Besart Xhaferri: Drama e eksodit dhe pritshmëritë e studentëve të Dhjetorit

32
Sigal

Dita e Rinisë, drama e eksodit na kërkon të jemi në lartësinë e pritshmërive të studentëve të Dhjetorit!

 8 Dhjetori, dita e rinisë, asetit më të madh të kombit tonë që në vend të ishte bekim është kthyer në dhimbje për shkak të eksodit të paprecedentë dekadën e fundit.

Në rrugët e qyteteve nga veriu në jug, sytë të hasin vetëm gjimnazistë, të cilët mezi presin përfundimin e maturës për të marrë udhën e largimit dhe pak kush e mendon kthimin në vendlindje.

Tirana, kryeqyteti ynë nuk i ka shpëtuar hemorragjisë së rinisë, pasi ky qytet është kthyer në bastion të krimit, që me paratë e tij të injektuara në ekonomi, i pret hovin çdo të riu të mirëarsimuar që të jetojë më dinjitet në atdhe.

Kjo ditë për ironi të fatit përkon edhe me punimet e partisë që drejtohet nga arkitekti i eksodit të rinisë, Edi Rama, njeriu që ka krimimalizuar partinë dhe Shqipërinë.

Edi Ramës i kujtoj të mos harrojë 8 Dhjetorin e studentëve të 1990 dhe faktin se fundi i autokratëve është i destinuar vetëm në analet e historisë.

Sot në ditën kushtuar rinisë dua të ndalem tek shifrat e eksodit së të rinjve shqiptar drejt Britanisë së Madhe që vijojnë të jenë dramatike, njësoj sikur Shqipëria të ishte një vend lufte.

Sipas prestigjozes angleze Daily Mail, më shumë se 29,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me mjete të vogla lundruese vetëm këtë vit.

Emigrantët shqiptar që synojnë Britaninë janë në top listën e mërgimtarëve që përbëhet me emigrantë nga Afganistani, Eritrea, Siria dhe Turqia.

Shumë prej këtyre të rinjve për të shlyer paratë e udhëtimit në jo pak raste detyrohen të zgjedhin rrugë të gabuara, duke u përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Për ironi të fatit shifra prej 29 mijë të rinjsh shqiptar që në 2023 kanë zgjedhur të sfidojnë detin për të shkuar në Angli, përkon me shifrën e tepricave të emigrantëve që për një vit do të na vijnë nga Italia.

Këto dëshmojnë edhe njëherë se shpopullimi është një projekt ogurzi i kësaj qeverie, që po largon asetin më të madh të vendit tonë rininë.

Nuk e kemi luksin që 29 mijë fëmijët tanë t’i këmbejmë më 36 mijë teprica emigrantësh nga Italia, ndaj së bashku duhet t’i themi ndal kësaj politike të mbrapshtë për vendin.

Sot më shumë se kurrë duhet kontributi i çdo të riu, i çdo prindi që ta ndalim këtë hemorragji vrastare për atdheun tonë.

Në si të rinj duhet të jemi në lartësinë e pritshmërive të prindërve tanë që bashkë bënë 8 Dhjetorin e 1990!