Vangjush Saro: Studimi ‘PISA’ hedh knock-down Rilindjen

33
Sigal

Studimi Ndërkombëtar për Arsimin – qoftë edhe në tema e ndalesa fragmentare – nuk foli mirë për ne. Është pak e ashpër të shikosh shifrat dhe renditjen. E doemos, nuk ka asgjë për t’u kapur me institucionet dhe me vendin, ani pse tek ai test (‘PISA’ është fjala) jemi pothuaj të fundit… Fundja, nuk është fundi i botës (është thjesht ‘fundi’ i një testi) dhe s’është e thënë të jetë i vërtetë pikë për pikë. Por meqë në shumë aspekte nuk zë hapësirën e duhur fjala e thënë në shtyp herë pas here – mbase ngaqë tani profesionalizmi e mençuria janë me shumicë, oops (!) – le të shohim dhe njëherë me qetësi, me drejtpeshim, ku është harmonia e ku është kriza (jonë). Ky studim ndërkombëtar realisht na rikujtoi ç’i kemi bërë Arsimit e fëmijëve, shkollave tutje në fshat, por edhe këtyre në mes të Tiranës, po ashtu ish-Qendrave Kulturore për Fëmijët, bibliotekave, laboratorëve, fushave të futbollit, të volejbollit, oborreve të shkollave (a thua kanë oborre?) e të tjera e të tjera. Nuk është për t’u shpaguar, se, ta hajë dreqi, s’të vjen mirë, por ai studim na kujtoi gjithashtu ç’do të thotë të hartosh tekste të dobët, me gafa, me banalitete, me hajvanëri, siç duken edhe në këtë montazh, ku ‘shkëlqen’ edhe ndonjë koleg, për krijimtarinë e të cilit ndokush (dhe jo dokushdo) ka përdorur epitetin ‘gjeniale’, Zot në mba mendjen (!) ‘PISA’ na kujtoi se ç’do të thotë t’i llastosh TV-të edhe kur e ndotin gjithçka; ç’do të thotë të shembësh Teatrin dhe pastaj ta ‘luash’ atë në ca zgëqe të shëmtuara, si atje tek ish-Estrada apo më këtej, te rruga që mban për nga Liqeni, (se nuk po ua them emrat atyre gjoja-tetrove). Na rikujtoi gjithashtu atë që kemi ndër mend me ua bo filmave të ‘kohës tjetër’, sepse, ata na i kanë fajet që jemi kaq hipokritë e snobë e të prapambetur (!) Studimi na kujtoi Komisionet e MAS, për shumëçka, edhe për tekstet siç u zunë goje më sipër, por edhe për atë listë plot hile që rekomandon libra për bibliotekat e shkollave e ku mungojnë shumë shkrimtarë profesionistë, të vlerësuar nga Media, Kritika Letrare dhe Tregu; (mbase ua kanë zënë vendin krijimtaria e vetë botuesve, o ç’gallatë, e anëtarëve të Komisionit ose e ca kalamajve apo edhe e ca ish-sigurimsave e kufomave të Realizmit Socialist). Studimi na kujton të mbledhim mendjen e të lexojmë mirë çfarë shkruhet sot e të mos ngremë në qiell kohë e pa kohë ‘legjendat’ që i kënduan gjithë jetën Komunizmit, të cilin edhe e ‘dërmuan’ nga pak… përmes ndonjë zylyftari të vockël, gjithsesi me plot moralizime dhe me pak art. ‘PISA’ na tërheq vëmendjen të mos ua krehim bishtin as atyre që nuk ngopen së derdhuri vrer, duke u çjerrë pareshtur për ‘Luftë Civile’ (mbase atë të familjes a të fisit); ajo na kujton të vlerësojmë me kokë të ftohtë kontributin e popullit tonë krah aleatëve në Luftën II Botërore dhe punën e të gjithëve në dekadat e mëvonshme, natyrisht pa i harruar as vështirësitë, as vuajtjet, as edhe krimet. Nuk është fundi i botës. Thjesht, jemi të fundit e një testi. Por sidoqoftë, ai na brengosi. (Vendi i 62-të ndër 80 aso.) Ani. E dimë të gjithë që nuk shkojnë punët mirë dhe duhet vënë dorë në këtë vend…