Prof.Perparim Kabo: Frederik Rreshpja, një poet krejt i mëvetshëm me artin e tij poetik

Ai quhet Frederik dhe lindi më 19 korrik 1940. Emri i njeriut tregon rrethanat dhe kohën kur ai ka lindur, ambientin familjar, kulturën dhe traditat e saj.  Emri i një të porsalinduri , ndodh që shpreh  enkas edhe miratimin e nënës së tij, e cila ndoshta e ka thirrur në emër krijesën e vet, qysh në fetus. Mbiemri i tij është Rreshpja. Pra, sot ai do të mbushte 85 vjeç.

Impresionistët , me artin e tyre, kishin treguar se ata krijonin jo çfarë shihnin, por çfarë ndienin. Dhe krijimi i tyre ndërtonte një realitet që vinte nga përjetimi i tyre, gati- gati përçudnues.  Më tej, simbolistët këtë lloj artkrijimi e mpleksën me krijimin e metaforizmit simbolik, një lloj komunikimi ky i modifikuar dhe i bazuar në kode simbolesh, deri te një lloj simbolizimi metaforik. Ky lloj ajri shpirtëror gjendet edhe tek arti i poetit Frederik Rreshpja, i cili krijoi në dy kohë: në periudhën e lirisë së munguar, por edhe në periudhën e lirisë së keqkuptuar e keqpërdorur. Arti i tij nuk pati dhe nuk ka adresim kohor, as përkatësi të tillë. Poezia e tij, duke krijuar si realitet përjetimin e brendshëm dhe njëherësh gjuhën e metaforizmit simbolik, lundron ,nga dlirësia fëmijënore, deri te çartja prej bohemi, nga arkeologjia e ndjenjave sublime, deri te shprehja aventuriste e pasioneve, nga përbetimi prej ashiku të thekur, deri te i një “ lypsi” dashurie, që  vajton për puthjet e humbura, të cilat nuk arrihen të kuptohen në mirazhin e horizontit të qënies së tij, nëse  ato janë dhënë dhe marrë atje ku zemra e tij figurohej si një peizazh femëror.  E gjithë jeta dhe arti i tij ishte dhe mbetet një robërim frymëzues, një lloj psalmi që mbante gjallë frymëzimin e një udhëtari të çuditshëm, që një herë e burgosën për çartjen e fjalës dhe një herë tjetër, se poeti kishte bërë dashuri te një mullar bari apo se kishte fjetur atje me yjet e imagjinatës së tij.

NOA

Frederik Rreshpja, poeti ynë modern, jetoi si i vobektë,  krijoi si i tillë dhe u shuajt gjithë po aq. Ai pati vetëm një tempull: nënën e tij. Pelegrinimi rreshpjan, pa ç’ka se shpesh e humbiste rrugën dhe pleksej rrymave detrashpirtërore, ndalej një hop, dhe si një fëmijë i përlotur , lutej:” Më shpini te nëna!”

Ai pati vetëm një “ nord”, dashurinë , që ne nuk e kuptuam kurrë, nëse e kushte dhe e humbi, apo e humbi pa e patur kurrë,  dhe kështu ajo mbeti si një

“ arushë e vogël” në qiellin e tij të trishtimit, pikëllimit dhe lutjes. Në poezinë e Rreshpjes, shiu bie ndryshe, natyra  merr trajtën e kuajve të shiut, që plangjen fushave të baltosura, dielli duket gjithnjë i veshur me një farë pezmatimi në ngjyrë gri. Rrëkezat në çdo rast ndjesor, krijojnë një shtrat të ri vajtimesh , dhe qenia e tij njerëzore mund të jetë edhe thjesht një gjethe që lundron mes tyre si një brishtwsi e përhumbur.

Rreshpja nuk trokiti as në një derë, përqeshi realizmin socialist, i cili ,me institucionet e tij, e quante poetin si një të lajthitur. Nuk trokiti me tabelën varur në gjoks, si ish i përndjekur, te dyert e pluralizmit të tipit të monizmit laraman. Nuk trokiti me reveranca as te dyert e modernizmit. Ai eci , si me këpucë, si zbathur, në drejtimin e kundërt me turmën. Ai e humbte rrugën , për të krijuar shtigje të reja, falë gjeografisë poetike. Frederik Rreshpes i mjaftonte vetja, i simbiozuar me alteregon e tij poetike, që të ishte i vdekur, kur ishte i gjallë , e të mbetet i gjallë , edhe tani që është në botën e përtejme.