Personalitete të larta dhe njerëz me karakter e formim të shquar intelektual e shkencor, janë e do mbeten një vlerë e shtuar për shoqërinë tonë. Unë po veçoj në këtë shkrim, një personalitet në fushën e mjeksisë, një profesionistë humanist të shërbimit spitalor, mjekun e shquar të kardiologjisë, akademikun që ka drejtuar për shumë vite repartin e kardiologjisë dhe në veçanti klinikën e reanimacionit kardiovaskular në Spitalin Qëndror “Nënë Tereza” Tiranë, Profesor Anesti Kondili.
Prof.Dr. Anesti Kondili në një simpozium shkencor
Një jetë në shërbim të njerëzve, një jetë si humanist, patriot dhe aktivë në shërbim të shëndetit të popullit dhe mbi të gjitha njeri me vlera të veçanta frymëzimi për profesionistët e rinj. Profesor Nesti në gjithë udhëtimin e jetës së tij, ka ecur në udhën e mjeksisë, që nga arsimimi i mesëm mjeksor, më pas në Universitetin e porsa hapur të Mjeksisë, dhe së fundi mjek në qendrën spitalore Tiranë, si dhe pedagog në fakultetin e mjeksisë, për përgatitjen e formimin e një pleiade të tërë mjekësh të rinj, që kontribuojnë edhe sot në të katër anët e vendit.
I lindur në Korçë në vitin 1943 dhe mbas çlirimit familja u vendos në Tiranë, kohë në të cilën kaloi një fëmijëri të vështirë. Në intervistat e tij, ai tregon për sëmundjen jashtëzakonisht të rëndë të të atit në zemër dhe ndikimin që ajo pati në vendimin e tij për t’u bërë mjek, bile edhe kardiolog, për të shpëtuar jetë njerëzish. Sakaq, episodi më tronditës i jetës së tij, ishte kur i ati vdiq nga sëmundja kardiake, duke lënë pas gruan, me tre fëmijtë, dy djem e një vajzë.
“Babai i vdiq në moshë të re, 54 vjeç nga zemra. Doktor Nesti kujton se, i ati vuante prej dy vjetësh në mënyrë të jashtëzakonshme nga zemra, saqë nëna për t’i lehtësuar frymarrjen, i hidhte “venduza”, një mjekim popullorë primitivë, që i priste lëkurën me brisk të ri për të nxjerr gjakun e “lig”. Kjo procedurë sot nuk praktikohet, quhet “salaso”, heqje e gjakut për të lehtësuar frymarrjen.
CEREMONIA KUR KLINIKES SE REANIMACIONIT TE KARDIOLOGJISE, IU VU EMRI:“ANESTI KONDILI”
-“Ai më ka vdekur ndër duar, kur unë isha vetëm 12-vjeç,- kujton doktor Nesti, duke lënë pas nënën me 3 fëmijë, motra Liljana, vëllai Jani dhe unë. Nëna me një devotshmëri të jashtëzakonshme dhe me një mundim të madh, arriti të na shkollonte deri dhe me arsim të lartë dhe të na nxirrte të gjithëve në rrugën e jetës. Ndaj unë kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për të. Unë fillimisht u futa në Politeknikumin Mjekësor, që t’iu shërbeja të sëmurëve që vuanin si babai im. Pra ishte një indicje sëmundja e babait padiskutim, bile ai ishte pengu më i madh që më ndiqte pas si një hije e trishtuar. Doja me çdo kusht të bëhesha doktor kardiolog, që meqënëse s’i shërbeva dot babait tim për t’i zgjatur jetën, doja t’u shërbeja njerëzve të tjerë që vuanin nga zemra si ai”!
-“Politeknikumi Mjekësor ka qenë tek Medreseja, në rrugën e “Dibrës” Tiranë. Ka qenë shkollë e mesme, por shumë e fortë, pothuaj e barabartë me shkollën e lartë,- kujton Nesti dhe kur mbaroje studimet aty, dilje ndihmës mjek. Unë u futa në atë shkollë,- tregon ai, në mënyrë që të mbaroja studimet sa më shpejt për të ndihmuar nënën, sepse ajo ishte punëtore dhe nuk kishte mundësi ekonomike që të na mbante të tre fëmijët në shkollë”.
Kështu, doktor Anesti iu futë me zell Politeknikumit Mjekësor dhe përfundoi studimet me rezultate shumë të larta. Pas kësaj, me këmbënguljen e nënës, ai nisi studimet e larta në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, të cilat gjithashtu i përfundoi shkëlqyeshëm në vitin 1965. Duke qenë një student ekselent, u emërua mjek në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Tiranë dhe njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë kreu një specializim njëvjeçar në fushën e kardiologjisë dhe hemodinamikës në vitet 1970-71, dhe nisi të ushtrojë specialitetin e kardiologut në pavionin e kardiologjisë në Spitalin “Nënë Tereza”. Në bisedë me të, ai nuk kursen vlerësimet e larta për pedagogët e tij dhe njëkohësisht për kolegët me të cilët punoi në pavionin e kardiologjisë siç ishin, Prof. Petrit Gaçe, Prof. Ylli Popa, për kolegët e tij kardiologë, Prof. Ahmet Kamberi, Prof. Sabit Broka, Prof. Pandeli Çina, e tjerë, të cilët së bashku me Prof. Anesti Kondilin, kanë çuar përpara përvojën dhe metodat e reja të modernizimit të kardiologjisë shqiptare, duke hedhur baza të shëndosha për një të ardhme më të mirë në shëndetin e popullit.
Pasioni për kardiologjinë, e shtyti doktor Nestin dhe për specializime të tjera, ku në vitet 1973-74 kreu specializim për reanimacion kardiovaskular në Paris dhe pas kthimit, drejtoi për disa vite shërbimin koronar intensivë në departamentin e kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ku vuri në përdorim për herë të parë në vendin tonë, metoda të reja diagnostikimi dhe mjekimi si: goditja elektrike e jashtme e zemrës, stimulimi elektrosistolik i përkohëshëm dhe definitiv i zemrës, mjekimi farmakologjik dhe me elektrostimulim i aritmive, përdorimi i nitroglicerinës intravenoze e tjera, të cilat sollën një shkallë më të lartë diagnostikimi dhe mjekimi të sëmundjeve kardiake.
Një kafe mes miqsh
Doktor Anesti Kondili, nëpërmjet punës së tij shkencore në mjeksi, arriti që në vitin 1981, fitoi gradën shkencore, “Kandidat i Shkencave Mjeksore”, pastaj edhe gradën “Docent” në 1984, më tej “Doktor i Shkencave Mjekësore” në 1988 dhe së fundi, titullin e lartë “Profesor” në Mjekësi në vitin 1991. Në vitet 1997-2000, zgjidhet Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe në vitin 1998, Profesor Anesti Kondili pranohet Anëtar i Akademisë Mjekësore të Polonisë, në 1999, më pas Anëtar i Akademisë Botërore të Mjeksisë dhe në 2008 mori titullin, Akademik, i zgjedhur në Asamblenë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Profesor Anesti Kondili, mbanë dhe shumë anëtarësime e tituj të lartë shkencor për vlerësimin e punës së tij në organizata e institucione brenda e jashtë vendit, së fundi dhe titullin, “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ai zotëron gjithashtu gjuhë të huaja, kryesisht Frëngjishten dhe Anglishten.
Pas daljes në pension, pavionit të reanimacionit të kardiologjisë në Spitalin Qëndror “Nënë Tereza” Tiranë, iu dha emri, “Prof. Anesti Kondili”, në respekt të kontributit të tij si një nga themeluesit e Reanimacionit Kardiak dhe njëherazi një prej korifejve të mjeksisë shqiptare. Shkëputja nga qendra spitalore për arsye pensioni, ka ndikuar jo mirë, si në aspektin pedagogjik edhe në atë mjeksor. Shqipëria nuk e ka luksin, që përvojën 50 vjeçare në frontin më të vështirë të urgjencave kardiologjike, që zënë vendin e parë në vdekshmërinë e njerëzve, të largojë nga kontributi i nevojave mjeksore, personalitete të tilla me kaq përvojë e kontribute, duke i arkivuar në një periudhë shumë aktive të jetës akademike dhe mjeksore, siç është Profesor Anesti Kondili. Kjo sigurisht ka ndikuar edhe në mos transmetimin e kësaj përvoje të pasur te studentët dhe mjekët e rinj, sidomos kardiologë, të cilët kanë gjithmonë nevojë për pedagogët e tyre të shquar.
-“Megjithatë, shprehet doktor Nesti,- unë jam përpjekur t’a transmetoj përvojën time me anën e botimeve, që shpresoj të kenë qenë të dobishme për studentët dhe stafin mjekësor, si dhe nëpërmjet një kabineti kardiologjik të ngritur për vizita dhe konsulta në shërbim të jetës së njerëzve”.
Por Prof. Dr. Anesti Kondili, veç figurës së tij si specialist i shquar i kardiologjisë në shërbim të jetëve njerëzore, shpalos edhe vlera të tjera njerëzore të karakterit human, patriotik dhe shoqërorë për njerëzit. Ishin ngjarjet tragjike të vitit 1997-të, kur vendi kaloi një kaos të rëndë politikë, që çoi dhe në humbje jete të shumë njerëzve në zona e krahina të vendit dhe doktor Nesti shpalosi një xhest shumë patriotik e njerëzor. Ishte një nga ditët më kulmore të marsit të vitit 1997, ku i vetmi ekran i televizorit shtetror që ishte atëherë, jepte njoftime dhe pamje nga ngjarje shumë tronditëse të revoltave popullore në qytete e fshatra, e në kryqëzime rrugësh të bllokuara, ku njerëzit të armatosur nga hapja e depove me armatime të ushtrisë, që luftonin me vetveten dhe me shtetin e asaj kohe, si shkak për humbjen e kursimeve monetare nga falimentimi i firmave mashtruese piramidale.
Ishte shumë tronditëse ajo situatë në ato ditë marsi të 1997-tës, kur Tirana tronditej nga krisma armësh të kalibrave të ndryshëm dhe tanket e autoblindat qarkullonin rrugëve e bulevardit qendror. Ishte vërtetë një situatë lufte, që nuk dihej se nga vinte dhe me kë luftonim! Atë ditë doktor Nesti shkoi shumë i alarmuar në pavion. Pasi përfundoi vizitat dhe konsultat me të sëmurët dhe me kolegët, vari pallton e bardhë në portmonton e zyrës dhe zbriti me të shpejtë shkallët e pavionit për të dal në oborrin e spitalit. Nuk lëviste asnjë makinë. Pa aty pranë një qytetar me një motorrçiklet dhe iu lut t’a transportonte deri në televizionin shqiptar. Qytetari u tregua i gatshëm dhe doktor Nesti i ulur në sediljen e pasme të motorrit, kaloi rrugëve të Tiranës mes krismave të plumbave dhe u gjend në ambjentet e televizionit shqiptar. Roja i derës e njohu dhe nuk e ndali. Ngjiti shkallët për tek studjua e lajmeve. Një nga drejtuesit e departamentit të lajmeve e pyeti, ç’kërkonte?
-Dua të bëjë një thirrje nëpërmjet ekranit të televizorit popullit dhe politikës për t’i thirrur arsyes, të ulin gjakrat dhe armët dhe të gjejnë rrugën e konsensusit e të mirëkuptimit, pasi jo vetëm po shkatërrohet vendi, por po ikin dhe shumë jetë njerëzish të pafajshëm. Dhe thirrja e tij buçiti fortë për ato pak minuta nga ekrani i televizionit shtetëror.
Ishte një xhest i veçantë patriotik e njerëzor, që në ato situata kaq të ndezura e alarmante, nuk u gjent askush, as politikan e as ndonjë intelektual, veç doktor Anesti Kondilit, i cili preku shumë zemra njerëzish në ato momente tronditëse. Në ato çaste unë u ndodha para ekranit të televizorit dhe e përjetova me shumë emocion atë reagim kaq të fortë patriotik. Në atë moment, m’u zgjua muza dhe nisa të shkruaja disa vargje poezie, që ia kushtova jo vetëm situatës së asaj dite, por në veçanti xhestit kaq të lartë patriotik të këtij doktori kaq fisnik e me virtyte kaq të larta patriotike e njerëzore. Nga ai moment, më mbeti në mënd figura kaq humane e këtij intelektuali, që nuk përfaqësoi vetëm elitën e lartë të intelektualëve profesionistë, por më lanë mbresa ndjenjat e tij shoqërore e patriotike atdhetare. Ka shumë nevojë shoqëria e jonë për njerëz të tillë guximtarë e me zemër kaq të madhe.
Pas disa kohësh, botova një libër me poezi dhe në faqet e tij zuri vend dhe poezia kushtuar atyre ngjarjeve të asaj dite marsi të 97-tës dhe xhestit të lartë patriotik të doktor Anesti Kondilit. Mora kopjen e parë të librit dhe ngjita shkallët e pavionit të kardiologjisë.
-Kërkojë doktor Nesti Kondilin,-i thashë rojes tek porta e pavionit.
-Mjekët janë në vizitat e konsultat e mëngjezit,- më tha ai, do presësh pak.
U ula në një nga stolat e koridorit dhe prita jo pak, por rreth dy orë. Pastaj hyra në pavion dhe takova doktor Nestin. Po më vështronte mos kisha ndonjë hall. Hapa fletën e librit dhe nisa t’i lexojë poezinë. Citova disa nga vargjet:
Ishte një ditë marsi, jo si ditët e tjera
një ditë e zezë që këputi shumë jetë,
një ditë e zymtë ngarkuar me re,
një ditë kur vendi gëdhiu pa shtet!
Ti o Nesti Kondili na ofrove paqe
me humanizmin tënd të bluzës së bardhë,
bëre shumë në ato çaste të zjarrta,
më shumë se një politikan i flaktë.
Kur fole në ekran për jetën, për njerëzit,
unë që s’kisha qarë që në fëmijëri,
atë ditë me sy të përlotur, thashë,
ku je o birë i nënës Shqipëri!
Kush na e mbolli atë farë të keqe,
pyesnin njerëzit kudo në çdo anë,
nga dolën armët, banditët, kaçakët,
ishte luftë krerësh politikanë! E tjera…..
Ai ma mori librin nga dora gjithë emocion, më falenderoi dhe më rroku në qaf me shumë mirënjohje e respekt. Nga ajo ditë, nuk u pamë më me doktor Nestin. Vite më vonë mora vesh se kish dalë në pension dhe klinikës së reanimacionit në pavionin e kardiologjisë i kishin vënë emrin, “Prof. Anesti Kondili”, në respekt të punës së tij fisnike e shkencore. Një vlerësim shumë i lartë dhe shumë i nderuar. E meritojnë figura të tilla intelektuale e shkencore, pasi nderojnë jo vetëm institucionin ku punojnë, por janë “Nderi i Kombit” dhe për gjithë Shqipërinë dhe sa më shumë figura të tilla të ketë Shqipëria, aq më shumë do eci përpara.
Një ditë, në faqen e facebook tim, lexova një mesazh vlerësimi e falenderimi për një shkrim historik që kisha botuar në një nga gazetat e përditëshme, Telegraf. Përposht këtij mesazhi, ishte hedhur dhe një foto nga faqa e librit me vargjet e poezisë për ngjarjet e vitit 1997 dhe në fund,”Përshëndetje, Anesti Kondili”.
U emocionova, pas mesazhit qëndronte ai mjek i nderuar, që m’u duk sikur më thoshte në distancë:-“Ja ku jam, s’të kam harruar”! Ai në gjithë karierën e tij në shërbim të jetës së popullit, ka marë shumë e shumë falenderime e mirënjohje nga pacientët e tij, por njerëzit e shquar dinë edhe të japin mirënjohje ndaj njerëzve që vlerësojnë e çmojnë punën e tyre. Ky është doktor Anesti Kondili, sa i madh e i veçantë në klinikën kardiologjike, aq i thjeshtë, miqësorë e mirënjohës në jetën shoqërore.
Pas kësaj, pimë një kafe midis miqsh me shumë respekt e mirënjohje. Pastaj ai shpejtoi për tek stacioni i autobuzit urban të unazës, për të shkuar në Fakultetin e Mjeksisë pranë Qëndrës Spitalore “Nënë Tereza”, pasi do diskutohej në Komisionin Shkencor desertacioni për gradë shkencore të një ish studenti të tij dhe aktualisht mjek kardiolog, të udhëhequr nga Prof. Anesti Kondili.


Poezia për ngjarjet e 1997-të, “Kur qielli përflakej”.




















