Çlirim HOXHA/Koha e bashkimit të madh shqiptar

589
Sigal

Pas tronditjes së parë që pësuam të gjithë nga aleanca e papritur e PS-së me LSI-në, është momenti të reflektojmë thellë në shërbim të një misioni historik të së majtës së bashkuar, atë të izolimit dhe nxjerrjes nga skena politike të përbindëshit Sali Berisha. Nuk mund të thotë askush se, Edi Rama po e ha turpin me bukë. Edi Rama nuk ka bërë ndonjë turp, ai është sjellë si një vizionar në luftën politike me kundërshtarin më terribël që ka parë demokracia shqiptare në këto 23 vjet. Rama i kishte vënë një qëllim fisnik vetes së tij, ta çlironte politikën shqiptare nga pengmarrja e një komunisti ekstremist të konvertuar në demokrat të tërbuar. Lufta ndaj përbindëshit Berisha nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë. Berisha gjatë 23 vjetëve të ekzistencës së tij si komunist i konvertuar, ka bërë çka dashur në këtë vend. Ai i ka provuar të gjitha pushtetet, madje duke u rizgjedhur president në gjendje të jashtëzakonshme në vitin fatkeq ‘97 edhe grushte shteti si ai i 14 shtatorit 98. Për ta mbajtur me çdo çmim pushtetin pas përçarjes së të majtës në 2005-ën Berisha manipuloi rezultate zgjedhore, përdori parat për të blerë vota dhe votues dhe arriti deri aty sa të vras njerëz të pafajshëm. Por, a i hyri ndonjë gjemb në këmbë Sali Berishës gjatë këtyre viteve?! Asgjë nuk pësoi ky lloji njeriu-mjek-politikan me dy ngjyra. I vetmi njeri që e bëri Berishën të dridhej ishte Ilir Meta kur ishte Kryeministër, i cili urdhëroi policinë ta shoqëronte Berishën në komisariat si asnjë tjetër. Berisha është në fund të mandatit të tij të vjedhur, 4 vjeçarit të dytë dhe po na tregon përralla për një mandat të tretë, që vetëm një i çmendur mund ta besonte. Kështu them unë dhe kështu thua edhe ti, por pa pyeteni Sali Berishën, a është i ngopur ai me dy mandate njëri pas tjetrit?! Berisha është një përbindësh pushtetesh dhe kërkon të vdes në kolltukun e komedisë së tij politiko-kryeministrore, apo presidenciale, ashtu siç vdiq i madhi Molier në kolltukun ku luante komeditë e tij brilante. Këtë ëndërron Berisha, atij nuk i shkon fare ndër mend mosha e pensionit, dalja nga politika, këto nocione nuk ekzistojnë për Sali Berishën. Për Sali Berishën ekziston pushteti i përjetshëm si një nocion i ardhur nga mesjeta përmes të qenurit mbret, diktator në komunizëm dhe demokraci, apo udhëheqës shpirtëror si ata në vendet islamike. Berisha nuk e mendon fare rotacionin politik të pushteteve, ky nocion për Berishën është i huaj dhe nuk i përket atij dhe epokës që jeton, por dimensioneve të tjera paranormale. Filozofia e Berishës shkon drejtë epokave të mugëta të sulltanëve të madhërishëm, epoka të mbretërimit të përjetshëm?! Kjo është filozofia e një njeriu që, jo për faj të tij, është edukuar dhe shkolluar me ideologjinë më brutale të luftës së klasave, atë marksiste-leniniste, e cila në të gjithë ecurinë e zhvillimit shoqëror ka në planë të parë marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe mbajtjen e pushtetit po përmes dhunës. Kjo filozofi e çekuilibruar që i ka rrënjët në ideologjinë e së kaluarës komuniste, e bënë Berishën që të mos dorëzohet kollaj dhe të mendoj dhe të sajojë skenar nga më rrëqethësit për fatet e demokracisë në Shqipëri. Të mos harrojmë, Berisha mban mbi vete një faturë të rëndë bëmash antiligjore dhe antishoqërore, të cilat janë të lagura me gjakun e shqiptarëve. Ai mban mbi vete krijimin e firmave piramidale, bekimin dhe mbrojtjen e tregut informal më të madh të Evropës që shkoi për lesh. Ai mban mbi vete burgosjen e liderit të opozitës Fatos Nano përmes një padie të stisur. Ai mban mbi vete manipulimin e zgjedhjeve të majit 96 dhe dhunimin e opozitës përmes zagarëve që ndërzeu në sheshin “Skenderbej” në 26 maj. Ai mban mbi vete manipulimin e zgjedhjeve vendore të 20 tetorit 96, ku yshti policinë natën në zonat rurale që të mbushte kutitë e votimit deri në 120% më shumë. Ai mban mbi vete grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit 98, ku frymëzoi dhe orientoi hordhitë e tija që me arkivolin e liderit të dhjetorit në krah ti vërsuleshin Këshillit të Ministrave, me qëllim kapjen dhe ekzekutimin e Kryeministrit Fatos Nano dhe për ti faturuar atij dhe socialistëve vrasjen më të bujshme të të gjitha kohërave. Viktimë e asaj maskarade të 14 shtatorit u bë edhe zotnia e tij, i ndjeri Leka Zogu i veshur si kolonelët e grushteve të shtetit të Amerikës Latine. Ai mban mbi vete brutalitetin e të dërguarve të tij kundër Edi Ramës dhe Ndre Legisit, në atë që mbahet mend nga të gjithë si, “Nata e thyerjes së kafkave”. Berisha mban mbi vete prishjet e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 95-96 duke i akuzuar ata për cenim të sovranitetit politik. Berisha mban mbi vete rreth 2000 të varët dhe rreth 10 mijë të plagosurit e hapjes së depove të armëve në 97-tën. Ai mban mbi vete pasojat e shkërmoqjes së ushtrisë dhe policisë. Ai mban mbi vete urdhrat për të bombarduar me avion protestat e Vlorës dhe jugut pas rënies së piramidave. Ai mban mbi vete rrahjen dhe përzënien e themeluesve të PD-së dhe copëtimin e PD-së në disa partiçka, sot që ndihet ngushtë i ka marrë përsëri. Rama ka të drejtë, Berisha është një përbindësh. Berisha nuk la gurë pa lëvizur kundër socialistëve në pushtet, derisa e mori pushtetin të dhuruar nga Nano e Meta pas zënkave dhe përçarjes së tyre, kosto kjo që i la pa punë të gjithë socialistët që punonin në dikasteret dhe institucionet shtetërore. Berisha erdhi në pushtet me fshesë në dorë dhe fshiu pa mëshirë gjithçka që kishin vendosur socialistët, që nga pastrueset, shoferët e gjithçka që gjeti në institucione. Berisha mban mbi vete politizimin e skajshëm të shkollave, shëndetësisë dhe gjithë administratës shtetërore. Ai mban mbi vete tragjedinë e 15 marsit 2008 ku në Gërdec plasi baruti i korrupsionit, i cili mori jetën e 26 shqiptarëve të pafajshëm. Ai mban mbi vete rrëmbimin përmes manipulimit të zgjedhjeve politike të 2009-ës dhe mos hapjen e kutive të dyshimta me qëllim fshehjen e maskaradës së votës së shtuar. Berisha mban mbi vete 4 të vrarët e 21 janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të ruajtur karrigen e tij nga demonstruesit e papunë paqësor, por të armatosur nga Berisha me çadra pistoletë, stilolapsa pistolete dhe bomba Molotov?! Berisha mban mbi vete ndryshimin dhe përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës përmes kërcënimit dhe shantazhit ndaj KQZ dhe Ristanit në 8 maj 2011, të parë dhe regjistruar nga e gjithë bota demokratike. Rama ka të drejtë për aleancën me LSI-në, Berisha është një përbindësh. Berisha mban mbi vete shitjen e detit shqiptar grabitqarëve të Greqisë. Berisha mban mbi vete korrupsionin më galopant që është parë ndonjëherë në Shqipëri dhe institucionet e saj, ku drejtësia qëndron në avangardë të kësaj epidemie. Berisha mban mbi vete inatin kundër Vlorës, duke e lenë qytetin e Pavarësisë pa investime dhe mbështetje, por me një lëmosh në prag të 100 vjetorit. Berisha u tregua stoik përball thirrjeve dhe kërkesave të Bashkisë së Vlorës dhe kryetarit Gjika, por edhe medieve në lidhje me mbështetjen financiare të 100 vjetorit të Pavarësisë, por Vlora ja doli vet si gjithmonë. Berisha mban mbi vete rritjen më galoponte të çmimeve, disa fish më shumë se rrogat, të bukës, ushqimeve, frutave dhe perimeve, mishit dhe peshkut, energjisë elektrike, naftës dhe taksës së sheshtë që rrënoi bizneset, administratën publike dhe shtresat e mesme të popullsisë. Rama ka të drejtë për aleancën me LSI-në, Berisha është një përbindësh. Berisha gjendet në fund të mandatit të dytë të tij të vjedhur, por na kërkoi një të tretë, një mandat të përjetshëm është më mirë të thuhet. Për këtë mandat të tret të përjetshëm, Berisha po kalkulon llogarit, skemat dhe kundraskemat. Po shikon gjendjen e parave në arkën e partisë së tij dhe po llogarit se sa biznese nga të tijtë do kontribuojnë dhe sa do hedhin për mbajtjen e pushtetit. Rama ka të drejtë me aleancën me LSI-në, Berisha është një përbindësh. Nëse LSI do qëndronte në aleancë me PD-në e Berishës, të jeni të sigurt, pavarësisht nga entuziazmi i Rilindjes së Edi Ramës dhe bashkimi i forcave anti-Berishë, ku në këtë bashkim, të mos harrojmë që ka edhe disa figura politike, por pa elektorat mbrapa, PS dhe opozita e bashkuar do ta kishin të vështirë fitoren e sigurt. Mund të fitohej, por kjo nuk do të kishte një garanci 100%. Rama ka të drejtë me aleancën me LSI-në, Berisha është një përbindësh. Fillimisht të gjithë përjetuam një shije balte nga kjo aleancë e papritur, por, dale Beg se ka hendek. Llogaritë duhen bërë me gjakftohtësi dhe Rama është me këmbë në tokë. Vërtetë që morali u lëkund në këtë rast, por mos harroni, politika i mban brenda saj të gjitha shpikjet që të çojnë drejtë pushtetit, qoftë edhe me moral të cënuar. Do të ishte e pamoralshme që Edi Rama, PS dhe opozita e bashkuar të lejonin përmes këmbënguljes së tyre stoike, qëndrimin e Berishës në pushtet edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar?! Hidhërimi i fillimit pas aleancës PS-LSI po fashitet dhe duhet të largohet përfundimisht nga kushdo që beson tek Rilindja Shqiptare. Në Vlorë po punohet fortë për këtë Rilindje, ku të rinjtë e FRESSH-it po mbajnë ndezur flakadanët e të nesërmes progresive, si asnjëherë tjetër, pasi ata besojnë tek Edi Rama, besojnë tek Rilindja Shqiptare, besojnë tek një Shqipëri ndryshe. E njëjta gjë po ndodh kudo me të rinjtë eurosocialist shqiptar, me të gjithë profesionistët e rinj të PS-së, me të gjithë shqiptarët që e duan Atdheun e tyre të zhvilluar dhe të begat, pa vrasje shtetërore dhe korrupsion, pa mafie dhe injorancë. Le të ngrihemi të gjithë në këmbë, të gjithë progresistët e këtij vendi, të shembim pa nguruar përmes votës së lirë  botën e vjetër që përfaqësohet nga Sali Berisha dhe të ndërtojmë botën e re shqiptare të frymëzuar dhe ideuar nga Edi Rama. Nuk është koha e mërive dhe mllefeve nga aleancat. Është koha e bashkimit të madh shqiptar për t’i dhënë fund njëherë e mirë obskurantizmit arkaik berishist. PS-LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës të bashkohen si asnjëherë tjetër për ta nxjerr këtë vend nga bataku i varfërisë dhe papunësisë dhe për ta çuar të sigurt në dyert e Evropës. Edi Rama ka të drejtë për aleancën me LSI-në, Berisha është një përbindësh.