Av. Idajet BEQIRI / Amnistia e pritshme vetëm amnisti nuk është!

603
Sigal

Projekt-ligji që ka përgatitur Qeveria për amnistinë me rastin e “100 vjetorit të Pavarësisë” është i mangët në shumë aspekte. Trajtimet që bëhen në të nuk i përgjigjen as terminologjisë juridike të amnistisë, as realitetit të sotëm shqiptar. Kemi të bëjmë thjeshtë dhe vetëm me një “falje” të cunguar, të cilën do e bëjë Kuvendi i Shqipërisë për shkak se nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon instituti i faljes që ka në kompetencë Presidenti i Republikës. Amnistia është tjetër gjë. Ajo nuk bëhet për disa, me seleksionime të paramenduara! Amnistia në njërën apo tjetrën mënyrë, i përfshinë të gjitha kategoritë e të burgosurve. Edhe në rastet kur ligjvënësi, për interesa madhore të luftës kundër kriminalitetit, kërkon të bëjë përjashtimin e kategorive përkatëse të veprave penale që kanë kryer të dënuarit, përsëri në çdo vend të botës që janë bërë amnisti, ka pasur gjithmonë një nen në ligjin për amnistinë ku përcaktohet përfitimi prej saj i të gjitha kategorive të burgosurve pa dallim. Sa do të jetë ky përfitim, 1/4 e dënimit të mbetur, 1/6 apo 1/8 e dënimit të mbetur, kjo vlerësohet me përgjegjshmëri nisur nga shumë rrethana dhe faktor. Por të bësh amnisti për 100 vjetorin e Pavarësisë, që është evenimenti më i rëndësishëm kombëtar në historinë e vendit tonë, dhe ajo të jetë 10 herë më e cunguar dhe më sektare se ajo që bëri Enver Hoxha në vitin 1983, ky është jo vetë një absurd, por dhe një turp i madh, të cilën mund  t’a bëjë vetëm një qeveri e papërgjegjshme. Gjendja e kriminalitetit në vend nuk ka shkak të vetëm forcën e pamjaftueshme shtrënguese të shtetit.  Përkundrazi, tendenca për t’i zgjidhur gjërat vetëm me dhunë, po e përhap në mënyrë skandaloze dhunën. Ky vend duhet qetësuar, duhet pajtuar, duhet gjakftohtësuar, duhet mbrodhësuar. Dhe një amnisti serioze juridike i shërben këtij qëllimi. Në kushtet kur instituti i faljes së dënimit, që ka në kompetencë Presidenti i Republikës, është kthyer në “armë” për realizimin e qëllimeve korruptive të strukturave dhe njerëzve që përfshihen në dhënien e saj, ose në “shpërblim” për mbështetësit e partive që kthehen në vota në vota në zgjedhjet elektorale,  kërkon një amnisti serioze për4 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit. Kjo do të ishte një shenjë e mirë dobiprurëse se ky vend, aspirantë për në BE, po e kthen më në fund fytyrën nga drejtësia, nga shteti ligjor dhe nga demokracia e vërtetë.

*Kryetar i Forumit të Avokatëve për Drejtësi