Sigal

Ka kohë që shfletimi i historisë dhe pastaj leximi e rileximi i saj, janë kthyer në një sfidë për shoqërinë shqiptare. Në këto e sipër, politika po e përdor atë si jo më keq; e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë këso. Është një lojë e turpshme. Mendoj se, ndër të tjera, problemi që na ka mbetur nëpër duar, është që nuk rrimë dot pa mite. Patetizmi, për të cilin kam shprehur rezervat e mia në një shkrim tjetër më herët, nuk është, as orientim, as zgjidhje. Patetizmin dhe mitet le t’i lëmë për në shtëpi, fis apo, e shumta, në mbledhjen e partisë. Nuk bëhet trajtimi i temave të rëndësishme sipas interesave të çastit, bindjeve të ngurosura ideologjike, si dhe duke u mbështetur fort te besimi politik apo gjendjet emocionale. Është koha të ikim nga mitet dhe nga magjitë folklorike. Meqë ra fjala, edhe Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe ndokush tjetër, duhen zhveshur nga miti. Miti nuk është histori. Patetizmi dhe frymëzimi ideologjik nuk do të na ndihmojnë dot asnjëherë t’i vështrojmë protagonistët e kohëve ftohtë, me paanësi; thjesht si persona që kanë një vend të caktuar në historinë e vendit. Edhe individët në fjalë, duhen treguar thjesht si protagonistë të një periudhe të caktuar, pa i zbukuruar emocionesh, pa i shfytyruar urrejtjesh. Ata dhe emra të tjerë të historisë së vendit, duhet të tregohen dhe të trajtohen në përputhje me të gjitha faktet dhe zhvillimet e kohës kur kanë diktuar. Në mënyrë të veçantë, pjesa politike, ideologjike më mirë, e historisë, aspekti ku zjarri rri përherë ndezur, është bërë një Gur Sizifi për shqiptarët; nuk po e çojnë dot atje ku lipset.

(“Besim do të thotë të mos duash të mësosh çka është e vërtetë.” F. Niçe) Kam lexuar jo pak shkrime, kam parë disa dokumentarë dhe kam ndjekur një sërë biseda që kanë të bëjnë me dekadat para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është asnjëherë vonë dhe as e tepërt që ngrehina e kësaj pjese të historisë të pasurohet me fakte, dokumente dhe prurje të tjera të dobishme. Por asesi të bëhet kjo një qëllim në vetvete. Filani, fëstëku, baza, doli nga kjo shtëpi, hyri në atë tjetrën, njëri e tregon ndryshe, tjetri ndryshe… Themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare. Histori pa fund, me hollësi nga më të pavlefshmet. Roli i jugosllavëve. X. Y. E lagu! S’e lagu! Fundja për çfarë na flet një gjullurdi e këmbëngulje e tillë? (Kur ende sot jemi nën tutelën e aleatëve…) Që s’kemi qenë dhe s’jemi asnjëherë të zot të bëjmë një gjë të hajrit? Përse duhet hedhur poshtë e përse duhet devijuar kontributi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, kurse thuhet dhe, është e vërtetë, që pushkët e para i shkrepën nacionalistët? Duhet t’i mbyllim disa pohime e të vërteta, natyrisht, pa mohuar turbullimet politike dhe pasojat e përpjekjeve për pushtet të njërës palë apo të palës tjetër. (“Debatojnë vazhdimisht ata të cilëve u ka shteruar inteligjenca.” Oskar Uajld) Historia nuk është as nostalgji, as urrejtje. Katër dekada e gjysmë në Socializëm. Shndërrime sociale dhe ekonomike; në radhë të parë, falë punës vetëmohuese të njerëzve, kontributit edhe të të burgosurve të kohës, atyre politikë në veçanti. Mirëpo, shumëkush ka zellin dhe ligësinë t’i zerojë të gjitha. Ku gjendet e drejta për ta bërë këtë gjë? S’i pengon njeri të flasin e të zbulojnë të vërtetat (sidomos tej viteve ’60) për tiraninë, izolimin, varfërinë dhe pasojat e luftës së klasave. Le të vënë në dukje se i kemi përjetuar ato keq e më keq se e gjithë Evropa Qendrore e Lindore, e cilësuar si Komuniste. Hoxha, Xoxe, Shehu, Kapo, Hazbiu, Themelko etj., patën një periudhë mjalti me Titon. Por për çudi, na rezulton se ky i fundit u tregua mjaft i përmbajtur në praktikën e luftës së klasave; kurse drejtuesit shqiptarë, çudia vetë, s’lanë ‘armik’ pa shkatërruar. Dhe kjo duhet thënë siç ka qenë. Por duhet thënë edhe që në skajin më të largët të vendit kishte mësues, mjekë e infermierë. Dhe nga kandili, shkuam tek elektrifikimi i vendit. Duhet thënë, gjithashtu, që u ndalua gjakmarrja dhe u hoqën perçet. (Ato, mjerisht, janë rikthyer; ky rend gjysmak nuk i përball dot. Jo?) Katër dekada e gjysmë, u mbars vendi me mitin e ‘mrekullive’ të socializmit fitimtar, të Byrosë Politike, veteranëve dhe njerëzve të lidhur me partinë. Tash po bëhen tre dekada (por do të barazohen me sa shihet) që vendi po rimbarset me mitin e asgjësimit të gjithçkaje që ka pasur jeta, kultura dhe sporti i asaj kohe, ndërkohë që ka dalë në plan të parë çështja e përndjekjes politike dhe shpërfaqjes së çdo episodi të ndodhur në burgje e në kampe, (deri në tregimin e njeriut më të fundit, që e ka nisur jetën e burgut si një ish-magazinier hajdut dhe e ka sosur si spiun). Po. Shpesh tonin e zhurmës e zmadhojnë të tillë ‘përfaqësues’… Por në cilin vend të Botës mund të shkojnë punët kështu, jetë e mot, si në një vodëvil? Me këto ‘biznese’ në emër të historisë, me këto histeri le të themi, është tepruar. Janë bërë burgjet dhe kampet e punës të kohës së Socializmit si objekt tenderi dhe flitet e bëhet sherr për përmbajtjen dhe episodet brenda tyre, si të ishim ne, të parët dhe të fundit në botë, që përjetuam luftë klase e interesash. Asnjë individ dhe asnjë institucion dhune nuk mund dhe nuk duhet të mbetet mollë sherri dhe as mit; nga Veriu në Jug, nga Kukësi në Tepelenë. Nuk ka pse bëhet sherri sherr për një memorial përkujtimor. Por në të njëjtën kohë, teprimet me termat, që i përdorin sidomos njerëz të opozitës, në pamundësi për të gjetur vetveten, të tilla si Aushvici apo Siria – po, ka politikanë e kodoshë që e kanë krahasuar vendin e tyre me batërdinë e sotme në Siri – të tilla teprime nuk duhen toleruar. Xh. Xhojs te “Ulisi” thotë diku: “Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të…” Ka pasur edhe në Amerikë kampe pune për japonezët, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kampe internimi, që e kishin zanafillën te Pearl Harbor. Komunitetet nuk i harrojnë këto, brenda mundësive i pasqyrojnë në muzeume a minipavione, memoriale gjithashtu; tashmë janë pjesë e historisë së vendeve respektive. Por nuk lapërdhosen për dekada të tëra, duke i rënë gozhdës gjithë po në një vend. Te ne, këtë fanfarë e frymëzojnë klane të caktuara, individë që duan të përfitojnë politikisht. Disa prej tyre, vijnë nga radhët e shokëve komunistë. Ka punë puna…! Ç’është më e keqja, eksponentë të politikës, në vend që të inspirojnë pajtim e vlerësime realiste, i hedhin benzinë zjarrit…! Kjo bëhet për përfitime të vogla, afatshkurtër, mbase edhe për një mandat qeverisës apo edhe për një a dy deputetë a drejtues lokalë, ndonjëri prej të cilëve – po shprehem me edukatë dhe duke u përmbajtur – shpesh qëllon kokrra e debilit. Historia lyp një finale.

E para sepse një sërë breza, që nuk e kanë jetuar atë kohë apo që kanë qenë fëmijë, gjenden përpara njëlloj mjegulle.

E dyta, ç’paskemi qenë, s’u lanë njëherë këto diskutime, kujtime, të mira e të këqija, për t’iu kthyer çështjeve të tjera të rëndësishme, të ekonomisë, të mirëqenies, të edukimit qytetar, por edhe të vetë historisë.

Meqë ra fjala, ku është Stacioni i Parë Hekurudhor i vendit? Ç’bëhet me shtëpinë e Gjergj Fishtës? Gjendet kund ende Lëndina e Lotëve? Janë automobilat me të cilët kanë udhëtuar personalitete historike nga Bota gjatë vizitave të tyre në Shqipëri? A kini ndonjë ide çfarë ndodh në Lurë? Nuk është historia- lufta e politikanëve apo nostalgjikëve e inatçinjve injorantë të këtij vendi. Historia fillon tek ajo shpella për të cilën bën fjalë në librin e tij, këto ditë edhe ne medie, z. Perikli Qirjazi; dhe vjen deri te kërkesa e llogarisë ndaj qeverive, qeverisë aktuale po ashtu, për orët dhe ditët e pasigurta dhe kur mund të jetohej shumë më mirë se kaq. Ka vende që zhvillojnë referendum për shumë çështje; meqë është zënë goje këto ditë. Mirë do të kishte qenë, që edhe ne t’i kishim mbyllur disa të tilla, me apo pa referendum, duke iu besuar institucioneve, por edhe shpresave për më shumë harmoni kombëtare, çka shtyn tej prapambetjen dhe, siç u tha edhe më lart, i hap rrugë qytetërimit e vënies në plan të parë të ekonomisë, edukimit dhe mirëqenies sociale. Vendi ynë, të dyja vendet, Shqipëria dhe Kosova, por edhe komunitetet etnike shqiptare në vende të tjera, kanë sot aq potencial njerëzor dhe intelektual sa të vendosin në tragën e duhur historinë e vendit, të gjitha periudhat, pa dobësi e nostalgji, pa urrejtje dhe ekstremizma qesharake. Nëse nuk kemi besim te institucionet dhe ekspertët, që të thonë fjalën e tyre në disa fusha, përfshi gjuhësinë, historinë, kulturën dhe trashëgiminë në tërësi – unë mendoj se duhet të kemi besim dhe duhet të kërkojmë që t’i vendojnë ata shumë punë – atëherë s’na mbetet veçse t’i dorëzohemi politikës, e cila, në të vërtetë, është spostuar gjer më sot nga objektivi i duhur, në anësi që kanë të bëjnë me interesa klanesh, e për çka ajo përdor edhe historinë… S’mund të vazhdojë kjo lojë pa fund. (“Nëse njerëzit janë të mirë vetëm sepse kanë frikë nga ndëshkimi dhe shpresa për shpërblim, atëherë ne jemi vërtet për keqardhje.” A. Ajnshtajn)