AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ

540
Sigal

Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan. Me rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork.

Nga Frank Shkreli*

Ishte Nëntori i vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor, 1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë. Komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor, 1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e lartëpërmendur.  Njoftohej gjithashtu mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të rëndësishme në jetën e Don Pjetrit,  të Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor — njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve, përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë. Ndër këta pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes – e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.

Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.
Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.

 

Në një shkrim të ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke,  35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.”  Këte deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John Nikas. “Vlen të shënohet se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli, duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë — komisionit përgatitës të kryesuar nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, tani i ndjerë  —  dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju Jork, gjithnjë aktiv në komunitet — ndonëse, aktualisht, në pension. Shugurimi i Don Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë sot,  mbi veprimtarinë e këtij prifti të dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.  Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine, përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve të feve të tjera.

 

Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.
Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.

 

Dom Pjetri, është një pasardhës i denjë,  si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç dihet tani –kishte mbrenda  praninë e të Madhit Zot — i cili gjatë një periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.

Këtu në Amerikë, me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe para botës.

Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.
Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.

 

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar.  Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari, rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.  Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.

 

E falenderojmë të Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë due  më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e tyre, ngritjes së Kombit shqiptar. Në rastin e 35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.

 

Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.
Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

( Fotot e bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj )