Andrea Petromilo/ Kur “vritet” dinjiteti, kombi “vdes”

560
Sigal

Besoj se shumëkush e njeh fenomenin e vetëvrasjes së akrepit kur rrethohet nga flakët e zjarrit, ai ngre bishtin dhe helmon veten. Çudi instiktore. Por tepër dinjitoze. Ai nuk dorëzohet ndaj një fatkeqësie që i kanoset, por, duke mos njohur mundësinë e shpëtimit, ai vetëflijohet, e për këtë ajo qenie “mbron dinjitetin”. Nëse kjo qenie në vend të ganglioneve nervore  të kishte një sistem nervor të  përsosur, pra, të kishte një perceptim të një shkalle më të lartë, e akoma më tej, të kishte ndërgjegjësim, çfarë duhej të bënte? Sigurisht që do ti jepte vetes një zgjidhje për të vazhduar jetën. E solla këtë fenomen thjesht për të treguar se të jetuarit me dinjitet është krenari, e kur humbet ai atëherë është i pashmangshëm përçmimi. Ndoshta dinjiteti nuk përbën një kategori filozofike, e me sa kam njohje nuk përbën në veçanti një virtyt, pasi brenda tij shtillen një sërë cilësish e virtytesh, që, si të thuash, formësojnë, pse jo, një pjesë të koloritit të karakterit. Pak rëndësi ka ky shpjegim, por doja të citoja se populli shqiptar e, akoma më e theksuar,  kombi shqiptar ka pasur (dhe ka, paçka paksa të venitur në këto vite tranzicioni!!) virtyte që rrallë kush i ka si ai në tërë globin. Ky është mendimi im dhe nuk dua e as nuk do më pëlqente të dilja i zhgënjyer nga vetvetja në këtë konstatim. Po sot në ç’pikë ndodhet diagrami i dinjitetit  tonë?

“Dinjiteti” i kombit shqiptar gjendët në skërkë të humbëtirës. Nxitohem?! Aspak. Ka vite qe toka i rrëshqet nën këmbët e tij. Nëse populli kosovar u ngrit më këmbë, jo një herë e jo një vit por, po t’i referohemi vetëm këtyre tridhjetë  viteve të fundit, për t’i shpëtuar “vasalitetit” serb, iu desh të përleshej disa herë në luftime të përgjakshme me “vartësin” e pamëshirshëm, duke marrë përsipër një barë të rëndë, por tepër fisnike, mbrojtjen e lirisë së vet, që do të thotë mbrojtjen e dinjitetit të kombit, duke sakrifikuar jetën e qindra e qindra bijve . Nga betejat e përgjakshme doli i fituar. E nëse shtyhemi në histori, në periudhën e luftës antifashiste Nacionalçlirimtare e populli shqiptar (nënkuptoj dhe kombin!) nuk zgjodhi rrugën e nënshtrimit, edhe pse u ndodh përballë lubisë fashiste, por u ngrit më këmbë dhe me dinjitet doli fitimtar. Pas fitores, pra, mbrojtjes së dinjitetit, u shpalos krenaria. E kush e jetoi dhe nuk kishte ndjerë krenari kur kultura shqiptare, veç të tjerash, me koncertet e Teatrit të Operës e Baletit, apo me koncertet e grupeve polifonike, jashtë kufijve të atdheut, që vlerësoheshin me superlativa, si përkryerje artistike duke  ngritur  në pode dinjitetin e popullit dhe kombit tonë? Çdo etapë e re dhe çdo ndryshim, sipas logjikës, duhet të sjellë  rritje, “shkallë” të reja duhet të “ndërtohen”, emri e fama  duhet të shkojnë më tej, “fytyra” e kombit duhet të marrë tjetër shkëlqim, e tjetër rrezatim, me pak fjalë, dinjiteti duhet të përcillet në stade akoma më të ndjeshme. Kanë kaluar më se pesë shekuj, por njohim se dinjiteti i kombit shqiptar nën udhëheqjen e strategut legjendar, Skënderbeut, u ndje në krejt Europën e më tej dhe shëtit ende jehona e asaj epoke. Ai nuk luftoi e as sakrifikoi për të korrur trofetë për veten e tij (se famën dhe trofetë i kishte e i gëzonte), por gjithçka e bëri për kombin. Le të marrim një fakt tjetër. Sa krenar ndihemi që një popull i vogël, i pambrojtur nga askush, ka një gjuhë të tijën, e cila, siç thuhet, nuk ka qenë e shkruar? (Le ta quajmë të mirëqenë këtë!). Sa vite ka që populli shqiptar i Maqedonisë, që i është shkëputur kurmit mëmë dhe ende e ruan të gjallë gjuhën e vet? Këtij a nuk i thonë dinjitet për kombësinë e vet? Dihet që shumë prej armiqve tanë kanë dashur ta “shuajnë” me forma e mënyra nga më të ndryshme, por “çuditërisht” nuk mundën ta asimilojnë. Nuk janë të pakta luftërat për të mbrojtur tokat, kufijtë, që të mos mpakej Arbëria, dhe të panumërt janë heronjtë që e lanë me gjakun e tyre. Dhe gjithçka për dinjitetin e kombit. Le ti referohemi figurës së Isa Boletinit. Sa djem e nipër dha për këtë tokë, çfarë akti kreu në Londër, sa oferta iu bënë që të braktiste kauzën e tij për të qenë luftëtar dhe mbrojtës i popullit e kombit të vet, dhe ai s’pranoi? E thjesht për një dinjitet. Por, çuditërisht, një paradoks që ndodh vetëm tek kombi ynë: Ne vetëvritemi! Ata që dalin në krye për të drejtuar, përpiqen për të vrarë dinjitetin e popullit të tyre. Për rreth një çerek shekulli tashmë ende s’po shtrijmë dot trasenë ku të vendosim shinat për të ecur drejt rritjes së mirëqenies së popullit… Sa eksode ka provuar shqiptari nëpër shekuj? (fatkeqësisht ende vazhdon!) Pa mundur të gjejë udhëheqësin që t’i udhërrëfejë dritën e shpresës, ka marrë rrugën e mërgimit. Atje ku u ngul, bëri të pamundurën për të mbijetuar, për të ruajtur atë pak dinjitet që i kishte mbetur. Po të shikosh mirë toponomastikën në ato vende ku gjeti “limanin” të ankorohej, ende gjenden gjurmët e atij dinjiteti. Por, jo gjithmonë e kurdoherë. Në shumicën e rasteve, ai humbi gjuhën, humbi dalëngadalë virtytet, humbi origjinalitetin e emrave shqiptar. Në çfarë skaji të globit mbeti pa shkuar shqiptari pas përmbysjes së “ komunizmit”, i cili shumëkush e quan fatkeqësi, pasi mbeti i izoluar, por shteti i atëhershëm bëri të pamundurën për t’i ringritur denjësisht dinjitetin!! Sa kosovarë kanë kërkuar azile nëpër vite, në vende të ndryshme të botës? Pyesim: Përse? ç’e detyron këtë komb të emigrojë, të braktisi trojet e veta, për të cilat gjyshërit e stërgjyshërit luftuan dhe e mbrujtën me gjakun e tyre? Thua se nuk ka pasuri Kosova që të mirëmbajë popullin e vet? Nuk ka Shqipëria pasuri për të mbajtur popullin e vet? Kush vend në glob ka më shumë se vendi ynë ( në krejt gjithështrirjen!) duke e krahasuar dhe me popullsinë?! Dhe për ironi të fatit shtetarët “gëzohen” që populli i tyre roit? Le tu referohemi shteteve të mëdha europiane: Përse niveli i mirëqenies së popujve të tyre është i lartë? Përse popujt e tyre nuk roitin, por përkundrazi, si një hambar pret e pret popujt e tjerë? Mos vallë kanë pasuri  nëntokësore e mbitokësore  më shumë se vendi ynë?Mos vallë kanë faktorët dhe elementët klimatikë më të favorshëm se tonat? Mos vallë kanë popull më punëtor se i yni? Mos vallë ka virtyte më të nginjura në shpirt se tonat? Mos vallë kanë ndjenjë kombëtare më të fuqishme se tonën? Aspak! Po atë që zgjodhën për t’i drejtuar luftoi për të mbrojtur dinjitetin e kombit të vet, luftoi për ta ngritur nga ana e mirëqenies që të mos  mbetet lypsar nëpër botë. Guri i rëndë peshon në vend të vet, thotë një proverbi i ynë. Por, siç duket, askush prej atyre, që çuditërisht vihen në timon të anijes sonë, nuk e njeh këtë proverb. Çfarë mund të themi, për shembull, për Holandën, e cila është si shtrirje disa metra poshtë nivelit të oqeanit, por ata që e drejtonin, kur ende një pjesë e botës nuk ishte “ zgjuar” dhe nuk njihte se ç’bëhej përreth saj, ajo ndërtonte argjinaturat e pamposhtura për të shpëtuar tokën (ultësirën!) nga përmbytjet dhe tashmë, prej shumë e shumë vitesh, atje lulëzon gjithçka, bujqësia, blegtoria … Vendi i luleve quhet, edhe pse klima aspak s’është më e favorshme se e jona. Mora një shembull, Holandën, pasi tek ne as deti e as oqeani nuk kërcënon, por lumenjtë. Si është e mundur që për një çerek shekulli nuk u mor në trajtim për zgjidhje çështja e përmbytjeve? E përse duhet të bëhet shpërblimi i dëmeve (për faktin mirë bëhet dhe është e domosdoshme!) që u bënë nga dalja nga shtrati i lumenjve kur populli provoi, jo për të parën herë, tmerrin e përmbytjes? Kush nga ata që qeverisin vendin e ka parë shtëpinë e tij të përmbytur? Kush prej tyre ka fjetur në krevat duke pasur ujin nën vete? Kush prej tyre ka parë fëmijën e vet t’i dridhet buza prej të ftohtit dhe s’ka mundur t’i jap ndihmën e duhur, qoftë dhe t’i hedhë supeve një xhaketë,  pasi dhe ajo e vetmja ka qenë e lagur?Kush? Kush? Askush, kur nuk kanë ndjesinë që kombit të tyre të mos i venitet dinjiteti! Dhe kravata e tyre rri varur në qafë, si kular në  qaforen e një demi të lumtur. Përse pas fitores së lirisë, pas asaj lufte të ashpër  që kosovari fitoi dinjitetin, tashmë drejtuesit e tij gëzohen, paçka se duken të vrarë shpirtërisht (hipokrizi!) që djemtë e atij vendi shtyhen e nxitojnë për të braktisur trojet  kaq të shenjta larë me gjakun e vëllezërve të tyre?

Njëqind parti në Shqipëri, njëqind parti në Kosovë dhe hahen si qentë, jo për të gjetur rrugë të përshtatshme për ta nxjerrë popullin e vet ( kombin!) nga kriza shpirtëror edhe ekonomike, nga kriza e humbjes së dinjitetit, por për të siguruar karrigen secili prej tyre për të “lundruar” drejt kamjes së pafundme. Përse nuk shesin vilat, përse nuk nxjerrin librezat e kursimit dhe ti venë në shërbim të popullit, kombit? Përse? Popullit ia zhvatën, popullit t’ia kthejnë. Njëqind parti, debate e stërkëmbësha për të penguar ecjen…! Opozita nuk kupton një gjë, (sigurisht që dinaku e kupton!), se rruga drejt mirëqenies i ngjan një stafete, ku duke vrapuar, këmbehet startori, duke ia dhënë pasuesit vijimin e garës. Por ata që e ndjekin (populli!) e kupton se kush ecën më mirë e më shpejt, pra e kupton se kush ia dha tempin garës, atëherë ai sigurisht që atë do ngrejë në piedestal, paçka se në garë morën pjesë të gjithë e të gjithë ndihmuan. Por ç’ndodh me partitë? Duke vënë stërkëmbëshin nuk e kuptojnë se bëhen pengesë për ecjen përpara, bëhen pengesë për rritjen e mirëqenies se popullit, bëhen promotor për humbjen e dinjitetit të popullit e të kombit. Fatkeqësisht! Sa të “ trashë!( Finok, mbushur me ligësi desha të thosha!) Mungesë kulture? As që diskutohet. Nuk do të thotë se ke kravatë dhe ke kulturë. S’do të thotë se ke një karrige dhe ke kulturë. Kulturë ka ai që kupton pozicionin e tij ndaj të tjerëve, pozicionin dhe detyrën e tij ndaj popullit të vet, pozicionin e tij si luftëtar për ngritjen e dinjitetit të kombit të vet. Dhe kur e shikon se nuk është në gjendje për të qenë në avangardë, atëherë largohet nga pozicioni që ka, ( paçka se si e zuri atë!) dhe ia lë vendin atij që ka dëshirë dhe është i aftë për ta çuar më tej stafetën. Ai është njeriu i kulturuar. Ai është njeriu që do popullin e vet. Ai është njeriu që ndihet krenar kur të tjerët thonë se kombi i tij ka dinjitet. Se një popull, një komb “vdes” kur“vritet”  dinjiteti i tij. Një lypsar që s’lufton për të nxjerrë bukën e vet, ka përçmimin e të gjithëve. Por fatkeqësia qëndron se kush e çoi deri aty. E kur të çon udhëheqja – mjerë që ende mbetet në timonin e anijes. Kohët e fundit, në çdo qytet ndodhin shkatërrime. Bukur! Duhet të behën? Po dhe jo. Po, duhet të bëhen pasi padrejtësisht u ngritën. Por, jo, pasi mendojmë se duhej bërë me stade, pasi shumë do jenë ata që do arrijnë kufirin e mosmundësisë për mbijetesë. Megjithatë “ vrasja” e dinjitetit është kryer. Ata që e lanë të lirë të ndërtonte nuk u ndëshkuan. Nëse do ndodhte kjo Rilindja, kaq e shumëpritur, do ishte më e besueshme. Sa bukur kur gjithçka, e për më tepër e ardhmja planifikohet… Atëherë themi se rrojmë me dinjitet!