Gëzimi ishte nga ata, të cilët vuajtjet dhe poshtërimet, nuk e shpërfytyruan, dhe nuk e deformuan në karakter, përkundrazi, i’a forcuan më tej tiparet dhe vetitë e një njeriu, të dashuruar përjetësisht me lirinë dhe qëndresën

Kisha disa kohë, që nuk e shikoja më Gëzim Çelën, të ulej me ne, për kafen e mëngjesit, ose nëpër aktivitetet e shumta letrare, që organizonim
Ishte një tip, që i mbante bisedat gjallë , dhe sillte një gjallëri midis nesh I veçantë dhe ekspresiv, i sjellshëm dhe energjik në gjithçka. Edhe pse ndodhte, që bisedat ato çaste, mund të ishin të një natyre tjetër Gëzimi bënte ç’bënte dhe e çonte bisedën, aty ku i dhimbte më shumë, tek vitet e tij të dhimbshme të jetës, tek heronjtë e heshtur prometejane të birucave , tek hetuesit kriminelë të diktaturës dhe për kalvarin e tij të gjatë të burgjeve, që i’a ndërronin herë pas here. Gëzimi ishte si një libër i madh kujtese, që sa herë e hapte, mbushte edhe ajrin me trishtim. Kishte një aftësi të lindur për të treguar, dhe zemërohej, kur dikush e ndërpriste Biri i prefektit të fundit të Tiranës, në kohën e pushtimit gjerman, i ati, i cili i’u shpëtoi disa herë atentateve nga njËsitet guerile, në çastin e fundit mundi të arratisej në SHBA, duke e lënë pas djalin e vogël dhe bashkëshorten, nënë Rozën e mirë. Ajo mundi ta rrisë të birin me njëmijë halle dhe mundime, përherë nën vështrimin përbuzës të regjimit dhe sahanlëpirësve të tij xhahilë, që bënë ç’ishte e mundur t’ua vështirësonin jetën atyre. Herë në Tiranë, e herë në Lushnje, herë ngrënë , herë pa ngrënë. Ishte një kohë, që la gjurmë të tmerrshme në ndërgjegjen dhe kujtesën e djaloshit të ri , rritur jetim.
E megjithatë ata, nuk arritën t’ia ndrydhnin Gëzimit pasionin e tij të madh për artin. Ai ishte një artist i lindur dhe nuk thyhej lehtë.
Mbaroi shkëlqyer liceun artistik për pikturë në Tiranë, por si i biri i ” armikut “të klasës ,nuk e lejuan të vazhdonte më lart. Me ndihmën e drejtorit të athërshëm të minierës së qymyrgurit të Manzës, Skënder Xhuglini ( për të cilin Gëzimi fliste gjithmonë me adhurim), mundi të rregullonte një vend pune si dizenjator në minierë, për të shkruar parulla dhe vizatuar portrete minatorësh të dalluar. Gjithmonë gojëmbyllur dhe gjithmonë nën vëzhgimin e mprehtë të punonjësve të sigurimit të shtetit dhe spiunëve të shumtë që gëlonin si miza rreth tij Ata ja dinin cenet biografike dhe me zor prisnin rastin për ta mbërthyer në pranga.
I inskenuan një gjyq fallco me akuza dhe dëshmitarë të rremë dhe ashtu të prangosur, e nxorën për ta diskredituar para turmave të trëmbura në sallën e mbledhjeve të minierës. Më pas direkt në derë të burgut Fillimisht me të më ka njohur romani i shkrimtares së ndjerë Meri Lalaj, e cila e ka njohur nga afër Gëzimin e ri dhe ëndërrimtar në ambientet e minierës. Më tej në postdiktaturë Gëzimi u vendos në Durrës, ku dha një kontribut të vyer në aktivitetet e shumta të klubit të atëhershëm të shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit.
– Kam marrë ca lekë burgu thoshte dhe nuk dua t’i prish vetëm me gruan.
Në librin e tij të vetëm” Klithma e një nëne”, Gëzimi ka hedhur në letër copëza interesante nga jeta e tij nëpër burgjet e tmerrshëm të diktaturës, ka skicuar heronj dhe antiheronj , engjëj dhe djaj .
Është një libër ku spikat vërtetësia dhe një stil i shkathët narracioni, ku spikat tregimi interesant “Kitara e Vaçe Zelës” (Familja e Vaçes dhe nëna e Gëzimit kanë pasur miqësi të vjetër) Një tjetër tregim interesant në këtë libër, mbetet Gurët e shahut me tul buke, krijuar nga copëzat e bukës në qelitë e burgut të Burrelit, ku fantazia dhe realiteti kanë krijuar një unitet të vërtetë artistik.
Gëzimi ishte nga ata tipa, të cilën vuajtjet dhe poshtërimet, nuk e shpërfytyruan, dhe nuk e deformuan në karakter, përkundrazi, i’a forcuan më tej tiparet dhe vetitë e një njeriu, të dashuruar përjetësisht me lirinë dhe qëndresën Gëzimi nuk do të jetë më mes nesh, por në kujtesën tonë, do të vazhdojë të kumbojë përsëri zëri i tij karakteristik dhe miqësor, zëri një miku dhe njeriu të mirë, zëri i një individi që nuk meritonte të kishte një fat dhe trajtim të tillë kaq mizor. Në bibliotekat tonë sërish do vazhdojnë të ndihen klithmat e një nëne për birin, që ja rrëmbyen nga duart dhe ja mbyllën nëpër burgjet e ferrit, ndërsa ndërgjegja e kohës, do vazhdojë të dëgjojë përsëri zëra të fortë aktakuze. Lamtumirë miku ynë i dashur.