Bashkim Koçi/ Safigjeta Lamçe, gruaja që jeton me kujtimet në shërbim të nënave nga Skrapari

1310
Sigal

Ajo e pa realitetin ballë për ballë, sy më sy. Ishte viti 1966 kur Safigjeta Lamçe, mjekja e specializuar për obsetre-gjinokologje do të linte kryeqytetin, Tiranën e saj të dashur. Do të linte Tiranën e ëndrrave të mëdha të moshës së rinisë, ku kishte punuar në këtë profesion për rreth pesë vjet nga koha që kishte mbaruar universitetin. Me një vendim të posaçëm, i drejtpërdrejtë nga organet më të larta të pushtetit në rreth, ajo u transferua, po në këtë profesion, pranë spitalit të Çorovodës, në Skrapar. Safigjeta e kishte kuptuar mirë, ashtu si dhe bashkëshorti i saj, Xhemali, se Skrapari, vendi ku kishin lindur e rritur, nuk do të gjenin, ashtu si në Tiranë, mjedise të përshtatshme pune, nuk do të gjenin salla operacioni apo  laboratorë, ku të llamburitnin mjete e aparatura për të kryer detyrën e mjekut. Jo. Në spitalin e Çorovodës mjekja gjinekologe, Safigjeta, u përball me një realitet krejt tjetër, gati-gati në nivelin e një primitiviteti të skajshëm. Ishte si t’i thuaje tjetrit: Shko në frontin e luftës, shko munde armikun, por armë nuk kemi. Bëj si të bësh!

Dhe në këtë “fillim të ri”, të pamenduar ndonjëherë, doktoreshë Safigjeta i tha vetes, ashtu si një zonjë që ka marrë përsipër të mos thyhet, të mos kthehet mbrapsht nga një gjendje që të tremb: Nga ç’ka sheh përpara dhe që gjithçka të duket e tmerrshme, e frikshme, nuk është plotësisht ashtu. Asgjë nuk është e pamposhtur, e pa lëvizshme. Mblidhi forcat, mblidhe veten dhe ti do të fitosh, do ta mundësh të keqen!

 Nëse kemi parasysh që Çorovada e atyre viteve nuk kishte  maternitet, shtëpi lindjeje, pra nuk kishte “strehën”, apo atë çka thamë pak më sipër, “armën për të luftuar me armikun”, pyetja më normale që bëhet është: more, kush ishte ai i marrë që e solli këtë vajzë të mbushur me plot ëndrra  për profesionin e gjinekologes, aty ku nuk gjendej qoftë dhe një sterilizator për të zier shiringat? Ishte diçka jashtë logjikës, “e pakapshme” për një njeri, i cili e merr si të jetë “shesh me lule”.

 Safigjeta, pas kaq vitesh, i kujton me nostalgji, por dhe si fitimtare, si ai njeriu që “i ka mundur të gjithë” dhe nuk i ka kujt borxh për punën që ka kryer në një jetë të tërë, për 26 vjet me radhë. Dhe në këtë “dyluftim” ajo nuk lë pa përmendur mbështetësit, ata që iu gjendën pranë, ata që i dhanë ndihmë e kurajo për të qenë kjo që është sot: një ndër gratë intelektuale që nderon Skraparin.  Ajo sjell në kujtesë dhe përmend me respekt kuadrot kryesorë drejtues të atyre viteve si: Teki Malindi, Qetsor Kaltanji, Sotir Vaso, pa harruar ata “të një llogoreje”,  mjekët Asqeri Guri, Profit Cane, Behar Nuellari, Jaso Llazari, Çerçiz Mingomata, Isa Meta, Nevruz Gërxhani; ndihmësmjekët Muhamet Qurri, Rexhep Mustafaraj, Deko Ago, Nazime Goxhabelliu, Çelike Musaj, Aleksandra Myftari etj.. Është ky “shtab”, nëse do ta quanim kështu, i cili modernizoi shërbimin shëndetësor në një krahinë si Skrapari, pruri si rrallëkush kulturën shëndetësore, trajtimin, veçanërisht atë të obsetri-gjinekologjisë, ku themelet i hodhi doktoreshë Safegjeta, gruaja kurajoze me virtyte të larta.

 Në një profesion, i cili “ha”, si pa të keq, vite e dekada të jetës së njeriut, jo një herë përballesh me situata  ndryshe, “që nuk i prisje”. Personazhi ynë, doktoreshë Safigjeta, i ka patuar të shpeshta, e kanë ndjekur pas, vit pas viti ngjarje e episode “që nuk i priste” e,  gati të gjithë, pa përjashtim,  kanë patur lidhje me jetë njerëzish, me përballje që kanë patur si kërkesë “jeta është në dorën tënde doktoreshë”. Ajo përmend disa, por për  dy-tre raste  të përgjërohet, mbetet pa frymë kur i tregon dhe ata i kanë mbetur në mendje e në shpirt si të kenë ngjarë për të mos i harruar kurrë. Dhe e di pse? Sepse doktoreshë Safigjeta, ajo vajza e ardhur prej Tirane e që kishte punuar me mjekë “korifenj” si Prof. Koço Glozhenin, Prof. Ilir Gjylbegun, Viktor Theohari, Muzhak Kosturi apo dc.Egdar Konçita, jo në një rast, ka veshur çizmet, ka bërë rrugë e pa rrugë, ku trashësia e dëborës ka qenë deri në mes, për të shpëtuar jetën e një nëne me fëmijën në bark. Sot, në vitin 2013, nuk e beson kush që rrugën Pirogosh-Gjerbës ajo, bashkë me “çetën” e saj të mami-infermierëve,  e ka bërë më këmbë, 5-6 orë rrugë, duke e çarë dëborën si ai që dëgjon t’i kërkohet ndihmë: doktoreshë, eja se po vdes! Dhe ia ka dalë mbanë, ka bërë atë që, ashtu si Jezui, të mbante  gjallë një nënë dhe të sillte në jetë një fëmijë.

 Safigjetë Lamçe ka patur dhe ka një shpirt që shqetësohet, që jeton me fatkeqësinë e tjetrit, që nuk i ndahet ankthi nëse dikush vuan e drobitet për shkaqe që kanë lidhje e që varen nga puna e mjekut.  Ajo kujton vitet e saj të moshës së rinisë, por dhe të mëpastajme, kur ishte maksimalisht e përkushtuar për të “bërë një urë” aty ku duhet të ishe “i çmendur” për të ndërmarrë një veprim të tillë, të ngrije “një teqe” aty ku të gjithë i përkisnin një feje tjetër. Ajo i bëri të gjitha, pa përjashtim, duke qëndruar stoike, si ajo që nuk “u gdhend” kurrë për të bërë jetën ashtu si e këshillonte “shpirti i keq”, ku tashmë, siç e dimë të gjithë, është sëmundje kanceroze e njerëzimit. Nuk është e rastit që ajo, edhe pse në pension, është e gatshme, madje lumturohet kur dikush i kërkon një këshillë, kur dikush i kërkon një konsultë për diçka që është pjesë e profesionit të saj, pjesë e formimit aq të kompletuar si mjeke gjinekologe. Dhe këtë nuk e bën për të marrë ndonjë kacidhe për të plotësuar të ardhurat qesharake nga pensioni që merr nga shteti faqezi, por për të bërë diçka, për t’iu rikthyer atyre viteve kur ajo doli ngadhënjimtare e që dikujt atëherë i dukej “e tmerrshme” sepse e konsideronte punën, por punën ama, si stoli.

 Për doktoreshë Safigjetën mund të flasësh e të flasësh shumë për jetën dhe punën e saj, mund të tregosh e të tregosh pa fund ngjarje e episode që të duken sikur i përkasin “një epoke tjetër”,  por ajo çka mbetet e që nuk e tjetërson dot tek ajo është karakteri, të cilin, ashtu si shpirtin, e ka kalitur mjeshtërisht, për të mos e tjetërsuar kurrë.

 “Emri i mirë”, i cili as nuk mund të shitet e as nuk mund të blihet, është fryt i punës që ke bërë, është “produkti”  i fundit i saj, është si të thuash shpërblimi “neto” që të jep komuniteti ku ke shërbyer, fshat, qytet apo krahinë qoftë. Në këtë kuptim doktoreshë Safigjeta futet pa asnjë mëdyshje tek ata emra që radhiten në “listën” e personazheve që na nderojnë, tek emrat e atyre intelektualëve skraparllinj që meritojnë të gdhenden me germa të arta. Ajo tashmë jeton në Tiranë nën shoqërinë e bashkëshortit të saj, Xhemalit, të vajzave  Najada e Enkeleda, si dhe dy  zogjve-nipër, Arbërit dhe Ibrahimit (emër Pejgamberi). Por ajo çka e mban “gjallë”, ajo çka i jep kënaqësi e që ia flak tutje “skllavërinë” e moshës së tretë, është “racioni” që merr përditë nga kujtimet e saj, nga ato kujtime që “e ushqejnë” orë e çast, si të ishin “porcione barnash” që i vijnë posaçërisht nga malet e Skraparit, Tomori, nga ai vend magjik që nuk u bë pishman kurrë pse “i dhuroi” gati të gjithë jetën e saj.