Bujar Leskaj: Lamtumirë At Nikolla Marku !

Më datë 20.07.2025, është ndarë nga jeta At Nikolla Marku, një figurë e nderuar dhe një zë i fuqishëm i besimit ortodoks në Elbasan dhe përtej tij. I lindur më 3 dhjetor 1948, At Nikolla ishte bir i një arsimtari të njohur të Shkollës Normale të Elbasanit. Pas periudhës së regjimit komunist, At Nikolla mori rrugën e shërbesës shpirtërore, duke ndjekur studimet teologjike, të cilat i përfundoi në Shqipëri dhe u shugurua si prift nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë. Ai e ndjeu thirrjen për t’i shërbyer komunitetit dhe i përkushtoi jetën e tij Kishës Ortodokse, duke shërbyer për dekada në Kishën e Shën Mërisë në Kalanë e Elbasanit.
At Nikolla ishte një udhëheqës shpirtëror i dashur për besimtarët, i njohur për urtësinë, dashurinë e përkushtimin e tij në shërbim të besimit dhe mbi të gjitha atdhetar i përkushtuar.Pavarësisht moskuptimit dhe sfidave me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ai qëndroi i palëkundur në bindjet dhe shërbesën e tij. Në vitin 1996, një vendim gjykate e njohu Kishën e Shën Mërisë si një subjekt ligjor kulti, duke u bërë kështu një figurë e rëndësishme dhe e nderuar për të gjithë komunitetin ortodoks në Elbasan e vend.
Për shumë besimtarë, At Nikolla ishte jo vetëm një prift, por një udhërrëfyes shpirtëror dhe një mbështetje e fortë atdhetare. Ai ishte i pranishëm për të gjithë, i gatshëm të ofronte një fjalë ngushëlluese, një lutje dhe një ndihmë për ata që e kërkonin.
Me ndarjen e tij nga jeta, komuniteti ortodoks humbet një njeri të jashtëzakonshëm, një udhëheqës që e bëri besimin dhe shërbimin ndaj komunitetit misionin e tij jetësor. Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjen e tij, miqtë, besimtarët dhe të gjithë ata që e nderuan dhe respektuan At Nikollën për jetën dhe veprën e tij.
Sigal