Av. Arben Llangozi: Që në fillim të seancës prokurori tregon se kush e vendos drejtësinë në gjykatë?

Në sallat e gjykatave shqiptare po ndodh një skandal që po kalon në heshtje, prokurorët, në vend që të ndalojnë në vendin e tyre si palë akuzuese, ndjekin gjyqtarët deri në dhomën e këshillimit, madje hyjnë pas tyre në momentin kur duhet të jepet vendimi. Që në fillim të seancës, prokurori shkel çdo rregull procedural duke hyrë në sallë nga dhoma e këshillimit dhe duke ndjekur gjyqtarin që të marrë vendimin.

Ky veprim nuk është vetëm një shkelje formale, por një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqtarit, që synon të ushtrojë presion që nga çasti i parë i procesit. Dhoma e këshillimit, e cila duhet të sigurojë vendimmarrje të paanshme dhe reflektim të lirë, shndërrohet në një hapësirë ku drejtësia deformohet dhe qytetari fillon të humbasë çdo shpresë për një proces të drejtë.

NOA

Ky është një akt flagrant presioni dhe ndërhyrjeje në pavarësinë e gjyqësorit, një shkelje e çdo norme etike dhe ligjore që rregullon procesin gjyqësor. Kur prokurori ecën pas gjyqtarit, nuk kemi më drejtësi, por diktat. Ai moment, që duhet të jetë simbol i reflektimit të paanshëm dhe i vendimmarrjes së pavarur, kthehet në një farsë, ku vendimi nuk del nga bindja e gjyqtarit, por nga hija që e ndjek nga pas.

Ky është kulmi i deformimit të drejtësisë  kur akuzuesi hyn në territorin e gjykatësit dhe shndërron dhomën e këshillimit në një vend presioni, frike dhe nënshtrimi. Nëse kjo nuk ndalet, çdo vendim i dhënë në këto kushte është i njollosur dhe çdo qytetar që hyn në gjykatë është i dënuar që në derë.