Analizë nga Xhevat Mustafa/ Është e domosdoshme, që të hapet PD-ja, por jo si han pa porta…

488
Sigal

 

Është e domosdoshme, e nevojshme, e dobishme, që të hapet PD-ja, por jo për ata që u janë çjerrë maskat si “kuaj Troje”, pseudonimsa, figura të shkrumbuara, që i kanë lënë në derë shumë “kopilë” flirtesh të pista, prostitucioni politik, paaftësie, korrupsioni…

PD-së i bën mirë të hapet, por jo si han pa porta!

Është e domosdoshme, e nevojshme, e dobishme, që të hapet PD-ja, por jo për ata që u janë çjerrë maskat si “kuaj Troje”, pseudonimsa, figura të shkrumbuara, që i kanë lënë në derë shumë “kopilë” flirtesh të pista, prostitucioni politik, paaftësie, korrupsioni…

Ka kohë që në medie dhe rrjete sociale ka nisur një debat i ri, me objektiv apo burim PD-në, kur po na ziejnë mendtë, apo na janë bërë trutë përshesh, nga debate të pafund, e më së shumti të sajuara nga politika dhe mediat e saj, për largim vëmendjeje nga objektivi i duhur dhe të kota, për nga frytshmëria. Ndjeshmëria e largët apo më e afërt e atmospheres, apo erës së zgjedhjeve të reja parlamentare, sikur e ka amplifikuar edhe më shumë zhurmnajën për mundësinë, format, dimensionet, kontigjentet, grupet, individëte  hapjes së PD-së. Prej ditësh, edhe pse në kohë pandemie dhe kufizimesh të shumta ligjore për grumbullime masive, PD-ja, nën drejtimin e kryetarit të saj prej 7 -vitesh, Lulzim Basha, ka filluar procesin e vjeljes së mendimeve nga anëtarësia, shoqëria civile dhe elektorati i saj “gjenetik”,  apo tradicional, për përzgjedhjen e kandidatëve  për deputetë,  me të cilët do të përfaqësohet në betejen e ardhshshme zgjedhore me “Rilindjen”  dhe Edi Ramën. Personalisht, gjykoj se është një proces, që ka rol përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve të pritshme dhe të qeverisjes, në rast të një fitoreje, masivisht të dëshirueshme, por jo lehtësisht të mundshme, përballë një kundërshtari pallogarirtshmërisht të pasur e me ortakllëk të fortë me oligarkë vendorë, apo me bosë shqiptarë e ndërkombëtarë. Për deri sa e cilësojmë “betejë elektorale”, përgjithësisht, qysh nga Troja e Homerit, apo shumë më vonë, nga Skënderbeu ynë dhe sulltanët turq; nga Bonoparti e Kutuzovi, Stalini dhe Hitleri; betejat dhe luftrat janë fituar dhe humbur nga strategët dhe gjeneralët dhe jo nga Homeri, Barleti si dhe nga gazetarët dhe analistët e djeshëm e të sotëm.

Nisur nga ky këndvështrim dhe gjykim, për të ndihmuar sado pak për të parandaluar  humbjen e tretë të PD-së dhe të opozitës, uroj me sinqeritet dhe shpresoj fort që përzgjedhja e kandidatëvë të PD-së për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të bëhet me seriozitet, përgjegjshmëri, transparencë, sipas votave të anëtarëve dhe sipas kritereve të vlerave reale, të pasurisë së pastër të CV- ve, të veprave, kontributeve, meritave dhe jo sipas lidhjeve dhe preferencave personale e familjare me figura me peshë në PD, në të kaluarën apo edhe në këto vite! Apo, jo thjesht të rinj si moshë e të bukur si pamje, për sfilata bukurie e mode. Duke pasur parasysh efektin tejet negativ dhe masiv të sajesës së zgjuar të Edi Ramës se  “të dy palët janë njësoj”,  Lulzim Bashës dhe bashkëpunëtorëve të tij në qenëdr e në rrethe,  u duhet të kujdesen deri në fund, që kandidatët e rinj të PD- së të jenë, të paktën, 25-50%  “më ndryshe”, më të mirë, më të aftë, më të përgjegjshëm, më të ndershëm, më njerëzorë e socialë se sa qeveritarët dhe deputetët e “rilindjes”. Jam i një mendjeje me plot demokratë të vërtetë e të sinqertë, të cilët kërkojnë hapjen e PD-së për FIGURA TË REJA të vërteta nga çdo këndvështrim, nga Shqipëria dhe Diaspora, nga anëtarësia dhe shoqëria civile, në ekipin politik dhe të kandidatëve për deputetë. Pra, jam plotësisht kundër  me ata, që, me hile e pabesi, me paramendime të largëta apo urdhëra të afërta, kërkojnë hapjen dykanatesh të “derës” së PD-së, për ta bërë kështu, si në fillimet e saj, han pa porta. Apo me dyer dhe dritare 24 orë të hapura, çka i dha mundësi Ramiz Alisë të fuste me bollëk njerëz të tij, të cilëve iu kuptua loja shpejt apo gradualisht, më vonë, deri në këto 3-4 vjetët e fundit! Personalisht, edhe unë mendoj se është e domosdoshme, e nevojshme, e dobishme, që të hapet PD-ja, por jo për ata që u janë çjerrë maskat si “kuaj Troje”, pseudonimsa, figura të shkrumbuara, që i kanë lënë në derë shumë “kopilë” flirtesh të pista, prostitucioni politik, paaftësie, korrupsioni. Ose e kanë braktisur në ditë të vështira, duke i dalë edhe kundër, në unison dhe ortakllëk politik me kundërshtarët, pasi kanë marrë prona të veta e të tjerëve dhe pasi janë bërë multimilionerë dhe me saraje! Lista e këtyre gjasme demokratëve, pa asnjë lidhje me të djathtën gjenetike dhe pa “dashuri të sinqertë” ndaj PD-së, disa prej të cilëve ishin aktorë edhe në “dramë-tragjedinë” shqiptare të 1997-ës, është e gjatë. Ajo është shtuar sidomos në këto 7 -vjet, kur ata apo ato, që ua marrim lehtësisht me mend emrat, i hëngrën me dëshirë e jo nga uria e madhe “karremët dhe dhuratat, që u kishte vënë Edi Rama në grepat e tij, në formë zarfash, koncesionesh, postesh”.                                                                                                              Në kushtet ku ndodhet vendi, subjektivisht, nuk jam më as për vazhdimësinë e daljes së Berishës dhe të disa bashkëpunëtorëve të tij të vjetër, në  ballë të PD-së dhe  të  “shtatmadhorisë” së saj elektorale, në krah apo menjëherë pas Lulzim Bashës. Pa ia harruar, dhe nënvlerësuar meritat historike si dhe “gabimet historike”, gjykoj se për hirë të kësaj domosdoje, Berisha vetë do të fitonte shumë më tepër pikë se sa do të humbte, nëqoftëse do të pranonte, natyrisht me keqardhje dhe jo aq lehtësisht, edhe “sakrifikimin e Saliut”! Natyrisht, pa hequr dorë nga angazhimi në PD me vizionet, përvojën, këshillat e tij. Në kushtet e krizës së rëndë e të shumanshme, me borxhet shumë miliardë që na ka futur qëllimisht Edi Rama, që do t’i shtojë ndjeshëm deri ditën kur të ikë me gjithë tufën e tij, me këtë nivel të lartë kolapsi, papunësie, varfërie, korrupsioni, oligarkizmi, emigracioni, kanabizimi, kriminaliteti, Shqipërisë i duhet një qeveri e mbushur më shumë me ekspertë elitarë nga fushat ekonomi-financa; inxhinieri informatikë- elektronikë, të inxhinierisë mekanike dhe minerare; të shkencave politiko- juridike. Mbi të gjitha, i duhen ekspertë me aftësi të sprovuara, me pjekuri,  kurajo dhe dinjitet, për t’i thonë “JO” kryetarit, kur kanë bindjen e plotë për këtë gjykim të tyre,  që mendojnë dhe përpiqen të punojnë shumë më tepër  për njerëzit e thjeshtë dhe fare pak për  vete.                                                                                                                                                 

PD-së i duhet të hapet për figura të reja, me brumë, vlera, vepra, konsekuencë angazhimi, devotshmërie, sakrificash, të cilët mund ta ndihmojnë ndjeshëm për FITORE dhe RROTACION POLITIK dhe ta shpëtojnë nga një ZHGËNJIM i ri i rëndë. Humbja e saj,( mos ndodhtë kurrë!) përballë Edi Ramës, me shokë e shoqe, të dështuar dhe diskretituar plotësisht, të paskrupullt, të papërgjegjshëm, të pashpirt, të padurueshëm për shumicën e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve, do të ishte me rrjedhoja katastrofike, tsunamike apo “pandemike” jo vetëm për PD-në, por për të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe të shumicës së të gjithë shqiptarëve, që mbijetojnë me punën dhe djersën e tyre të ndershme, me paga dhe pensione allashqiptare! Nëse Edi Rama arrin të “fitojë” përsëri, nën hundën apo nëpër duart e PD-së dhe aleatëve të saj, do të thoja, në mënyrë figurative: “Fitorja e tij e tretë, shumica e shqiptarëve në det, që të mbeten këtu vetëm Edi Rama me çetë! ”

Shmangien e kësaj gjëme apo “tragjedie kombëtare” mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë Lulzim Basha me ekipin e tij politik dhe elektoral. Kjo, falë edhe “dhuratave” nga vetë Edi Rama, me serialet e pafundme të skandaleve, dështimeve dhe PPP-ve, me shumë gjasa, do të bëhet edhe më e thjeshtë dhe më e lehtë! Nëse nuk e bëjnë nuk do t’u besohet asnjë justifikim dhe akuzë e ndryshkur ndaj “fituesve”. Fatura e zhgënjimit, ndëshkimit, mallkimit, do të jetë shumë e lartë për të gjithë ata, individualisht dhe institucionalisht, për PD-në, mbarë vendin dhe për shumicën e shqiptarëve!