kanë falimentuar apo shitur aktivet e aksionet. Po ashtu, jo pak
sipërmarrje import-eksporti po lëngojnë, ca nga trembja e tërheqja e
konsumatorit, ca nga trysnitë në rritje të tatimorëve e inspektoriateve
parazitare të shumta. Por, nga ana tjetër, kemi lulëzim kompanish off-shore, që
u kanë lënë borxhe gjigande taksapaguesve. Ato kanë xhiruar e xhirojnë miliarda
e më pas zhduken pa lënë gjurmën më të vogël. Kemi dhe lulëzim të koncesioneve
e partneriteteve korruptive, që kanë marrë si peshqesh monopole shtetërore me
aktivitete të qenësishme dhe me një fitim të madh e të garantuar. Sigurisht,
ndryshe nga propaganda rilindase, kemi edhe rishfaqje dhe fuqizim të
“orientuar” të aktivitetit të lojërave të fatit, madje dhe në qendër të
qyteteve nga ku gjoja, ose duhet të mbylleshin, ose duhet të largoheshin. Po
ashtu, kemi rritje eksponenciale të taksimit, akcizës dhe barrës fiskale ndaj
një pjese të biznesit dhe, të njëjtën kohë, duke krijuar të gjitha lehtësirat
korruptive për atë pjesë tjetër pranë sektit rilindas, sidomos ata që
kontribuojnë një pjesë në çdo përballje elektorale. Ndërkohë kemi rritje të
borxhit publik me mbi 11-12% që nga viti 2013, pavarësisht se u propagandua si
rritje për ringjallje ekonomike, por rezultoi krejt e kundërta. Pra, kemi sot
720 milion euro më pak rritje të PBB-së se vetë parashikimi i qeverisë vetëm
për vitin 2016. E tillë ka qenë situata pothuajse për çdo vit rilindas. Po të
shtojmë këtu dhe gati deflacionin dhe papunësinë në rritje, na bëhet e plotë
disfata në qeverisje. Kjo është ajo që solli rilindja dhe reformat e saj,
përfshirë dhe teatrin fillestar me zyrat e punës, të ribojatisura për efekte
propagandistike gjatë vitit të parë. Pra, edhe pse kemi një ekonomi të
orientuar drejt konsumit, shfaqet po aq me frikë e hezitim në konsum! Dhe kjo
është gati fatale! Për këtë arsye shfaqen kudo mungesa të dukshme, mos
përformim e tkurrje, deri lëngim të sipërmarrjes vendase nën barrën fiskale
gjithmonë në rritje. Më e keqja është se taksimi në rritje dhe mbledhja e
sforcuar gjysmake e të ardhurave nuk është përkthyer në ulje të borxhit të
brendshëm apo atij të jashtëm. E dukshme është nga ana tjetër mungesa e
vizionit, orientimit dhe ndërtimit të bizneseve të reja në prodhim, përpunim e
shërbime. Dhe ndërkohë, nevoja është gjithnjë më e madhe për to, mbi të gjitha,
për ato që do të mund t’i jepnin një shtytje ekonomisë, apo të zëvendësonin ato
biznese deri dje me peshë në PBB, por që sot fatkeqësisht janë në ngopje, si
p.sh. biznesi në fushën e ndërtimit, apo dhe biznese të tjera në ngërç për
shkak të krizës në vend.

Panorama e zymtë e ekonomisë
vendase

Teksa kjo është
panorama e zymtë e ekonomisë vendase dhe e vetë gjendjes së sipërmarrjes në
Shqipëri, Ministri Financave vepron i motivuar për qëllime elektorale. Ai vetë
po paralajmëron lëvizje për rritje të pagës minimale të tatueshme me mbi 35%,
por dhe për t’i përdorur këto para për rritje page me të paktën 10% në sektorin
publik. Siç e ka shpjeguar më së miri dhe gazetari Erebara, në Shqipëri, deri
më sot “ajo që supozohet se është rritje page minimale, që prej një dekade
është në fakt rritje taksimi real mbi punonjësit më të varfër të shoqërisë.”
Punëtori de facto vazhdon të marrë një pagë më të vogël se ajo që përcaktohet
me ligj, dhe ndërkohe i rritet barra fiskale e kontributeve, siç i rritet dhe
vetë sipërmarrësit nga ana e tij. Pra, për shkak të mosfunksionimit të hallkave
kontrolluese të shtetit, në mjaft raste, rezulton apo do të rezultojë që një
punonjës, që merr më pak para do të detyrohet të punojë më shumë sepse
sigurisht sipërmarrësit abuzivë do të gjejnë alternativa për të kompensuar
rritjen e pjesës së kontributeve ndaj tyre. Sidomos, duke shtuar zakonisht
ngarkesën e punës për të njëjtin nivel pagese. Mjafton këtu që të kujtojmë
landfillin e vdekjes, ku jo vetëm ishin të punësuar të mitur si Arditi i gjorë
por dhe fakti se ai dhe punonjës të tjerë paguheshin më pak se paga minimale.
Dhe, ndërkohë, një ish ministër pune dhe çështjesh sociale, sot një kryetar
bashkie bënte thirrje publike që sa më shumë hallexhinj të vinin dhe të
punësoheshin në landfillin “rilindas”, duke bërë qokën e radhës apo luajtur
politikën shoë të ditës, dhe duke harruar detyrën e tij, përfshirë kontrollin
minimal paraprak për të parë nëse garantoheshin ligjet mbi kushtet e punës,
sigurisë, higjienën, pagën minimale e me radhë. Në fakt, duke rritur nivelin e
pagës minimale të tatueshme zyrtare, siç tregon dhe z.Erebara, influencohen
edhe pagat e larta gati tërësisht në sektorin privat, deri duke i rritur atyre
me 5 fish kontributin bazuar në ligjet në fuqi ku “sanksionohet që kontributet
për sigurime shoqërore mbahen për të gjitha pagat, deri në pesëfishin e pagës
minimale“. Pra, në rastin më të keq, rritet barra fiskale dhe kontributet për
të varfrit e shumë të varfrit dhe ata pak profesionistë në sektorin privat, që
i kanë rezistuar tundimit për t’u larguar, për të jetuar dhe dhënë kontributin
e tyre profesional gjetkë. Ndërsa, në rastin më të mirë, kjo reformë e
paralajmëruar ul ndjeshëm konkurrencën dhe mbase nxit largimin e kompanive, që
deri tani po punësojnë me qindra mijëra punëtorë, siç janë ata në call center
apo ata në industritë e përpunimit aktiv e fason, që fillimisht u tërhoqën në
Shqipëri nga barra e ulët fiskale, taksimi i sheshtë dhe krahu i lirë i punës,
gjatë qeverisjes së mëparshme. Ata mund të japin një tjetër efekt bumerang në
dëm të ekonomisë, zhvillimit, punësimit dhe vetë nivelit të inflacionit. Sipas
z. Erebara, që në mendimin tim ka plotësisht të drejtë, kjo reformë (nëse mund
të quhet sado pak e tillë!) bëhet në prag të zgjedhjeve, deri duke “gënjyer” me
rritje rrogash në administratën publike, kur për 3 vjet radhazi nuk u dha asnjë
qindarkë, bile as për të mbuluar inflacionin! Dhe e gjitha kjo në një
administratë publike gati politike, sidomos mbas “operacionit fshesë” në
vjeshtë të vitit 2013 dhe atij të “dimrit të fundit” në fillim të vitit 2014,
të shoqëruar me shkarkime masive, e pastrime të pajustifikuara në radhët e saj.
Qëllimi ishte i qartë: për t’i zëvendësuar ata në shumicë me militantë rilindas
(por jo socialistë), në shumicën e rasteve të paaftë, pa eksperiencë, pa shkollimin
e duhur, pa plotësuar kriteret e nevojshme, deri dhe duke infiltruar në radhët
e kësaj administrate edhe njerëz me precedentë penal apo, akoma, në kërkim nga
drejtësia e vendeve fqinje. Pra, kjo reformë (le të vazhdojmë, për rutinë, ta
quajmë të tillë!) po vjen në një moment të mirë-llogaritur, pikërisht në
shërbim të zgjedhjeve, pse jo dhe të manipulimit propagandistik të rezultatit.

Rritja e pagave, manovër
politike

Ajo është thjesht një
manovër politike, për të garantuar dhe njëherë besnikërinë e këtyre skalioneve
rilindase dhe të afërmeve të tyre e gjitha në kurriz të stanjacionit, varfërisë
e mjerimit vendas. Pa e vrarë shumë mendjen për efektet negative të pritshme në
ekonomi, sidomos në terma afatgjatë. Sepse nënkuptohet se kur një qeveri rrit
pagat pa u mbështetur tek zhvillimi ekonomik, ato nuk mund të ulen më nga një
qeveri pasuese dhe kështu, të paktën, në vitet në vijim; përveç goditjes të
sektorëve të mësipërm, ajo po bën dhe një të keqe tjetër: ajo po heq më shumë
para nga sektori privat, sidomos pjesës për investime, zgjerim prodhimi e
shërbimesh apo punësim. E thënë ndryshe, me një konceptim të tillë jo liberal,
paratë që dalin nga puna reale dhe që janë në përputhje me efektivitetin e
kësaj pune, i kalohen sektorit publik, ku ky efektivitet, në shumicën e
rasteve, lë shumë për të dëshiruar… Nuk përjashtohen dhe skenarë të tjerë
makiavelianë në zhvillim, madje për shumë vëzhgues të brendshëm dhe të jashtëm,
rilindja për sot e nesër po e var shpresën e kompensimit të këtyre reformave (gjithnjë
e më negative në rolin e tyre), tek kultivimi, rritja e qarkullimi i
narkotikëve (gjë që po theksohet dhe në media të huaja). Prandaj duhet bërë
gjithçka për të zgjuar qytetarin, për t’ua bërë me dije votuesve që të mos e
lejojnë sanksionimin e këtij rrugëtim të gabuar. Një përvojë e tillë nuk është
e re në botë dhe ato vende, që e kanë ndjekur atë rrugëtim të rrezikshëm dhe që
janë mbështetur tek kultivimi i drogave, sot, janë jo vetëm më të varfër se
fqinjët e tyre, por janë dhe të mbytur në gjak e padrejtësi, në konflikte
sociale e varfëri masive. Ata kanë një renditje në përkeqësim progresiv në
indeksin e zhvillimit dhe kanë, po ashtu, një rritje të tmerrshme të varësisë
nga drogat, kriminalizimi e konflikti i brendshëm, deri duke pasur numrin më të
lartë të vrasjeve në botë për 100 mijë banorë, sipas një hulumtimi të revistës “Monitor”.
Kjo do të jetë e ardhmja e “garantuar” nga një votë e gabuar dhe e përsëritur
për “rilindasit”; ajo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë…